Tjetër ngarkesë droge nga Shqipëria, sekuestrohen 213 kilogram në Greqi

Policia greke ka sekuestruar 213 kg kanabis që vinte nga Shqipëria si dhe ka vënë në pranga edhe dy shqiptarë. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke, sipas të cilave, krahas dy shqiptarëve, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur, është vënë në pranga edhe një shtetas i huaj. Sipas mediave vendase, policia ka sekuestruar 213 kg 800 gram marijuanë të fshehur në një mjet në vendin e quajtur Ura e Vrosines, në kufirin greko-shqiptar.
Në pranga kanë rënë shqiptarët 27 dhe 34-vjeç dhe greku 63-vjeç. Pas informacioneve të marra, policia greke ka ndaluar 2 automjetet me të cilat lëviznin shqiptarët dhe gjatë kontrollit në njërën prej tyre u gjet e fshehur lënda narkotike, e cila dyshohet se ka hyrë nga Shqipëria. Njëra nga mjetet transportonte drogën, ndërsa tjetra e shoqëronte dhe kontrollonte rrugën. Policia vijon hetimet për persona të tjerë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.
Po ditën e djeshme u sekuestrua nga policia greke një sasi prej 37 kilogramë marijuanë. Sipas mediave greke, droga është kapur në kryqëzimin e Pargës nga Policia e Igumenicës. Drejtuesi i mjetit ka përfituar dhe është larguar për në pyll, duke lënë automjetin. Policia ka sekuestruar drogën dhe është në ndjekje të autorit. Ky nuk është rasti i parë ku autorët, pasi pikasin policinë largohen nga mjeti.

Artikulli paraprakE turpshme, Rama blen vdekjet e 21 janarit me 1.6 miliardë lekë
Artikulli tjetërVende dhe popuj, ky është kopshti Nr.17 i Tiranës!