Tjetër lehtësi e Ramës për disa biznese të pijeve energjike

Një tjetër lob duket se ka arritur të bindë qeverinë për t’i shpëtuar një takse. Bëhet fjalë për pijet energjike për të cilat nëse propozimi, që ka kaluar miratimin e komisioneve parlamentare, do të kalojë edhe hallkat e tjera, do të bëjë që këto biznese të kenë zero akcizë. Propozimin në Kuvend e ka dorëzuar deputeti Ervin Bushati, i cili ka propozuar që të shfuqizohen disa nene nga ligji për akcizat dhe konkretisht, ajo që lidhet me pijet energjike.
“Kreu IX/1 “Pijet energjike” dhe nenet 77/1 “Përkufizime” dhe 77/2 “Detyrimet” shfuqizohen.
Ky ndryshim reflektohet edhe në shtojcën nr.1 që i bashkëlidhet ligjit, duke hequr emërtimin dhe nivelet treguese të akcizës për pijet energjike”, thuhet në propozimin e bërë nga deputeti socialist Ervin Bushati dhe që ka kaluar miratimin në Komisionin e Ekonomisë, ku deputetët e Partisë Demokratike refuzuan të merrnin pjesë.
Akciza tek pijet energjike duket të jetë taksa që i ka rezistuar më pak presionit të lobeve, duke qenë se qëndroi në fuqi vetëm për pak vite. Qeveria e majtë e vendosi këtë taksë në vitin 2014, duke taksuar çdo litër pije energjike 50 lekë dhe më pas u ul në 30 lekë.
Nenet që shfuqizohen
Neni 77/1
Përkufizime
Në kuptim të këtij ligji, me termin “pije energjike” do të kuptohet:
Pijet që klasifikohen në Kodin e Nomenklaturës së Kombinuar të Mallrave 2202 10 00, të cilat evidentohen me kod shtesë të specifikuar për këtë lloj produkti dhe që kanë në përmbajtje të tyre të paktën një nga përbërësit: sasi kafeine të barabartë ose më shumë se 0,02 për qind të volumit, taurinë, përbërës të guaranës, si teofilinë dhe teobrominë, përbërës të ginsenk, si Rb1, Rb2, Rg1, Rd, Rc dhe Re, inositol, maltodekxtrin, karnitinë, kreatinë, glukuronolakton.
Neni 77/2
Detyrimet
Akciza për pijet energjike paguhet duke pasur si njësi matëse 1 litër.
Depozituesi i miratuar, pritësi dhe dërguesi i regjistruar janë të detyruar të mbajnë regjistrime për sasitë e “pijeve energjike”, të blerë, shitur, prodhuar, përpunuar, magazinuar, eksportuar, të shprehura në litra dhe sipas llojeve.
Regjistrimet duhet t’u korrespondojnë të dhënave të deklaratave të importit dhe eksportit, dokumenteve që shoqërojnë lëvizjen, si dhe dokumentacionit tjetër tregtar

Artikulli paraprakKosovë, Vetëvendosje fiton zgjedhjet në Prishtinë e Prizren
Artikulli tjetërOECD: Të rinjtë shqiptarë performojnë dobët në shkenca