Timonieri fluturak

Sokol GJONI

Pasi ia arriti të merrte i vetëm “timonin” qeverisës, përmes mekanizmave kriminalë të shitblerjes së votës dhe të deformimit masiv të vullnetit të zgjedhësve shqiptarë, kryeministri Rama në sintoni të plotë me degradencën e tij karakteriale, ka organizuar të ashtuquajturat “dëgjesa publike” si formën më të shëmtuar të cinizmit dhe butaforisë që ofron qeverisja e tij. Kjo platformë e komunikimit me qytetarët, përveçse produkt dhe stil i një deliranti që me populizma kërkon të ushqejë qytetarin e varfëruar skajshëm, është dhe këmbanë alarmi për premisat autoritariste që përpiqet t’i japë modelit qeverisës. Artifici i “dëgjesave”, në thelb është përpjekja për të fshehur krimin e shitblerjes së votave që përpiu standardin e zgjedhjeve, si dhe një lloj makijazhi që i bëhet fitores së 25 qershorit, e cila e damkos botërisht Ramën dhe shpurën e tij si zullumqarët e procesit zgjedhor. Paçavuret që publikohen si “raporte dhe konkluzione të nevojave të qytetarëve të dala nga dëgjesat me publikun…”, janë akoma më shumë një tregues i krimit zgjedhor të kryer, çka nënkupton fushatën e kryeministrit, i cili nuk i adresohej qytetarëve me bilance qeverisëse, apo me nevojat e investimeve, por insistonte në marrjen i vetëm të “timonit”, duke orientuar falangat e tij në shërbim të qëllimit. Kryeministri e ka kuptuar tashmë, se fitorja e tij me rezultat të paparashikueshëm, e ka dëmtuar në arenën botërore, duke zbehur ndjeshëm raportin e uij me kancelaritë e vendeve demokratike, të cilat gjithnjë kanë nënvizuar standardin zgjedhor si premisën e patjetërsueshme të çeljes së negociatave për në BE. Këtë definicion që sanksionohej në çdo tryezë, në takime bilaterale apo multilaterale, me qasje integruese për vendin, Rama e sfumoi në funksion të pushtetit të tij, duke rënduar pozitat e Shqipërisë në raport me kohën e çeljes së negociatave. Fitorja e zgjedhjeve të 25 qershorit, në kushtet e manipulimit dhe deformimit substancial të vullnetit të qytetarëve, nuk e vë aspak në pozita të rehatshme kryeministrin, i cili, tashmë duhet të rropatet qytet më qytet për t’u mbushur mendjen qytetarëve se kanë bërë zgjedhjen e duhur. I sforcuar dhe i kondicionuar nga delegjimiteti i garës së ndershme, Rama në turravrapin e tij prej kllouni, përmes “dëgjesave” me anëtarë dhe simpatizantë të PS-së, (të cilat për kozmetikë mediatike i emërton si publike), po jep një shfaqje kllouniade të mbështetur në filozofinë: “Çdo partia-e thotë populli, çdo populli-e bën partia”. Kësaj fraze reminishente, padyshim shqiptarët ia njohin konotacionet dhe nuk kanë pranuar të bëhen spektatorë të butaforisë së palaçomanëve, por në shpërfilljen e tyre lexohet pendesa e votës së dhënë në kushtet e joshjes financiare. Rama, i cili udhëhoqi operacionin e shitblerjes së votës dhe, që me bekimin e tij u përdorën paratë e pista të kanabisit që e shndërroi Shqipërinë në prodhuesin kryesor të Evropës, ka tashmë mbi supe peshën dhe përgjegjësinë e zhbërjes së proceseve integruese të vendit, si dhe të zbehjes së ndjeshme të rolit të Shqipërisë në organizmat ndërkombëtare dhe në paktet strategjike. Të mendosh se kryeministri i vendit, me fluturime orgazmike, me retorika patetike, me klishe pa sens e logjikë qeverisëse, me cirkuistikë takimesh e përrallisjesh mund të fshehë krimin e blerjes së votave, është më shumë se një naivitet sehirxhinjsh, por provokim i paqëmtuar ndaj inteligjencës dhe integritetit të qytetarëve shqiptarë.
Kryeministri i vendit duhet ta lexojë me përgjegjshmëri të lartë rrënimin që i bëri standardit të zgjedhjeve, duke ofruar në bashkëpunim me opozitën garancitë e duhura kushtetuese për moscënimin e institucioneve demokratike të vendit, si dhe të konsolidojë mjetet e dialogut politik si premisat e duhura për kapërcimin e kësaj fshikullime që do të marrë nga institucionet ndërkombëtare që monitoruan dhe asistuan në zgjedhjet e 25 qershorit.

Artikulli paraprakIrritohet Zidane
Artikulli tjetërBerati, 2 dekadat problematike të drejtimit të qytetit nga e majta!