Tillerson: SHBA mund të qëndrojë në Marrëveshjen për Klimën

Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson tha të dielën se Shtetet e Bashkuara mund të mos tërhiqen nga Marrëveshja për Klimën e Parisit, nëse ajo rishqyrtohet sipas kushteve të duhura.
Ai tha në një intervistë për televizionin “CBS news” se Presidenti Trump “është i hapur për gjetjen e kushteve, përmes të cilave ne të mund të vazhdojmë të jemi të angazhuar me të tjerët për çështjet për të cilat jemi dakord dhe që vazhdojnë të përbëjnë një sfidë”.
Zoti Tillerson tha se, “Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me partnerët për marrëveshjen e klimës, nëse përcaktojmë një numër kushtesh që ne besojmë se janë të drejta dhe të balancuara për popullin amerikan, të cilat t’i përshtaten ekonomisë dhe interesave tona ekonomike”, tha ai.
Por ai shtoi se problem mbetet tek përkushtimi i ndryshëm për këtë çështje i SHBA dhe Kinës.
Të dielën më parë, Shtëpia e Bardhë tha se Presidenti Donald Trump nuk ka ndërruar mendje për çështjen e tërheqjes nga Marrëveshja e Parisit për Ndryshimet Klimatike, vetëm me kushtin që ajo të ndryshohet, sipas kushteve të paraqitura nga Shtetet e Bashkuara.
Sekretarja e Shtypit në Shtëpinë e Bardhë, Sarah Huckabee Sanders tha përmes një twiti, se “pozicioni ynë për Marrëveshjen e Parisit nuk ka ndryshuar”, nëse nuk negociohen kushtet amerikane.
Presidenti Trump u ndesh me kritika ndërkombëtare kur deklaroi tërheqjen e SHBA nga Marrëveshja e Parisit dhe rinegocimin e saj.
Marrëveshja e arritur me negocimin e OKB-së u nënshkrua nga të gjitha vendet anëtare në organizatë, me përjashtim të Sirisë dhe Nikaraguës. Ka shqetësime që tërheqja amerikane nga marrëveshja që kërkon pakësimin e çlirimit në atmosferë të dioksidit të karbonit, do të pasohej nga largimi i vendeve të tjera nga kjo marrëveshje.

Artikulli paraprakBilanc tragjik, 30 fëmijë të vdekur nga aksidentet në 1 vit e 8 muaj
Artikulli tjetërKosovë, kushtet e opozitës për marrëveshje me Serbinë