Tillerson mbron punën e Departamentit të Shtetit

Sekretari i Shtetit, Rex Tillerson hodhi poshtë kritikat se vendimi i tij për të “riorganizuar” Departamentin e Shtetit, të përbërë nga 70 mijë anëtarë, ka shkaktuar demoralizim të personelit që nga fillimi i administratës së Presidentit Trump.
Gjatë një takimi të hënën me ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, Tillerson u tha gazetarëve se: “Ky departament po e bën punën jashtëzakonisht mirë dhe unë nuk jam dakord me ata që e karakterizojnë këtë ndryshe. Nuk është e vërtetë”.
Por, gjatë konferencës së shtypit me gazetarët të premten, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Heather Nauert u përball me shumë pyetje rreth kritikave të shumta mbi menaxhimin e Departamentit nga Sekretari Tillerson.
“Për këtë arsye, unë ju them të keni durim. Ne kemi shumë punë për të bërë. Ju lutem mos u dorëzoni. Mos humbni shpresë tek kjo ndërtesë. Mos hiqni dorë nga ajo që po bën Amerika. Mos humbni shpresë mbi rëndësinë e kësaj pune dhe karriere”.
Zëdhënësja Nauert tha se, riorganizimi është një punë e vazhdueshme dhe një gjë që mund t’i bëjë njerëzit të ndjehen më mirë është se idetë për reforma po vijnë nga zyrtarë karriere me përvojë shumëvjeçare. “Idetë nuk po vijnë nga një i emëruar politik i ri, si unë”. Ajo gjithashtu theksoi se, në përgjithësi numri i anëtarëve të personelit nën administratën e Presidentit Trump nuk dallon aq shumë nga numri nën Presidentin Obama.
Komentet pasojnë kritikat nga ligjvënësit më të lartë amerikanë ndaj Sekretarit Tillerson. Senatori republikan John McCain dhe senatorja demokrate, Jeanne Shaheen i kanë shkruajtur Sekretarit Tillerson, duke i thënë atij se vendimet e fundit të drejtuesve në Departamentin e Shtetit kërcënojnë të “minojnë mirëqenien afatgjatë dhe efektshmërinë e diplomacisë amerikane”. Dy senatorët i kërkuan Sekretarit Tillerson që t’i japë fund pezullimit të punësimeve të reja.
Në një seancë të fundit të Senatit për konfirmimin e kandidatëve për poste në Departamentin e Shtetit, kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Bob Corker, i cili zakonisht është një aleat i Sekretarit Tillerson, tha se: “Departamenti i Shtetit, siç e dini, nuk funksionon aq mirë. Nuk ka personel të mjaftueshëm”.
Anëtari demokrat i këtij komisioni, senatori Ben Cardin, shkoi edhe më tej. “Në qoftë se ky lloj i eliminimit të udhëheqjes së nivelit të lartë do të ndodhte në Departamentin e Mbrojtjes, unë mund t’ju garantoj se Kongresi do të ishte i alarmuar”.
Sekretari Tillerson është kritikuar për mbështetjen e shkurtimeve të mëdha të propozuara nga Presidenti Donald Trump. Kongresi i reduktoi në tetë për qind shkurtimet në personelin e përgjithshëm në mbarë botën. Por shumë ish-ambasadorë dhe analistë thonë se një numër postesh për ambasador kanë mbetur bosh, si dhe disa pozita të rëndësishme të Ndihmës Sekretarëve në Departamentin e Shtetit në Uashington.
Javën e kaluar, ambasadorja Barbara Stephenson, kryetare e Shoqatës së Shërbimit Diplomatik Amerikan, shkroi në një artikull të botuar në një gazetë se administrata Trump po i shkakton dëme afatgjata diplomacisë së Shteteve të Bashkuara, duke mos vlerësuar diplomatët e karrierës në stafin e këtij institucioni. “Talentit që po i tregohet dera tani nuk përfaqëson vetëm njerëzit më të përgatitur, por edhe një grup njerëzish që nuk mund të zëvendësohet me njerëz të tjerë brenda natës”.

Artikulli paraprakRusia aprovon ligjin për regjistrimin e mediave si “agjentë të jashtëm”
Artikulli tjetërGjermani, skenare të formimit të një qeverie