Thyhemi në 8 minuta

Përballë një kundërshtari si Spanja çdo futbollist e ka të vështirë të tregojë vlerat e veta më të mira. Kombëtarja shqiptare u mbyll në gjysmëfushën e vet në disfatën 2-0, ku ranë në sy për mirë Berat Gjimshiti dhe Etrit Berisha. Mbrojtësi bëri një paraqitje mbresëlënëse kurse portieri, megjithë gabimin në golin e parë, shmangu humbjen me goleadë ndaj spanjollëve.
Gjimshti ishte pa dyshim më i miri i ndeshjes. Asnjë gabim, saktësi në veprime dhe qetësi e admirueshme. Lexoi si duhet çdo aksion të kundërshtarëve duke zhvilluar një ndeshje monumentale. Premtues.
Shqipëria nuk mundi të bënte asgjë përballë spanjollëve që vodhën topin përgjatë gjithë ndeshjes falë qarkullimit në kufijtë e perfeksionit dhe arritën të shënonin në pjesën e dytë, me një gabim të Etrit Berishës që i hapi rrugën fitores së miqve. Sugjestionues emrat e Spanjës me Lopeteguin që hidhte Vitolon, Alcantarën dhe David Silvën në mbështetje të Diego Kostës, konfirmonte formacionin e paralajmëruar në “Sport News”. De Biasi me plot 5 ndryshime në krahasim me Lihtenshtejnin, Agolli në krah në vend të Alijit, mesfusha reparti më i transformuar me Lilën e Xhakën para mbrojtjes për një digë muskuloze me Memushajn pak më para, ndërsa Lenjani rikthehej në të majtë në vend të Lullakut. E jashtëzakonshme atmosfera në “Loro Boriçi”, kulmi si gjithmonë në momentin e këndimit të himnit.
Siç pritej Shqipëria nisi të luajë me kujdesin maksimal, aktiv që në fillim De Biasi i vetëdijshëm se çdo gabim ndaj Spanjës paguhet. Shkëndija mes Andi Lilës dhe Pique që në nisje, me mbrojtësin e Barcelonës që merr topin me faull ndaj Agollit në zonën e Berishës në minutën e 6 duke u paralajmëruar nga arbitri. Pas 10 minutave lojë Shqipëria shikon veten në superioritet numerik në kundërsulm, Lenjani kroson nga e majta, por nuk ka goditje në portën e De Gea-s. Në të 12, Spanja shumë pranë golit me Koke që del para porte, por Berisha bën mrekullinë. Akoma më fantastik portieri i kuqezinjve në të 18 me një hedhje në ekstrem në goditjen e Vitolos. Spanja me zotërimin e topit stacionohet në gjysmëfushën tonë, por deri në ¾, pasi e ka të vështirë të çajë, padyshim i shqetësuar në stol Gianni de Biasi, mjaft ta shohësh se si i drejtohet Hysajt.
Në minutën e 35 vjen goditja e parë drejt portës së De Geas, nga e majtë në të djathtë me Lenjanin për Roshin që godet fluturimthi me topin që del për pak jashtë portës. Në të 38 Vitolo arrin të depërtojë në zonë me Berishën që i pozicionuar mirë neutralizon rrezikun. Bëhen dramatike minutat e fundit të pjesës së parë. Goli vjen nga një gafë e Berishës në minutën e 54, kthim i gabuar i topit që kthehet në asist për Vitolon, David Silva del i vetëm para portës dhe me zgjuarsi pason në të majtë te Diego Kosta që e ka të lehtë të shënojë me portën bosh. Në të 63 Nolito i futur në lojë vetëm prej tre minutash, djeg Hysajn në të djathtë, depërton në zonë për të çuar topin aty ku nuk shkon dot Berisha.
Sigurisht që në Spanjë i kanë kushtuar suksesit të iberikëve një hapësirë të madhe, duke veçuar paraqitjen e skuadrës së Lopeteguit. “AS” shkruan se fakti që fusha ishte e rrëshkitshme, e ndihmoi Spanjën të luante më rrjedhshëm, duke dominuar gjatë këtij 90-minutëshi me 70% të kontrollit të topit. “Ishte një fitore që erdhi pas shumë vështirësive, por në fund të 90-minutëshit triumfoi skuadra më e mirë. Një fitore që do të ishte fantastike nëse Italia nuk do të kishte bërë të njëjtën gjë në Maqedoni”, thekson e përditshmja madrilene.

Artikulli paraprakLenjani operohet: Kthehem më i fortë
Artikulli tjetërKaçe del kundër trajnerit De Biasi