Theresa May akuzon Rusinë për helmimin e ish-spiunit Skripal

Kryeministrja britanike Theresa May tha se, qeveria ka dalë në përfundimin se ka shumë gjasa që Rusia të jetë përgjegjëse për sulmin që ndodhi gjatë këtij muaji ndaj ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij Julia. Duke folur të hënën përpara Dhomës së Komuneve, kryeministrja tha gjithashtu se, agjenti nervor që ishte përdorur për sulmin ishte një substancë ushtarake që prodhohet nga Rusia. Ajo i bëri komentet, pasi kryesoi një takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se, Britania duhet të sqarojë qëndrimin e saj lidhur me helmimin para se Rusia të prononcohet mbi këtë çështje.
Kremlini ka hedhur poshtë akuzat se ka qenë pas helmimit dhe fillimisht tha se nuk ka interes të përfshihet në hetime, pasi Skripali ishte agjent i dyfishtë që pat punuar edhe për britanikët dhe se incidenti ndodhi në tokë britanike. Zyrtarët britanikë të shëndetësisë thanë të dielën se, gjurmët e agjentit nervor të përdorur në tentativën për vrasje në Salisbury u gjetën në një klub ku kishin qenë viktimat, por se rreziku për publikun nuk është serioz. Zyrtarët e shëndetësisë thanë se, personat që kanë qenë në klubin Mill dhe restorantin Zizzi në Salisbury, në jugperëndim të Anglisë më 4 dhe 5 mars, duhet të marrin “masa paraprake, si psh të lajnë rrobat”. “Ndërsa nuk ekziston rrezik i menjëhershëm për shëndetin e atyre që mund të ketë qenë në këto dy lokale, përsëri ka rrezik që substanca e përdorur mund të ketë patur kontakt me rrobat, ose sendet e njerëzve përreth, duke infektuar lëkurën.

Me kalimin e kohës, kontaktet e vazhdueshme me objektet e infektuara mund të përbëjnë rrezik të vogël për shëndetin”, thuhet në deklaratën e publikuar nga Zyra e Shëndetit Publik të Anglisë. Zyrtarë të spitalit në Salisbury thanë se, nuk ka fakte për një sulm me përmasa të mëdha në qytet, përveç njerëzve që ndodhen në spital që pas sulmit ndaj Skripalit dhe vajzës së tij. Sekretari britanik i Mbrojtjes, Gavin Williamson, tha se Kremlini po sillet ashpër ndaj Britanisë për këtë çështje. Zyrtarët rusë mohojnë që Kremlini të ketë patur të bënte me tentativën për vrasje. Skripal ka punuar për agjencinë ushtarake ruse të zbulimit, GRU, dhe ai ishte në mesin e disa spiunëve të shkëmbyer në vitin 2010 në pistën e fluturimit të aeroportit të Vienës. Pasi qëndroi për katër vjet në burg në Rusi, i akuzuar si spiun të favor të shërbimit britanik MI6, Skripali ishte njëri prej katër agjentëve të dyfishtë rusë, që u shkëmbyen për 10 rusë të dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.

Lavrov mohon gjithçka
Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, mohoi se Moska qëndron prapa helmimit të ish-agjentit rus, Sergei Skripal, dhe të vajzës së tij në Britani dhe refuzoi kërkesën e Londrës për shpjegim në lidhje me incidentin. “Rusia nuk është fajtore”, tha Lavrov në një konferencë për media në Moskë. Autoritetet britanike thonë se sulmi kundër Skripalit ka qenë i qëllimshëm dhe se për kryerjen e tij është përdorur një agjent nervor shumë toksik, i cili është zhvilluar në Rusi. Lavrov e bëri të qartë se Moska nuk do të plotësojë kërkesën e Britanisë për shpjegime deri në fund të ditës. Duke folur një ditë, pasi kryeministrja britanike, Theresa May, tha se ka “shumë gjasa” që Rusia të qëndrojë prapa helmimit, shefi i mbikëqyrësit të armëve kimike globale tha se është “jashtëzakonisht shqetësuese që agjentët kimikë ende përdoren për të dëmtuar njerëzit”. “Ata që gjenden përgjegjës për këtë përdorim, duhet të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre”, tha drejtori i përgjithshëm i Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, Ahmet Uzumcu. Sergei dhe Yulia Skripal janë gjetur pa vetëdije jashtë një qendre tregtare në qytetin Sallsbëri të Britanisë, më 4 mars. Ata janë dërguar në spital, ku vazhdojnë të mbeten në gjendje kritike. Polici që i është përgjigjur i pari incidentit është po ashtu në gjendje të rëndë.

Artikulli paraprakUshtria siriane përparon në luftimet në Gutën Lindore
Artikulli tjetërSa para do të paguajmë për pronat nga prilli 2018?