Thaçi: Marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë të tensionuara, por dialogu s’ka alternativë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në një intervistë për “Telegrafin” disa orë para nisjes së takimit Kosovë-Serbi, tha se është e vërtetë që marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara, por se, sipas tij, dialogu nuk ka alternativë. Presidenti Thaçi tha se temë e bisedimeve do të jenë paqja, stabiliteti dhe bashkëpunimi.  Thaçi në këtë intervistë për “Telegrafin” ka folur edhe për fletarrestet e Serbisë, murin në veri etj.

– Sonte pritet të zhvillohet takimi i radhës në nivel presidentësh, çfarë prisni nga ky takim kur dihen raportet e fundit Kosovë-Serbi?
Është me rëndësi që liderët e shtetit të Kosovës dhe të Serbisë po takohemi dhe po bisedojmë. Është e vërtetë që tensionet në mes dy vendeve janë ngritur në kohët e fundit, prandaj edhe është e rëndësishme që të ulen tensionet, të vazhdohet me punën e bërë deri tani për normalizim të marrëdhënieve, për ndërtim të bashkëpunimit të mirë ndërfqinjësor, sepse dialogu nuk ka alternativë.

– Cilat do të jenë temat e bisedimeve në këtë takim?
Si gjithmonë, temë e bisedimeve janë temat më prioritare për Kosovën, për qytetarët e Kosovës. Paqja, stabiliteti, bashkëpunimi janë gjithmonë temat e diskutimit.

– A do ta ngrini çështjen e fletarresteve, respektivisht arrestimin e Haradinajt në Francë, provokimet e Serbisë, çështjen e murit etj.?
Ne do të hapim çdo temë me rëndësi për qytetarët tanë, por çështja e murit është çështje e brendshme e jona. Këto tema me rëndësi për qytetarët tanë i hapim edhe në bisedimet me Serbinë, por edhe në takimet me protagonistët ndërkombëtarë, roli i të cilëve është thelbësor për të siguruar përkrahje, por edhe presion për të implementuar marrëveshjet që arrihen. Do të hapim edhe temën e të pagjeturve dhe çështje të tjera që kanë mbetur peng i politikës së shekullit të kaluar. Dialogu është për të ardhme më të mirë për qytetarët e Kosovës, por edhe të rajonit. Për t’u siguruar që do të jetojnë në paqe e prosperitet gjeneratat e tashme dhe ato të ardhshme.

– Meqenëse po bisedohet në nivel presidentësh a do të thotë se bisedimet janë në përfundim e sipër?
Bisedime do të ketë edhe në të ardhmen. E rëndësishme është që të ketë edhe implementim të marrëveshjeve të arritura. Edhe për këtë do të diskutohet.

– Tashmë kaloi afati ku me rezolutë ishte caktuar 31 janari si data e fundit për rrëzimin e murit në veri, si duhet të veprohet më tutje?
Institucionet e Kosovës e kanë bërë të qartë që ka kaluar koha e ndarjeve dhe mureve. Tash është koha e urave, e komunikimit, e bashkëpunimit, në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Artikulli paraprakOpozita në Kosovë kërkon zgjedhje të reja
Artikulli tjetërBllokimi i linjës energjetike Kosovë-Shqipëri, çështja do të diskutohet në Bruksel