Tevez vendos Superklasiken

2 gola për t’u shndërruar në heroin e Boca Juniors. Ishte Carlos Tevez njeriu që vendosi fatet e superklasikes së futbollit argjentinas. Falë Apashit, Boca Juniors kaloi në ekstazë pasi mposhti 4-2 me përmbysje brenda në El Monumental, rivalët e urryer të River Plate. Tevez realizoi dy gola fantastikë duke udhëhequr skuadrën e drejtuar nga trajneri Barros Schelotto drejt një fitoreje shumë të rëndësishme në atë që konsiderohet sfida e ndjerë dhe më e rivalizuar e futbollit argjentinas dhe atij amerikanojugor.
Në ndeshjen e vlefshme për javën e 13-të të kampionatit Boca arriti të realizonte 4 herë në portën e River-it duke u ngjitur në krye të kampionatit në kuotën e 28 pikëve. Ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh, në minutën e 14 me Bou që i asistuar nga Tevez nuk fali. Megjithatë Los Millinarios nuk u dorëzuan duke kthyer gjithçka në favor të tyre në pjesën e parë. Në të 34-tën Druissi barazoi shifrat, ndërsa 6 minuta më pas, Lucas Alario u dha epërsinë të zotëve të shtëpisë. Vetëm kaq për River-in sepse në pjesën e dytë Carlos Tevez ishte thjesht i papërmbajtshëm. Apashi barazoi rezultatin në minutën e 62-të, ndërsa në të 81-tën realizoi një gol gjenial, për avantazhin e Bocës. Në fund kishte vend edhe për finalizimin e Centurion që i çoi shifrat në 2-4. Me këtë humbje River Plate mbeti në kuotën e 19 pikëve.

Artikulli paraprakAmbasadori italian: Ndryshojnë rregullat për call center-at
Artikulli tjetërDënim absurd për Chapecoensen