Ambasadori italian: Ndryshojnë rregullat për call center-at

Kompanitë call center që operojnë në Shqipëri nuk rrezikojnë të mbyllen, por do të funksionojnë me rregulla të reja. Kështu deklaroi ambasadori italian në Tiranë, Alberto Cutillo nga Shkodra, ku ndodhej për një aktivitet të përbashkët me ministren e Zhvillimit të Ekonomisë, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Milva Ekonomi.
Sipas ambasadorit, me ndryshimet në ligjin e miratuar javën e kaluar nga Senati italian, një qendër thirrjeje e njohur si “call center”, mund të trajtojë telefonata për jashtë, për brenda ose mund të jetë një kombinim i të dyjave. Në rastin e Shqipërisë, kompanitë “call center” funksionojnë kryesisht “outband”.
Ndërsa ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi tha se 95% e kompanive të call center në Shqipëri nuk preken nga ligji i miratuar në Itali. “Edhe ai 5 për qindësh që preket ka kohë mjaftueshëm për t’u ristrukturuar dhe për të mos u mbyllur edhe pas nisjes së zbatimit të ligjit”.
Nga ana tjetër, ministrja Ekonomi deklaroi se janë duke negociuar me Italinë në mënyrë që Shqipëria të përjashtohet nga efektet e këtij ligji. Nga prilli i vitit 2017, italianët do të jenë ata që do të vendosin nëse do të duan të komunikojnë me italianë apo me një operator që flet nga jashtë.
Ndryshimet ligjore që u miratuan zyrtarisht në datë 7 dhjetor, i detyrojnë kompanitë që të bëjnë të ditur më parë vendin se nga bëhet telefonata dhe të vënë në dispozicion një operator nga Italia (ose nga një vend i BE-së) nëse do të kërkohet.
Këto ndryshime do të hyjnë në fuqi 90 ditë pas botimit në Fletoren Zyrtare. Ministria e Zhvillimit të Ekonomisë ka sqaruar se sektori i call center shfrytëzon koston e lirë të punës dhe kjo ka bërë që delokalizimi i tyre të jetë një fenomen i përhapur gjerësisht. Si në rastin e Shqipërisë.
E në rast se kompanitë nuk do të arrijnë që t’i përshtaten ndryshimeve të reja ligjore ato do të gjobiten me 50,000 euro në ditë.
Sqarohet se nga ana e shërbimit që përftohet nuk do të ndryshojë asgjë duke qenë se shqiptarët flasin një italishte tepër të saktë. Ajo që do të ndryshojë ka të bëjë me kompanitë që e ofrojnë këtë shërbim në Itali. Jo rastësisht këto amendime njihen ndryshe si “Ligji Almaviva”, si një nga kompanitë që ka lobuar më fort, e cila parashikon mbylljen e rreth 2,500 vendeve të punës në Romë e Napoli, për shkak të humbjeve.
Ligji i ri parashikon edhe shmangien e telefonatave “shqetësuese” ose atyre që njihen si “telemarketingu i egër”.
Në Itali numërohen 1.515.000 numra që janë në dispozicion për këtë shërbim që përfaqësojnë një të dhjetën e 13 milionë përdoruesve të telefonatave fikse.

Artikulli paraprakVendim për djegien e plehrave në Tiranë, pasojat katastrofike
Artikulli tjetërTevez vendos Superklasiken