Tërmeti, apartamentet e pashituara do ti blejë qeveria, çmimin e vendos shefi në pazar me ndërtuesit

Kryeministri Edi Rama ka pohuar sot se po përgatitet thirrja për blerjen e apartamenteve stok, me qëllim strehimin e të dëmtuarve nga tërmeti.

Kjo ka qenë një kërkesë e Shoqatës së Ndërtuesve, të cilët kanë pohuar se janë rreth 5 mijë apartamente stok në vend, kryesisht në periferi të Tiranës. Ndërsa në Durrës ka më pak, sipas Rames.

“Është e rëndësishme të bëjmë një thirrje për të gjithë ata që kanë stok. Por shitësit duhet të dinë se nuk është rasti të shitet me çmim të lartë pasi nuk është rasti të blejmë për të fituar. Në momentin që flasim kemi 103 grupe inspektimi në terren dhe një numër të konsiderueshëm të ekspertëve të huaj. Janë shembur 33 objekte dhe 5 janë në proces.

105 objekte janë të futura në zonën e rrezikut. Këtu duhen angazhuar forca policie për të prishur këto banesa pasi nuk mund ta zgjasim këtë histori. Durrësi është pak më problem mesa kuptoj për shkak te mungesës së apartamenteve.

Po përgatitet edhe thirrja për blerjen e apartamenteve, çështje e pak ditëve. Është e rëndësishme të informohet publiku që do të bëjmë një thirrje për ata që kanë apartamente stok, por me një çmim të ulët.

Të gjithë ata që disponojnë stok duhet ta dinë që nuk është rasti për pazar dhe nëse do marrim çmimin në tavan të ulët që do të përcaktojmë sipas analizave të tregut do të procedojnë, përndryshe nuk do të procedojmë. Nuk është rasti për të blerë apartamente në funksion të fitimit të firmave”, -tha Rama.

Arben Dervishi, sekretar I Shoqatës së Bankave ka pohuar se ata janë të gatshëm të negociojnë për të shitur me kosto. Ai tha se kosto luhatet mes 400-500 euro për metër katror, pasi duhet llogaritur dhe vlera e tokës dhe pronarëve. Ai tha se shteti mund të ketë lehtësi pasi mund të bëjë pagesë me këste.

Artikulli paraprakPas paralajmërimit të PD, anullohet koncesioni 296 milionë euro Milot-Balldre, qeveria në krizë
Artikulli tjetër35 familje mes baltës në kampin e Manzës, nëna e foshnjës 2-muajshe: Kam 12 ditë pa e larë fëmijën