Tërhiqen 300 milionë euro nga bankat në 10 muaj

Pas një rritjeje të fortë në gusht, që vijoi me ritme më të ngadalësuara edhe në shtator, depozitat në banka kanë shënuar një rënie të fortë në muajin tetor. Sipas statistikave mujore të Bankës së Shqipërisë, kursimet e individëve, bizneseve e institucioneve arritën në 992.2 miliardë lekë, duke rënë me 2.6 miliardë lekë apo 0.3% në raport me muajin e mëparshëm.
Kjo tkurrje ka ardhur tërësisht si rrjedhojë e rënies së kursimeve në lekë, ku individët kanë vijuar të zbrazin depozitat me afat në monedhën vendase, si rrjedhojë e interesave të pafavorshme që ofrohen nga bankat. Për kursimet njëvjeçare norma e kthimit është më e ulët se 1% dhe teksa inflacioni i ka kaluar 2%, përfitimi real është negativ.
Në tetor, depozitat me afat në lekë të individëve u ulën me 5.8 miliardë lekë apo rreth 40 milionë euro. Në një vit (tetor 2016/tetor 2015), depozitat me afat në lekë kanë rënë me 40 miliardë lekë apo rreth 300 milionë euro, duke u tkurrur me 12%, ku kryesisht kanë rënë kursimet me afat maturimi 1-vjeçar. Këto para kanë shkuar drejt maturiteteve më të gjata, drejt blerjes së letrave me vlerë të qeverisë apo ka dhe individë që janë tunduar në investime më të rrezikshme, si ajo në platformat online apo forex.
Depozitat me afat në lekë të individëve përbëjnë rreth 30% të totalit të kursimeve në vend.
Ndryshe nga leku, tendenca e kursimeve në valutë ka qenë në rritje, duke u zgjeruar me gati 7% në tetor me bazë vjetore, për të arritur në 516 miliardë lekë. Kjo ecje me kahe të kundërta ka bërë që pesha e kursimeve në valutë të rritet në 52% të totalit në fund të tetorit 2016, nga 49.7% që ishte në tetor 2015.
Rritja e kënaqshme e kursimeve në valutë kanë bërë që dhe qeveria të ndryshojë strategji dhe të shesë letra me vlerë në euro, në përpjekje për të shfrytëzuar nivelin e lartë të parave në monedhën e përbashkët që po qarkullon në ekonominë shqiptare. Edhe vetë Banka e Shqipërisë ka pranuar se ka euro me tepricë në treg, ndërsa euro është zhvlerësuar ndjeshëm duke u këmbyer aktualisht me rreth 136 lekë nga 140 lekë në fillim të vitit.

“Monitor”

Artikulli paraprak“Corriere della Sera”: Droga e Shqipërisë ka pushtuar Romën
Artikulli tjetërBBC: Shqipëria, kryeqyteti europian i drogës