Tender për drekë, apo drekë për tender…

Nga Çlirim GJATA

Rastësisht lexova sot në një portal, që një bashki i ka akorduar titullin qytetar nderi një mjeku infeksionist shumë aktiv këto ditët e virusit. Deri ktu nuk kishte asgjë për të bërë përshtypje, përkundrazi mbështes nderimin për mjekët, që mbajtën barrën e pandemisë.

Ajo që binte në sy më pas ishte tenderi, që kjo bashki kishte hapur për drekën, që do shtrohej me rastin e ceremonisë së vlersimit(lapsi.al). Sinqerisht kjo i kalon kufijtë e komicitetit. Megjithse mund të jetë një nga bashkitë më të varfra në fonde, kaq problem qënka një drekë sa të hapet tender. Jam kurioz të di se, kush janë zërat teknik të tenderit, të cilat varen me çfarë asortimentesh do jetë dreka; a do ketë mish derri; nëse dikush mund të jetë alergjik nga një lloj ushqimi; cilësia dhe niveli i alkolit; a ka fruta, po hallvë?? etj.,etj. Sa telashe paska tenderi?!

Nuk bëhet fjalë këtu për drekën në vetvete, por me mënyrën hipokrite, se si sillemi me paranë publike. Normale që, kur shikon koncensionet qindramilioneuroshe, PPP, tender100 mijë euro për rregullim zyre ministreshash e pafundësi abuzimesh me paratë publike, i shkon mendja çdo pushtetari, sado i vogël dhe i parëndësishëm qoftë në ngrehinën shtetrore, pse mos ta ngjyej pak gishtin edhe unë.

Sidomos kur pushteti është në ditët e fundit dhe vepron parimi i pasigurisë financiare dhe penale.

KLSH deklaroi një miliardë dollarë abuzime nga administrata për vitin 2019. E thoni pastaj se ai dreq Kryetari i KLSH nuk e meriton të ikë prej aty?!

Një tjetër tender i çuditshëm, për të cilin fliste një tjetër portal(JOQ Albania May 5 at 1:05 AM), ishte ai i mishit të viçit për të burgosurit. Drejtoria e Burgjeve kishte hapur tender me jo pak, por prej 540 milionë lekësh të vjetra(450mijë euro) blerje mish viçi për të burgosurit në Shqipëri. Ore, po u “jetoka” atje në burgje-tha dikush.

Ne këtu jashtë edhe pak dhe ka rrezik të përfundojmë te talloni. Po qenka mirë të hyjmë në burg. Unë mendoj se nuk është mirë, në fakt. Jo për gjë, por do ti prishim punë të burgosurve, pasi do ti ulim nivelin e jetesës si ne këtu jashtë. Ata për të rritur nivelin e jetesës në burgje, po lirojnë edhe të dënuarit me burgim të përjetshëm.

Në fakt të gjithë e dimë se ç`heqin familjarët për të mbajtur me ushqime të afërimit e tyre që po vuajnë dënimin. Dhe këto tendera janë pikë uji në raport me abuzimet e pafundme në burgje në të gjitha drejtimet.

Gjithsesi, këto nuk janë as të parat e as të fundit. Në kulmin e pandemisë ministria e kulturës kishte shpallur tender për qeleshet. Ose ai tenderi i famshëm i letrës higjenike. Pa folur pastaj, sepse e kemi trajtuar një herë, ato njëmilion e gjysëm maskat e skaduara me datë të ndryshuar, për të cilat u tha se nuk bëjnë dëm e kështu pa fund. Në këtë moment duket sikur po tallemi, por në fakt kjo tregon fundin ku kemi arritur.

Le të kthehmi të dreka e tenderit.

Si ja bënin nënat tona, para viti`90(koha e tallonit) kur dikush na vinte për drekë apo darkë? Një gjë ndodhte: Ato kurrë nuk turpëroheshin, sepse kishin shpirtin e madh të mikpritjes. Ndërsa sot, kur shikon se edhe për një drekë shtrohet tender, ndërsa për asnjë tender nuk shtrohet drekë por përqindje, kupton se çfarë vjedhjesh të mëdha ndodhin dhe nuk bëhet fjalë për shpirtmadhësi më, pasi shpirtin e kanë shitur.

Po kaq problem qënka, që këta këshilltarë bashkie ta paguajnë seicili nga të vetat këtë drekë? Më njerzore do të ishte, të trokisnin në derën e një vendaliu dhe ai ti priste me formulën aq të bukur shqiptare “bukë e kripë e zemër”.

Artikulli paraprakCovid-19/ Humb jetën një person tek Infektivi, sot 31 raste të reja
Artikulli tjetërQeveria përgjegjësja e vetme për rritjen e numrit të të prekurve me Covid-19. Ministrja e Shëndetësisë të largohet!