Të zhgënjyer nga humbja!

Pas humbjes në miqësoren me Luksemburgun reagojnë të zhgënjyer disa nga lojtarët e kombëtares shqiptare. “Rastet për ta mbyllur ndeshjen i kishim, por nuk i shfrytëzuam. Kemi bërë gabime, pra nuk luajtëm me cilësi. Në përgjithësi nuk arritëm të jepnim 100% tonë. Bëmë disa ndryshime pasi shënuam golin e parë. Nuk mund të shfajësohemi, sepse edhe më parë kemi patur probleme në lojë. Ndoshta këto janë probleme që i shfaqin ekipet që shkojnë për herë të parë në një event madhor. Nuk është skema, por faji i lojtarëve. Çdo lojtar duhet të pyesë veten nëse ka dhënë maksimumin pas Europianit. Me Izraelin do të jetë krejt ndryshe, për vendin e tretë. Është ndeshje me pikë, nuk krahasohet me këtë. Atje do të jetë fytyra e vërtetë e kombëtares. Diferencën te Shqipëria nuk e ka bërë një lojtar, por i gjithë grupi”, u shpreh Mavraj.
“Nuk e prisnim, mendonim se do të fitonim. Edhe ekipe më të mëdha kanë humbur me Luksemburgun. Lojtarët nuk janë të gjithë dhe mund të jemi pak të lodhur. Në pjesën e parë kishim raste për ta mbyllur ndeshjen 2-0. Në dhomat e zhveshjes tre-katër çuna thanë se nuk ka problem. Nëse fitojmë me Izraelin gjithçka ka ndodhur me Luksemburgun shumëzohet me zero”, tha Roshi.
“Duhet të kthehemi agresivë siç kemi luajtur gjithmonë. Ne jemi skuadër që duhet të vrapojë, ajo na mungon. Kishim mundësi për ta mbyllur ndeshjen, por edhe arbitri na dëmtoi pak. Sfida me Izraelin është më e rëndësishme. Entuziazmi dhe dëshira nuk mungojnë, por thjesht duhet të jemi më agresivë. Trajneri do t’i analizojë dhe do të vendosë për formacionin më të mirë ndaj Izraelit”, tha Hysaj.
“Pjesa e parë shumë e mirë, patëm raste për të shënuar më shumë gola. Unë jam i lumtur me veten se kisha një vit pa luajtur. Pata një rast që ma shërbeu Cikalleshi, nuk arrita të shënoj. Provuam një sistem 3-5-2, pjesa para ishte shumë e mirë, por në pjesën e dytë u lodhëm”, tha Lenjani.

Artikulli paraprakSolidaritet me Britaninë pas sulmeve
Artikulli tjetërBesnik Hasi drejt stolit të Olympiakos