Të shtëna me armë në një lokal në Priskë

Të shtëna me armë janë dëgjuar në një lokal në Priskë, ndërsa pronari i lokalit ka rënë në prangat e policisë me akuzën e moskallëzimit të krimit. Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 4, ndaluan shtetasin, Ardi Ajdini, 21 vjeç, banues në Tiranë.
Gjatë orëve të para të ditës së djeshme, dy efektivët e policisë së Burgut 313, Adrian Gjonaj 42 vjeç dhe Hamza Agaci, 43 vjeç kanë qenë duke pirë në një lokal në Priskë. Pasi i ka zënë pija, ata kanë qëlluar në ajër. Policia ka marrë njoftimin rreth orës 01:20 dhe ka shkuar në vendngjarje. Aty ka gjetur 3 gëzhoja të kalibrit 9 mm, me mbishkrimin “Luger”.
Po pronari i lokalit, 21-vjeçari Ardi Ajdini, fillimisht iu ka thënë policëve se zhurmat e dëgjuara kanë qenë fishekzjarre. Për mos kallëzimin e krimit, ai është ndaluar nga policia. Dy policët e Burgut 313 në momentin e shoqërimit kanë patur edhe armët e shërbimit me vete, pistoleta të tipit “TT”, të cilat janë sekuestruar dhe janë dërguar për ekzaminim në laborator.
Nga këqyrja paraprake gëzhojat që u gjetën dhe u sekuestruan nuk përputhen vizualisht me fishekët që qiten nga  pistoleta e tipit “TT”.  Për mos kallëzim krimi po ndiqet penalisht edhe kamerieri i lokalit, 18-vjeçari Xhesajn Picalli.
Dy efektivët e Policisë së Burgjeve janë shkarkuar nga detyra. Hamza Agaçi dhe Adrian Gjonaj efektivë tek Burgu 313 janë shkarkuar, pasi në orët e para të mëngjesit të djeshëm, duke qenë të pirë në një lokal në Priskë, kanë qëlluar me armën e shërbimit në ajër. Vendimi është marrë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Ndërkohë, ata po ndiqen edhe në gjendje të lirë nga Policia e Shtetit.

Artikulli paraprakMakina që ra në Liqenin e Shkopetit mund të jetë përdorur në krime
Artikulli tjetërINSTAT: Rritje dramatike e aksidenteve, 54 të vdekur në 3 muaj