Do të shemben 153 banesa, Policia terror ndaj protestuesve në Shkozë

Qindra banorë janë ngritur në protestë kundër prishjes së shtëpive në zonën e Shkozës në Tiranë, ndërsa policia ka ushtruar terror ndaj tyre. Protestuesit janë ulur këmbëkryq mesditën e djeshme në rrugë tek “Ura e Shkozës” dhe nuk kanë lejuar qarkullimin e automjeteve për më shumë se dy orë. Në vendngjarje kanë shkuar forca të shumta policore duke ushtruar dhunë e terror ndaj burrave dhe grave që protestonin kundër shembjes së banesave.
“Nuk kemi ku të shkojmë, do të mbajmë të bllokuar urën. Shtëpitë disa janë të ndërtuara që më 1985, disa në proces legalizimi. Banorët u mashtruan me premtime e tani sjellin 100 policë për të na flakur në rrugë”, janë shprehur ata të revoltuar.
“Nëse mua shteti më jep hyrje unë nuk jam kundër urbanizimit të Tiranës, por jo duke më hedhur mua në rrugë”, thotë një nga protestueset me lotë në sy.
Një banor i moshuar u shpreh se, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe deputeti i PS, Saimir Tahiri i kanë mashtruar. Banorët thanë se kryebashkiaku dhe deputeti i PS u kanë premtuar para zgjedhjeve dëmshpërblim të plotë me një VKM të posaçme. “Veliaj dhe Tahiri na premtuan se shtëpitë do të legalizohen. Saimir Tahiri na tha mos dilni nga shtëpitë nëse do të vijnë për t’i shembur. Shteti do të bëjë gjithçka që ju të merrni lekët një më një nëse do të shemben shtëpitë për projektin e rehabilitimit të Lanës”, u shpreh banori.
Të paktën 153 banesa preken nga projekti i rehabilitimit të Lanës nga rrethrrotullimi në “Urën e Shkozës”. Fadromat kanë mbërritur që prej paradites së djeshme për të prishur banesat. Banorët shprehen se një pjesë e shtëpive janë ndërtuar para vitit 1990 dhe ata disponojnë lejen e ndërtimit, ndërsa të tjera presin legalizimin. Banorët thanë se presin përgjigje nga shteti për dëmshpërblim dhe nuk lëvizim nga ura deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
Shkak është bërë jo thjesht pakënaqësia e banorëve për projektin e rehabilitimit të Lanës që prek shtëpitë e tyre, por edhe indiferenca e Bashkisë dhe premtimet e deputetëve socialistë para zgjedhjeve. Edhe ndërkohë që banorët e Shkozës ishin ulur në rrugë dhe kishin bllokuar rrugën, asnjë prej zyrtarëve të Bashkisë nuk shkoi t’i takojë.

Protestuesit: I erdhi fundi durimit

Protestuesit thonë se, i erdhi fundi durimit të tyre dhe nuk dorëzohen nëse nuk dëmshpërblehen ose të gjendet një zgjidhje tjetër. “Sot i erdhi fundi durimit. Kemi 4 muaj që presim. Na është premtuar dëmshpërblim. Ka banesa që janë bërë para viteve ‘90 dhe me leje ndërtimi. Na trajtoni si gjithë të tjerët. Na jepni lejen e legalizimit dhe hajdeni bëni çfarë të doni këtu. Ne nuk dinim fare që do të vinin fadromat. Na është premtuar nga Erion Veliaj që do të trajtohemi me një VKM të veçantë”, thonë banorët.
Ndërkohë një e moshuar kërcënon që do të vrasë veten nëse nuk gjendet një zgjidhje. “Do të vras veten se nuk kam çfarë bëj, jemi 6 veta në familje dhe unë nuk kam as lekë me çfarë të transportoj plaçkat, jetojmë vetëm me pensionin tim. Për 15 vite shteti ishte në gjumë, tani na vijnë na thonë që shtëpitë nuk legalizohen. Nuk largohemi derisa të gjendet një zgjedhje”, tha një e moshuar.
Mesa duket Bashkia e Tiranës nuk merr përsipër asnjë kosto për shkatërrimin e banesave që kërkon t’u bëjë qytetarëve të Shkozës. Të paktën qeveria t’u japë një zgjidhjeve këtyre banorëve, pasi jemi në prag të dimrit dhe të prishësh banesën e t’i lesh ata në rrugë të madhe ky është krim.
Në kohën që banorët po protestonin ka reaguar edhe IKMT. “Banorët që pretendojnë dëmshpërblim banojnë në banesa të palegalizuara. Mbi 140 familje janë skualifikuar nga procesi i legalizimit. 10 familjet që disponojnë çertifikatë pronësie do të dëmshpërblehen”, thuhet në reagimin e IKMT.

Berisha: Terror policor ndaj grave dhe fëmijëve

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar lidhur me ngjarjen e ditës së djeshme, ku dhjetëra banorë të Shkozës kanë protestuar kundër shembjes së banesave të tyre, në kuadër të projektit të ARRSh dhe Ministrisë së Transporteve për zgjerimin e rrugës. Por situata është agravuar për shkak të përplasjes së policisë me qytetarët.
Madje një moment kur fëmijët të traumatizuar ulërasin të mos ua arrestojnë prindërit, i ka prekur të gjithë. Videoja e këtij momenti e publikuar fillimisht nga “BalkanWeb”, është publikuar edhe nga ish-Kryeministri Sali Berisha. “E dhembshme, terror policor ndaj grave dhe fëmijëve në Shkozë!”, shkruan ish-Kryeministri.

Ulërimat e vogëlushit ndaj policisë: “Jo, mos ma merrni mamin”

Dhuna policore ndaj protestuesve në Shkozë ka shkaktuar trauma edhe tek fëmijët që ndodheshin përkrah pronarëve në mbrojtje të banesave të tyre. Në një video të publikuar nga “BalkanWeb” shfaqet momenti rrëqethës kur një djali të vogël, jo më shumë me 6 vjeç, i shoqërojnë prindërit për në komisariat. Një tufë policësh kanë futur me forcë në furgonin e policisë nënën e babanë e tij, sa nuk e dëgjojnë që ulëret e të këput shpirtin me fjalët e tij, “Jooo, mos ma merrni mamin”. Siç dukej edhe nga pamjet, fëmija është në një gjendje të traumatizuar.
Banorët e zonës së Shkozës ishin ulur këmbëkryq mbi urën që mban të njëjtin emër, duke mos lejuar shembjen e banesave të tyre në kuadër të projektit të nisur nga ARRSH e Ministria e Transporteve. Ndërsa banorët dukeshin të vendosur të mos lëvizin që aty pa marrë më parë sigurinë që do të dëmshpërblehen, forcat e policisë kanë ndërhyrë dhunshëm duke ushtruar dhunë tek protestuesit.
Banorët kanë kërkuar prezencën e kryebashkiakut Veliaj dhe deputetes Elona Gjebrea, si dhe të kryetarit të PS-së për Tiranën, Saimir Tahiri. Ata pretendojnë se u është thënë gjatë fushatës se prona e tyre do të dëmshpërblehej me anë të një VKM-je të posaçme.
Fëmija 12 vjeç po mbahet i mbyllur në komisariat
Një qytetare në Shkozë ka denoncuar shoqërimin në komisariat të një fëmije 12 vjeç pasi u përfshi në përpjekjet e familjarëve të tij për të mbrojtur shtëpinë nga shembja. Në takimin me deputeten e zonës, Grida Duma, qytetarja e tensionuar tha se, fëmija prej katër orësh mbahet në ambientet e rajonit dhe ndodhet në gjendje të rëndë psikologjike.
Banorët dhe deputetja e PD kanë njoftuar se do të drejtohen për te Komisariati nr.1 ku mbahet i mbyllur fëmija dhe shumë banorë të zonës, të cilët bllokuan dje rrugën në shenjë proteste. Ndërkohë, pamje të rënda u shpërndanë nga televizionet pasditen e djeshme, ku fëmijët ulërisnin të tmerruar nga përplasja e policisë me familjarët e tyre.

R.POLISI

Artikulli paraprakSkandali Xhafa, ja si po rrjep punonjësit privatë të sigurisë
Artikulli tjetërJunker: Nëse duam paqen, të afrojmë Ballkanin në BE