Do të paguajmë 21 milionë euro më shumë taksë prone në 2018

Shqiptarët do të paguajnë të paktën 21 milionë euro më shumë si taksë prone në buxhetin e vitit të ardhshëm. Të paktën këtë parashikim ka bërë Ministria e Financave dhe Ekonomisë në draftin e saj të buxhetit të vitit 2018, ku totali i të ardhurave në këtë zë është parashikuar rreth 60 milionë euro.
Sipas tabelave të reja të buxhetit, arkëtimi nga taksa e pronës në 2018-ën pritet të rritet me 54%, për të arritur në 8.1 miliardë lekë, nga 5.3 miliardë lekë që pritet të mblidhen këtë vit.
Qeveria synonte që të reformonte taksimin e pronës për vitin e ardhshëm, por duket se e vetmja pjesë me reformim do të jetë taksa e ndërtesës, ndërsa taksa që paguhet për tokë truall dhe tokë bujqësore do të mbeten sipas modelit të vjetër.
Nga 1 janari i vitit të ardhshëm taksa mbi pronën do të pësojë ndryshime të dukshme. Financat kanë aktualisht një draft me ndryshime në ligjin “Për taksat vendore”, ku mes të tjerave është vendosur që taksimi mbi pronën të bëhet në bazë të vlerës së tregut. Aktualisht e njëjta taksë llogaritet në bazë të sipërfaqes së banesës pra metër katror herë një vlerë fikse që ndryshon sipas tre zonave në vend.
Për momentin, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po diskuton mbi një variant që sipas përllogaritjeve të bëra nga ekspertët e këtij institucioni ka nxjerrë si nivelin më optimal të taksimit nivelin 0.05 për qind të vlerës së ndërtesës. Kjo përqindje garanton një vlerë më të përballueshme sipas ministrisë për ata që e paguajnë aktualisht këtë taksë dhe për ata që do të futen në sistem për herë të parë.
Dy vitet e para të zbatimit të taksës sipas formulës së re, deri në finalizimin e kadastrës fiskale duket se do të shërbejnë si provë për ministrinë dhe agjentin tatimor që do të përzgjidhet për të gjetur mënyrën më të mirë të administrimit, por edhe nivelin e duhur të taksës që do të shkojë tek vendorët.
Ndryshimet në ligjin e taksave vendore pritet të kalojnë edhe me disa nisma të tjera si pjesë e paketës fiskale të vitit 2018.

Artikulli paraprakBE: Shqipëria, treguesit më të dobët ekonomikë
Artikulli tjetër166 të vdekur në aksidentet rrugore në 9 muaj