Të gjithë me Ranierin

Çfarëdo që të ndodhë, Klaudio Ranieri nuk preket. Ky është pak e shumë mesazhi i klubit të Leisterit, i cili ka votëbesuar publikisht trajnerin e skuadrës kampione të Anglisë, e cila në këtë sezon rrezikon seriozisht rënien. Në mediat angleze, gjatë ditëve të fundit, është përfolur për një krisje mes trajnerit italian dhe lojtarëve, si dhe për një ultimatum që i ka vënë atij klubi, por Leisteri ka publikuar një deklaratë zyrtare, duke përgënjeshtruar gjithçka.
“Si pasojë e spekulimeve të fundit, klubi i Leister do të dëshironte të bënte absolutisht të qartë mbështetjen e palëkundur për trajnerin Klaudio Ranieri. Ndërsa ekziston një vlerësim kolektiv nga të gjithë në klub se forma e kohëve të fundit duhet përmirësuar, suksesi i paprecedent i arritur në sezonet e fundit është bazuar në mënyrë të qëndrueshme te stabiliteti, bashkimi dhe vendosmëria për të kaluar edhe sfidën më të madhe. I gjithë klubi është dhe do të jetë, i bashkuar përkrah trajnerit dhe lojtarëve, së bashku dhe të fokusuar në sfidat që kemi përpara”, shkruhej në njoftimin e Leisterit.
Sezonin e kaluar shkruan historinë në futbollin botëror, por këtë sezon Leicester nuk i ngjason aspak ekipit që fitoi titullin e Premier League. Kampionet renditen në vendin e 16-të me 21 pikë të grumbulluara për 24 javë, dhe zërat për largimin e trajnerit Ranieri bëhen gjithmonë e më të forta.

Artikulli paraprakKy është kryediplomati apo mender ministri i Jashtëm i Banditistanit!
Artikulli tjetër“Trepça”, në pritje të transformimit dhe ristrukturimit