Tavecchio në telashe pa fund

Nuk ndalet cikloni i akuzave ndaj Carlo Tavecchios, pas eliminimit të Italisë në play off-in e Botërorit nga Suedia, edhe pse 74-vjeçari ka dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Federatës Italiane të Futbollit. Tavecchio tashmë duhet të përballet me akuzën e rëndë të abuzimit seksual. Një drejtuese sportive ka deklaruar se është dhunuar moralisht dhe psikologjikisht nga ish-numri 1 i futbollit italian dhe se ka urdhëruar përfaqësuesin e saj ligjor që të bëjë denoncim në Prokurorinë e Romës.
Ngjarja e pakëndshme presupozohet se ka ndodhur në zyrën e Tavecchios, ku zyrtarja në fjalë ishte e pranishme për çështje pune. Me perdet e dritareve dhe dyer të mbyllura, 74-vjeçari ishte afruar fizikisht më shumë se ç’duhet, madje duke kryer veprime të turpshme. Ngacmimi seksual ka vijuar edhe në situata të tjera, madje “e dhunuara” ka siguruar se zotëron edhe video për të provuar akuzat e saj. Nëse gjithçka është e vërtetë, eliminimi i Italisë do të jetë telashi më i vogël për Carlo Tavecchion.
Disa orë pasi dha dorëheqjen si president i FIGC-së, Carlos Tavecchio u rikthye të flasë sërish. Edhe këtë herë, ish-presidenti i Federatës Italiane të Futbollit u shpreh se po paguan paaftësinë e Venturës, por ndryshe nga herët e tjera, u shpreh se këtë të fundit e kishte zgjedhur Marcelo Lippi.
“Është e vërtetë, që po paguaj gabimet e Venturës dhe atë shtyllë që na mohoi golin në Solna. Çfarë duhet të kisha bërë? Të shkarkoja Venturën në përfundim të pjesës së parë në Milano? Gjithmonë kam thënë që e kam zgjedhur unë trajnerin, por sot jo. Dua t’u tregoj se ashtu siç e tha edhe Malago, Venturën e zgjodhi Marcelo Lippi”, tha i mërzitur Tavecchio.

15 minuta gjyq, Tavecchio jep dorëheqjen nga FIGC
Gjyqi në Federatën Italiane të Futbollit, që u shoqërua me dorëheqjen e Carlo Tavecchios zgjati vetëm 15 minuta. Anëtarët e Ekzekutivit të FIGC ishin mbledhur për të shprehur votëbesimin, por presidenti, i cili ishte i akuzuari i madh për eliminimin e Italisë nga Botërori 2018 nuk arriti të përballonte krizën dhe presionet e Komitetit Olimpik dhe qeverisë italiane.
Mbledhja nisi në orën 12:20 dhe përfundoi në 12:35 minuta. Mbyllja më e hidhur e epokës Tavecchio në krye të Federatës Italiane të futbollit, që kulmoi me zhgënjimin më të madh në 60 vitet e fundit, mungesën e “të kaltërve” në Kupën e Botës “Rusi 2018”.
“Abiciozët dhe grabitqarët politikë nuk na lejojnë të diskutojmë rreth arsyeve të këtij rezultati. Duke vlerësuar se disa prej jush kanë ndryshuar sjelljen, vendosa të jap dorëheqjen”, ishin disa nga deklaratat e dhëna nga presidenti gjatë mbledhjes.
Përveç largimit të tij, Tavecchio kërkoi edhe largimin e të gjithë organit vendimmarrës të federatës. Megjithatë, dorëheqja e presidentit bën që efektivisht të largohen edhe të gjithë drejtuesit e tjerë.
Sipas statutit, institucioni duhet të zhvillojë zgjedhje të reja në harkun e 90 ditëve. Deri në atë periudhë, Tavecchio do të kujdeset për mbarëvajtjen e federatës, duke u kujdesur për organizimin e Europianit 2019 për përfaqësueset e 21-vjeçarëve që do të zhvillohet në Itali apo përcaktimin e qyteteve që do të presin ndeshjet e Europianit 2020.

Artikulli paraprakMorata: Zidane më tha të qëndroja
Artikulli tjetërReagimi i Lippit: Ju rrëfej përplasjet me Tavecchion