Tatimi progresiv, FMN: Rëndon mbi shtresat e varfra dhe të mesme

Fondi Monetar Ndërkombëtar hedh poshtë filozofinë e qeverisjes socialiste mbi tatimin progresiv të pagës, që presupozon mbështetje për shtresat sociale duke ndihmuar të varfrit dhe shtresën e mesme e taksuar më shumë të pasurit.
Në një studim të publikuar së fundmi nga dy ekspertë të FMN-së, Ruben Atoyan dhe Jesmin Rahman, llogaritet saktësisht sesi taksohen në të vërtetë pagat e qytetarëve shqiptarë. Në këtë studim, që mban firmën e dy autorëve, Fondi Monetar Ndërkombëtar sqaron në linja të përgjithshme dhe teknike sesi taksohen realisht pagat e shqiptarëve. Duke marrë në analizë vendet e Ballkanit Perëndimor, autorët thonë se progresioni i taksave mbi pagën është i ndryshëm në të gjithë rajonin.
Ky grafik shpjegon pikërisht sesi ndryshon tatimi absolut, pra jo ai në përqindje i pagës së shqiptarëve, në varësi edhe të nivelit të pagës. Shqipëria përfaqësohet në këtë grafik nga ngjyra e kaltër, e siç duket qartë, është një ndër vendet që ka luhatjet më të mëdha të taksimit, edhe për shkak të tri fashave mbi të cilat bazohet taksa progresive.
Për shqiptarët që kanë një pagë nga 50% të pagës mesatare deri në 167% të pagës mesatare taksimi është progresiv, ose e thënë ndryshe, barra absolute e taksave rritet. Kjo do të thotë se, ata që paguhen më pak në vendin tonë, në terma absolutë, jo në përqindje, tatohen më shumë.
Taksimi vijon të mbetet në territor progresiv, paçka se në rënie deri në masën e 167% të pagës mesatare. Pas kësaj fashe, taksimi hyn në territor regresiv, çka do të thotë se, ata që fitojnë më shumë, në mënyrë absolute paguajnë më pak. Regresiv është taksimi edhe për ata që paguhen më pak në këtë vend, nga 33% deri në 50% të pagës mesatare.
Kjo për shkak të tri fashave të pagës mbi të cilat bazohet taksa progresive. Sipas këtij studimi të FMN-së, në nivel absolut, tatimi mbi pagën e shqiptarëve, është i ndryshëm nga ai në përqindje.
Kështu, e shpjeguar në përqindje nga qeveria, që nga zero deri në 30 mijë lekë paga nuk taksohet, nga 30 mijë e deri në 130 mijë lekë taksa progresive është 13% dhe nga 130 mijë e lartë norma tatuese është 23%, duket sikur barrën më të rëndë fiskale e kanë ata që paguhen më shumë.
Por pikërisht këtë teori e hedhin poshtë ekspertët e FMN-së, të cilët kanë llogaritur se, në vlerë absolute, kjo ndarje e taksës progresive mbi nivelin e pagave e ka peshën më të madhe mbi shtresën e mesme dhe të varfër të popullsisë.
Kjo do të thotë se, ata që kanë një pagë nga 50% deri në 167% të pagës mesatare, taksimi është progresiv, pra në terma absolutë taksa rritet më shumë për ata që paguhen më pak.
Taksimi vijon progresiv, ndonëse në rënie deri në masën e 167% të pagës mesatare. Dhe pas kësaj fashe, sikurse e kanë llogaritur specialistët e FMN-së, taksimi kalon në regresiv, që do të thotë se punonjësit me një pagë më të lartë në terma absolutë paguajnë më pak taksa.

Artikulli paraprakTjetër sukses spektakolar Noriega-Haki Droga në eksportin e kanabisit
Artikulli tjetër41 milionë për një vendrojë plazhi që nuk u vendos kurrë