Takspaguesit 1.4 milionë dollarë për 134 fluturime të Ramës me charter

 

Shpenzimet e luksit qeveritar, e sidomos shpenzimet e personalizuara për kryeministrin Rama kapin shifra marramendëse.
Ndonëse ekonomia është në krizë, papunësia rritet çdo muaj, borxhi në shifra alarmante, asnjë investim publik, asnjë rrugë, asnjë shkollë, s’ka rritje pensionesh e rrogash, shpenzimet e luksit të kryeministrit dhe ministrave nuk ndalen asnjëherë. Nëse këto shifra do të shkonin për shërbime për qytetarët, qindra kilometra rrugë do të ishin ndërtuar, shumë shkolla të reja, qendra shëndetësore do të ishin ndërtuar.
Ish-kryeministri Berisha ka zbardhur disa shifra të frikshme dje, sipas të cilave në katër vitet e mandatit të parë, Rama ka shpenzuar 1.4 milionë dollarë për 134 fluturime me charter privat. Kujtojmë këtu që këto fluturime kanë të bëjnë vetëm me biletat e avionit të kryeministrit, ndërkohë që shifra të tilla marramendëse kanë shpenzuar pothuajse respektivisht të gjithë ministrat e kabinetit.
Rama bën shpenzime marramendëse në fluturimet jashtë vendit. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se Rama ka shpenzuar 1.4 milionë dollarë në 132 fluturime me charter privat gjatë mandatit të parë si Kryeministër. Berisha risjell në vëmendje shkarkimin e Sekretarit të Shtetit për Shëndetësinë, Tom Price nga Presidenti Trump, pasi kishte shpenzuar 400 mijë dollarë për udhëtime në detyrë me charter privat në vendin e tij.
“Noriega ka shpenzuar për 132 fluturime jashtë vendit, me charter privat, 1.4 milionë dollarë!
Të dashur miq, këto ditë, Presidenti Donald Trump shkarkoi Sekretarin e Shtetit për Shëndeteësinë, Tom Price, sepse kishte shpenzuar 400 mijë dollarë për udhëtime në detyrë me charter privat në vendin e tij. Kjo sepse ai, duhet të udhëtonte me fluturimet tregtare dhe jo të përdorte me pushtetin për të shpërdoruar paratë e takspaguesve amerikanë. Kurse Noriega në Shqipëri, këto katër vite ka fluturuar me charter privat 132 herë jashtë shteti, duke shpenzuar 1.394.000 dollarë. Kaq nuk shpenzonte as Noriega i narko-republikës së Panamasë!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje doktor, jam punonjës në Kryeministri. Desha të ju informoj se kryeministri si rregull udhëton vetëm me charter dhe rrallë shumë me linja të zakonshme dhe se në 132 fluturime me charter janë paguar nga buxheti i shtetit 1394000 dollarë, shumë kjo më e madhe se sa e të gjithë liderëve të rajonit të marrë së bashku, ju lutem anonim. me respekt…”

Qeveria, 14 milionë dollarë për orendi dhe zyra luksi

Vetëm për gjysmën e parë të vitit, duke marrë parasysh që ishte edhe vit zgjedhor dhe pushteti u angazhua në blerjen e votave dhe ishte prezent në Shqipëri, sërish shpenzimet për bileta avioni kapin vlera marramendëse. 2 milionë dollarë të shpenzuara në gjashtë muaj. Por nuk janë vetëm shpenzimet e biletave të avionit. Një skandal më vete për shpenzime pa fre lidhet edhe me ato për rikonstruksionin e zyrave. Në një denoncimn të kreut të PD, Basha pak ditë më parë rezulton se në gjysmën e parë të vitit u shpenzuan plot 14 milionë dollarë për blerje orendish e rikonstruksion zyrash.
“Vetëm për gjysmën e parë të vitit, qeveria shpenzoi: Për bileta/udhëtime rreth 2 milionë dollarë. Për Orendi/rikonstruksion zyrash: rreth 14 milionë dollarë”, denoncoi kreu i PD, Basha dy ditë më parë. Po të shohësh katër vitet e qeverisjes socialiste, vetëm shpenzimet e Ramës tregojnë për një babëzi të shfrenuar në luks e udhëtime. Janë ato shpenzime që kanë të bëjnë me mobilime zyrash, makina të shtrenjta për ofiqarët apo shpenzime për rikonstruksione vilash qeveritare etj. Për shembull, për vitin 2017, që është dhe vit elektoral, në buxhetin e shtetit ka planifikuar 30 milionë euro shpenzime vetëm për Kryeministrinë. Në vitin 2015 shpenzimet e luksit për qeverinë arritën në shifrën e 91 milionë eurove dhe në vitin 2016, kjo shumë shkoi në rreth 22 milionë euro. Pra, në tre vitet e fundit, vetëm për arredime zyrash dhe jetë sheikësh qeveritarët e mazhorancës me në krye Ramën kanë shpenzuar jo pak, por 140 milionë euro, aq sa thuajse është dhe kostoja e rritjes së pensioneve në masën 80% siç ka premtuar opozita.
Për vitin 2017, Rama ka akorduar në buxhet 30 milionë euro për arredim zyrash dhe shërbime të tjera të luksit vetëm në aparatin e Kryeministrit. Bazuar në numrin e punonjësve që ka ky institucion, Rama duket se ka akorduar rreth 43 mijë euro në vit për çdo punonjës. Kjo shumë do të ishte e barabartë me pagën vjetore të 1145 pensionistëve ose me rreth 10 mijë bursa studentësh, sa gjysma e atyre që shkelin në një vit në auditore. Shifrat janë kokëforta dhe kjo është pasqyruar dhe në buxhetin e botuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave, e cila drejtohet nga një tjetër i ngjashëm i kryeministrit, Arben Ahmetaj. Ky i fundit i përfolur që në vitet 2004 për korrupsion me telefoninë fikse, në kohën kur ishte zëvendësministër. Për vitin 2017, Kryeministri do të shpenzojë 530 milionë lekë (të vjetra) ose 350 mijë euro vetëm për blerje kondicionerësh. Një shumë kjo e pamenduar për këtë produkt, por të kemi parasysh çmimet e tyre në tregun vendas, që një kondicioner normal nuk kushton më shumë se 300 euro. Për çfarë i duhen kryeministrit kondicionerë kaq luksozë, ndërkohë që Kryeministria është e pajisur me to? Por për këtë vit, nga buxheti i shtetit, nga taksat e qytetarëve kryeministri do të shpenzojë rreth 6.7 milionë euro për tavolina e karrige, pra për arredimin dhe një milion euro të tjera për blerje makinash.
Këto janë shuma astronomike për një vend si i yni, kur njerëzit rrojnë me 5 euro në ditë sipas Bankës Botërore. Shpenzimet luksoze të qeverisë u faktuan në raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit, nga i cili për vitin 2015 dolën një numër i pafund shkeljesh që kanë të bëjnë me afera, skandale dhe vjedhje të qeverisë përmes tenderave, koncesioneve e fondeve abuzive. Dëmi në total për atë vit që i shkaktohej buxhetit, sipas KLSH, shkonte në 919 milionë euro ose gati 15% e tij.

Artikulli paraprakAmaneti i Elsie: Më varrosni në Shqipëri
Artikulli tjetërRreziku i pastrimit të parave, rriten transfertat e dyshimta