Taksat e larta, nafta dhe skanimi ulin konkurrueshmërinë e biznesit

Shqipëria ka humbur konkurrueshmërinë e saj sa i përket transportit të mallrave si në rrugë tokësore, ashtu edhe detare. Barra e lartë fiskale, çmimi i naftës, por edhe tarifa e skanimit (22 euro/deklaratë) kanë dhënë efekte jo të vogla në ofrimin e këtij shërbimi. Këto shqetësime, operatorët e këtij tregu ia kanë përcjellë edhe Këshillit të Investimeve, të cilit i kërkohet që të ndërhyhet, duke garantuar investime të qëndrueshme në infrastrukturë për të garantuar kushte të barabarta me vendet e tjera të rajonit. Genc Mataj, drejtuesi i shoqërisë së transporit “Pelikan” me qendër në Durrës thotë se, prej të paktën dy vjetësh në tregun e transportit të mallrave tranzit po ndihen efektet e rritjes së barrës fiskale. Në rastin e tarifës së skanimit 22 euro/deklarata, biznesi ngre shqetësimin se, pagesa e tij nuk shoqërohet me një faturë, por thjesht me mandat pagese dhe kjo është e pakonceptueshme.
Zbatimi i kësaj tarife ka bërë që të paktën me Kosovën kostot e transport të rriten jo pak. “Rreth 62 euro është rritur kostoja e skanimit me Kosovën dhe kjo për shkak të skanimit, por edhe të zbatimit nga ana e tyre e një takse preh 40 euro në terminale. Rritja e kostove çon në ulje të konkurrueshmërisë”, thonë drejtuesit e kësaj kompanie. Një tjetër efekt është edhe çmimi i naftës që vlerësohet rreth 30% më i lartë në Shqipëri, në krahasim me Maqedoninë apo me Kosovën. Tatimi mbi fitimin më i lartë se në këto dy vende, gjithashtu është një faktor që ka ndikuar te konkurrueshmëria. “Këto efekte ndihen prej dy vjetësh dhe ne i kemi kërkuar qeverisë që të marrë masa për të ndikuar në mjedisin e të bërit biznes, për ta bërë vendin më atraktiv”, thotë z.Mataj.
Por, Shqipëria arrin të amortizojë këtë situatë falë pozitës së favorshme gjeografike. “Porti i Selanikut në Greqi ka burokraci të lartë, si dhe zbaton kufizime në peshën e ngarkesës që duhet të ketë njësia transportuese, e cila nuk lejohet të jetë më e madhe se 40 ton. Porti i Durrësit është më fleksibël dhe ky është padyshim një avantazh. Nga ana tjetër porti i Barit në Mal të Zi nuk ka kapacitete për të përballuar flukste të larta dhe nuk është i krahasueshëm me Portin e Durrësit”, thotë z.Mataj, i cili thekson se investimet e qëndrueshme në portin më të madh të vendit janë domosdoshmëri. Në raportin teknik që Këshilli i Investimeve përgatiti për incentivat, për nxitjen e investimeve theksohej se portet detare konsiderohen si një avantazh i rëndësishëm në lidhje me vendet e tjera të rajonit, sa i përket mundësisë së lidhjes me tregjet ndërkombëtare. Megjithatë, raporti thekson se edhe avantazhi që sjell pozita gjeografike e vendit në raport me vendet e tjera të rajonit nuk po shfrytëzohet si duhet, ku problematike vlerësohet barra e shtuar nga skanimi në dogana.

Artikulli paraprakKrizë parlamentare në Kosovë
Artikulli tjetërBashkitë e majta, rekord në tarifat e larta për ujin