Taksa e vëlla Edit për lojërat e fatit: Jepini Olsit 1.1 milion euro në vit

Kompani e lidhur me vëllain e Kryeministrit Rama do të monitorojë për 30 vitet e ardhshme biznesin e lojërave të fatit. Koncesioni i monitroimti elektronik do t’i mbetet kompanisë MC Networking shpk, në pronësi të Endri Meksit.
Meksi është ortak dhe bashkëadministrator me vëllain e Kryeministrit Rama, Olsi Rama tek shoqëria PEGASUS COMMUNICATIONS shpk.
Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë ankimin e Shoqatës së Shoqërive të Basteve Sportive se koncesioni dublon rolin e Autoritetit të Monitorimit të Lojërave të Fatit (AMLF) dhe se tarifa e caktuar për t’u paguar është e lartë. Ky vendim i hap rrugë fillimit të aktivitetit koncesionar nga MC Networking.
Kompania MC Networking u bë e njohur për publikun gjatë tentativës së qeverisë për të dhënë me koncesion monitorimin elektronik te TVSH-së. Ajo ishte partneri lokal i kompanisë kineze EM.POS Limited, e cila paraqiti kërkesë të pakërkuar për marrjen me koncesion të mbledhjes së TVSH-së, koncesion që u anullua, pasi u bë publike lidhja e pronarëve të kompanisë me familjen Rama.

Historia e tenderit

Qeveria Rama në vitin 2015, pas një aksioni për mbylljen e lojërave të fatit të palicencuara, miratoi ligjin e ri të lojërave të fatit, sipas të cilit biznesi i kumarit do të monitorohet nga një kompani private.
Në bazë të nenit 48/2, të ligjit “Për lojërat e fatit” qeveria vendosi ndërtimin e Sistemit Qendror të Monitorimit On-line (SQMO) të lojërave të fatit, i cili ka për detyrë monitorimin on-line të të dhënave që do të përdoren nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF).
Në shtator të vitit 2016, qeveria miratoi VKM-në me numër 647 ku përcaktoi kriteret e përzgjedhjes së operatorit që të do të ndërtojë dhe menaxhojë këtë sistem.
Sipas VKM-së, kompania private do të marrë vlerën e investimit nga tarifa që do të paguajnë shoqëritë e licencuara të lojërave të fatit për shfrytëzimin dhe mirë-mbajtjen e sistemit.
Tenderi u hap në dhjetor 2016 dhe kompanitë e interesuara kishin kohë deri më 12 janar për të aplikuar. Gjatë kësaj periudhe asnjë kompani nuk paraqiti oferta, ndaj Ministria e Financave rihapi tenderin sërish në 23 janar 2017.
Në tender morën pjesë dy kompani: konsorciumi “MC Networking” shpk dhe “Admiral Sportwetten “GmbH & ATSI Spolka Akcyjna”, si dhe konsorciumi “Qualysoft” GmbH & “Comtrade” d.o.o & “Starsat International” shpk & “Communication Progress” shpk.
Në mars Ministria shpalli fitues bashkimin e kompanive “MC Networking” shpk dhe “Admiral Sportwetten” GmbH & “ATSI Spolka Akcyjna”. Kompania fituese do të menaxhojë për një periudhë 30-vjeçare monitorimin e biznesit të lojërave të fatit.

Tafirat që do të paguhen nga bizneset e lojërave të fatit

Përmes një koncesioni abuziv, Edi Rama i ka dhënë vëllait të tij Olsi Rama marrjen nën kontroll të aktivitetit të lojërave të fatit, me qëllim pastrimin e parave të pista. Në kundërshtim me të gjitha procedurat ligjore, koncesioni i është dhënë kompanisë, Mc Networking, e cila zyrtarisht figuron në pronësi të ortakut të Olsi Ramës, Endri Meksi. Me këtë të fundit, Olsi Rama është bashkëortak në kompaninë Pegasus Communication. Qeveria Rama miratoi me një vendim të veçantë tarifat që bizneset e lojërave të fatit, të ndara në tre kategori, do t’i paguajnë koncesionarit për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit. Kategoria e parë që do të paguajë janë bizneset në fushën e lotove dhe basteve sportive. Tarifa ditore për çdo pikë bastesh është 0,70 euro, ose 21 euro në muaj. Kjo e çon totalin që do të paguajë një pikë basti në 252 euro në vit. Sipas të dhënave nga Shoqata e Shoqërive, aktualisht janë rreth 3 mijë pika bastesh sportive, pra koncesionari mbledh nga kjo kategori rreth 756 mijë euro në vit. Në kategorinë e dytë janë kazinotë elekronike, që do të paguajnë 1,25 euro në ditë për çdo aparaturë apo makinë loje, rreth 37,5 euro në muaj. Në total në vit, për çdo makinë loje një biznes do të paguajë 450 euro. Sipas të dhënave zyrtare deri në vitin 2013, në vend janë të regjistruara 2200 aparate apo makina lojërash. Pra koncesionari mbledh nga kjo kategori rreth 990 mijë euro në vit. Kategoria e tretë që do të paguajë janë llotaritë kombëtare, që duhet të paguajnë 1 euro në ditë, pra 30 euro në muaj për çdo njësi ku tregtohen lojërat e tyre. Deri më tani janë rreth 425 njësi në gjithë vendin që tregtojnë lojëra të lotarisë kombëtare, që e çon në 153 mijë euro shumën që do t’i paguhet koncesionarit.

Përplasja në Gjykatën Kushtetuese

Në datë 6 qershor 2017, në Gjykatën Kushtetuese u dorëzua një kërkesë nga Shoqata e Shoqërive që operojnë në fushën e Lotove dhe Basteve Sportive. Në objekt të kërkesës qëndronin tri pika që në linja të përgjithshme japin qartë kundërshtimin e vendimit të qeverisë, që industria e lojërave të fatit të paguajë tarifë shtesë që do shkojnë për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e sistemit të monitorimit. Por cilat janë tri pikat që përmblidhen në objekt të çështjes: 1) shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të nenit 48, pika 2 shprehja “si dhe tarifën e mirëmbajtjes së Sistemit Qendror të Monitorimit Online që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara” të nenit 70 pika 12 shprehja “tarifa e mirëmbajtjes së tij që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara e Ligjit nr.155, datë 21.12.2015 “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” të ndryshuar. 2) Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të fjalisë së fundit të pikës 1 të dispozitave të përgjithshme, të pikës 2 dhe 3, të kreut IV të mirëmbajtjes së sistemit të vendimit Nr. 647, datë 14.09.2016 të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e mënyrës dhe kritereve të përzgjedhjes së operatorit që do të ndërtojë Sistemin Qendror të Monitorimit On-line (SQMO) si dhe autoritetin përzgjedhës për zhvillimin e procedurave të përzgjedhjes”; 3) Shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën e pikës 1, të vendimit Nr.331 të Këshillit të Ministrave, datë 12.04.2017 “Për miratimin e tarifës së mirëmbajtjes së sistemit qendror të monitorimit on-line që duhet të paguajnë shoqëritë e licencuara” në lidhje me tarifat e mirëmbajtjes për kategorinë e basteve sportive.

Artikulli paraprakINSTAT manipulon shifrat, EUROSTAT e përgënjeshtron
Artikulli tjetërRregullorja anti-SPAK e hashashit