Taksa e re e pronës, ja si do të bëhet vlerësimi i bazës së taksës

Duke filluar nga ky vit, do të nisë të zbatohet taksa e ndryshuar mbi pasuritë e paluajtshme, e quajtur ndryshe edhe taksa e “pronës”. Fillimisht pritet që taksimi i ri të aplikohet në Bashkitë Tiranë, Durrës, Fier dhe Korçë, ndërsa më pas gjatë vitit 2019 pritet të ngrihet edhe databaza kombëtare e centralizuar për të gjithë pronat në territorin e vendit. Formula për llogaritjen e taksës është bërë e ditur në paketën fiskale që shoqëronte buxhetin e vitit 2018. Ajo përfshin shumëzimin e sipërfaqes së banesës, me çmimin për metër katror, që përbëjnë bazën e taksës me 0,05% në rastin e ndërtesave që përdoren për banim. Taksa e pronës, ja kur do të paguani më shumë – Shembujt për shtëpitë, bizneset dhe njësitë e prodhimit. Ndërkohë, Këshilli i Ministrave ka miratuar edhe metodologjinë që do të ndiqet për përcaktimin e bazës së taksueshme të pasurisë së paluajtshme.
Njësitë e vetëqeverisjes vendore do të ndjekin këtë radhë vlerësimi:
• Vetëdeklarimi – Taksapaguesit do të vetëdeklarojnë të dhënat për pasurinë e tyre. Nëse vlera e vetëdeklaruar rezulton e ndryshme nga vlera e llogaritur me çmim e vlerësuar, do të merret si bazë vlera më e lartë.

• Përcaktimi bazuar në regjistrin e pasurive të paluajtshme – Do të shërbejë si referencë vlera e përcaktuar nga rivlerësimin i pasurisë së regjistruar pranë ZVRPP-ve. Nëse për pronën është kryer një transaksion shitblerjeje gjatë 3 viteve të fundit, atëherë si bazë e taksueshme do të merret vlera më e lartë.
• Përcaktimi sipas çmimeve mesatare të shitblerjes së ndërtesave/njësive pronësore – Çmimi do të korrespondojë me çmimin referencë të publikuar nga qeveria, sipas zonës dhe qytetit të banimit. Nëse çmimi për metër katror do të jetë më i lartë nga ZVRPP, atëherë do të përdoret ky si çmim vlerësues.
Në çdo rast, njësitë vendore do të bëjnë verifikimin në terren dhe pasi të bëjnë vlerësimin e pasurisë do të hedhin të dhënat në regjistrin e bazës së të dhënave. Nëse nuk arrihet të përcaktohet sipërfaqja e banesës, atëherë do të përdoren vlerat referuese: 100 metra katrorë për ndërtesat për banim dhe 70 metra katrorë për ndërtesat për banimin të privatizuara me ligjin për privatizimin e banesave shtetërore. Nëse prona shfaq dëmtime nga fatkeqësitë natyrore, atëherë vlerësimi do të bëhet sipas gjendjes fizike.
Taksa e re e pasurisë do të paguhet edhe kur zhvilluesi është pajisur me leje ndërtimi dhe nuk ka arritur ta përfundojë atë. Në këtë rast do të paguhet vetëm 30% e vlerës së taksës. Taksapaguesit do të kenë të drejtë në çdo kohë të kërkojnë korrigjimin e detyrimit të kësaj takse, kur gjykon se vlerësimi i pasurisë së tij të paluajtshme ndërtesë është i pasaktë. Nëse palët nuk bien dakord, atëherë ai ka të drejtë të kryejë ankimimin administrativ dhe ankimimin gjyqësor.

Artikulli paraprakProblematikat e shqiptarëve në tregun e punës
Artikulli tjetërArsimi në kushte emergjente, mësuesit të keqpaguar