Takimi Erdogan-Putin-Rohani për konfliktin në Siri

Kundërshtarët e luftës në një tryezë: Presidenti turk Erdogan ka pritur Presidentin rus Putin dhe homologun e tij iranian Rohani për bisedime për Sirinë. Ankaraja druhet për një valë të re refugjatësh.

Përpjekje për të gjetur një zgjidhje në Siri: Turqia, Rusia dhe Irani po diskutojnë në Ankara situatën katastrofike në kështjellën e kryengritësve Idlib. Përveç kësaj, sipas burimeve turke, në fokusin e Presidentëve Rexhep Tajip Erdogan, Vladimir Putin dhe Hassan Rohani është edhe një kthim vullnetar i refugjatëve në Siri.

Në rajonin e Idlibit jetojnë rreth tre milion vetë. Qeveria e Sirisë kërcënon për sulme të mëtejshme në këtë zonë. Po të ndodhë kjo, qindra mijëra vetë mund të merrnin arratinë për në Turqi dhe prej andej në Evropë. Erdogani dëshiron të parandalojë një përshkallëzim të mëtejshëm të luftimeve. Vendi i tij tashmë ka pranuar më shumë se 3.6 milionë refugjatë sirianë.

Turqia mbështet në Siri grupe të ndryshme kryengritësish. Rusia dhe Irani, nga ana tjetër, janë në anën e Presidentit Sirian Bashar al-Asad. Në të ashtuquajturin proces të Astanas, të tria shtetet kanë zhvilluar negociata që nga viti 2017 për të gjetur një zgjidhje në vendin e përfshirë nga lufta civile – deri tani me pak sukses.

Në shtatorin e vitit të kaluar, Putini dhe Erdogani patën rënë dakord që të krijonin një zonë tampon në Idlib. Edhe atëherë synohej që të parandalohej një ofensivë qeveritare. Sidoqoftë, marrëveshja dështoi, pjesërisht sepse grupi më i fortë kryengritës në rajon, milicia militante islamike “Haiat Tahrir al-Sham (HTS)”, nuk ndihej i lidhur me marrëveshjen
Rohani tani u shpreh për vazhdimin e luftës në kështjellën e kryengritësve.

“Në Idlib, terroristët janë ende të pranishëm dhe prandaj është e nevojshme që lufta kundër tyre atje të vazhdojë “, tha Rohani para se të nisej për në Ankara.

Rusia, Turqia dhe Irani gjithashtu po përpiqen të formojnë një komitet kushtetues për Sirinë. Në fund të gushtit, kancelarja Angela Merkel tha në samitin e G7-ës në Biarritz se një proces i tillë politik mund të fillojë së shpejti.

Artikulli paraprakStudimi: Gjenden mbetje plastike në trupat e fëmijëve
Artikulli tjetërNetanjahu nën presion të madh