Tahiri e Çipa zhdukin dokumenta sekrete nga kasaforta e Policisë

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe drejtori i Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, Ardian Çipa, kanë zhdukur dokumenta tepër sekrete nga kasaforta e Ministrisë së Brendshme. Denoncimi i këtij skandali shtetëror është bërë nga një komisar policie, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, në kasafortën e Ministrisë së Brendshme, Ardian Çipa dhe Saje qorri kanë vjedhur dokumentat super sekrete, ndërsa Xhafa dhe Çako përpiqen të fshehin zhdukjen e dokumentave. Berisha i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit të ndërhyjë me urgjencë për të prerë duart e krimit në dokumentat supersekrete të luftës kundër tij dhe të vendosë para ligjit autorët e këtij akti të rëndë kriminal, për të cilët e gjithë Policia e Shtetit flet dhe ka dijeni!
“Komisari dixhital informon zhdukjen e 28 dokumentave super sekrete për krimin, nga kasaforta super sekrete e Policisë së Shtetit. Në ministri të gjithë e dinë se ato i kanë vjedhur Ardian Çipa dhe Saje qorri. Xhafa-Çako përpiqen të fshehin zhdukjen e dokumenteve.
I bëj thirrje Prokurorisë së Shtetit të ndërhyjë me urgjencë për të prerë duart e krimit në dokumentat super sekrete të luftës kundër tij dhe të vendosë para ligjit autorët e këtij akti të rëndë kriminal, për të cilët e gjithë Policia e Shtetit flet dhe ka dijeni!”, shkruan Berisha, duke publikuar edhe mesazhin e komisarit të policisë.
“Mirëdita Doktor, desha t’iu informoj se te Drejtoria e Krimit të Organizuar ku është Ardian Çipa kanë humbur 28 shkresa tejet të rëndësishme me siglën tepër sekret. Për këtë zhdukje të dokumentave top sekret, të cilat ruhen në kasaforta me kode tepër sekret dhe që hapen vetëm në prani të drejtorit Çipa, kanë një javë që kanë pezulluar vetëm nivele të ulëta drejtimi. Të gjithë e dinë se mbrapa kësaj vjedhje qendrojnë direkt Tahiri dhe Çipa, pasi bëhet fjalë për informacion të klasifikuar tepër sekret. Ju lutem shumë bëjeni publike, sepse Xhafa dhe Çako po bëjnë presion të madh për të mbyllur skandalin”, shkruan komisari i policisë.

Pse nuk reagon Ministria e Brendshme?

Ministria e Brendshme nuk bëri asnjë reagim pas publikimit të skandalit nga ish-Kryeministri Berisha për zhdukjen e dokumentave sekrete nga kasaforta e Policisë së Shtetit. Po ashtu as nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit nuk pati asnjë reagim për këtë superskandal shtetëror. Mosreagimi i Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit tregon se dokumentat sekrete janë vjedhur qëllimisht për të zhdukur gjurmët e krimeve. Për të larë duart nga ky superskandal, janë pezulluar nga puna disa punonjës policie, që nuk kanë patur asnjë lidhje me zhdukjen e dokumentave sekrete, sepse ato ruhen në kasafortën që hapet vetëm me kod sekret në prani të ministrit dhe drejtorit të Përgjithshëm për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.
Vjedhja e dokumentave sekrete është bërë qëllimisht nga Tahiri dhe Çipa për të zhdukur gjurmët e krimeve. Në zhdukjen e dokumentave sekrete është përdorur e njëjta skemë si në rastin e djegies së Laboratorit të Kriminalistikës në fillm të muajit nëntor të vitit 2015, ku u zhdukën provat e drogës të sekuestruara nga Prokuroria. Pas zhdukjes së monstrave të drogës së sekuestruar u lanë të lirë trafikantët e drogës, të cilët kishin bashkëpunuar me krerët e policisë për trafikimin jashtë shtetit.
Policia pranoi rënien e zjarrit, por deklaroi se kishte patur vetëm dëmtim të kabujve elektrikë në katin e dytë të godinës të Laboratorin Shkencor. Ndërsa fotografitë e publikuara nga ish-Kryeministri Berisha tregonin se zjarri kishte rënë në korridorin ku ndodhej droga dhe dosjet kriminale. Një oficer policie i shkruajti Berishës atëherë se, nga zjarri i qëllimshëm u dogjën 240 kg drogë dhe 49 dosje të krimeve të rënda.
Berisha ishte informuar nga një oficer policie, sipas të cilit, natën, çunat e krimit i kanë vënë në katin e dytë zjarrin Laboratorit të Policisë Shkencore, ku mbaheshin dhe shqyrtohen provat e narkotikëve dhe dokumentat më të rëndësishme të dosjeve të bandave, përfishirë këtu dëshmitë e shumta për lidhjen me krimin dhe bandat e trafiqeve të Tahirit.

Si u dogjën provat në Laboratorin e Policisë Shkencore

Në fillim të muajit nëntor të vitit 2015 iu vu zjarri qëllimisht Laboratorit të Policisë Shkencore për të zhdukur provat e drogës me qëllim lirimin nga burgu të trafikantëve. Policia bëri të ditur atëherë se zjarri ishte shkaktuar nga një llampë, por pas hetimeve të Prokurorisë rezultoi se zjarri ishte i qëllimshëm. Si pasojë e zjarrit u dogjën të gjitha provat me qëllim pushimin e 30 dosjeve penale dhe lirimin nga burgu të 12 trafikantëve të drogës. Burime nga Prokuroria bënë të ditur atëherë se ishin djegur mostratat e disa aksioneve të fundit të ndërmarra nga Policia. Burimet nga Prokuroria thanë se, janë djegur rreth 20 mostra, të cilat janë marrë si prova në aksione të ndryshme.
Si pasojë e zjarrit u dogjën rreth 240 kg hashash, sasi këto të paketuar dhe vendosur në qese plastmasi me cilësinë e provës materiale, së bashku me vendimin e Prokurorisë për kryerjen e akt-ekspertimeve të lëndës së sekuestruar. Hetuesit thanë se, zjarri që ka shkrumbuar të gjitha këto prova që ishin vendosur në korridor për shkak të mungesës së hapësirës.
Vënia e zjarrit në Laboratorin e Policisë Shkencore, u denoncua fillimisht nga kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili deklaroi se zjarri ishte i qëllimshëm për të zhdukur provat e drogës së konfiskuar në disa operacione të fundit. Më pas, ky superskandal u denoncua publikisht edhe nga ish-Kryeministri Berisha, i cili publikoi në rrjetin social Facebook një foto ku dukej qartë djegia e Laboratorit të Policisë Shkencore. Pas këtyre deklaratave, reagoi edhe Policia e Shtetit, e cila pranoi rënien e zjarrit në Laboratorin Shkencor.

R.POLISI

Artikulli paraprak54 kg kokainë dhe armë nga Shqipëria bllokohen në Itali
Artikulli tjetërSKANDALI/ Si po vihet nën kontroll politik AMF