54 kg kokainë dhe armë nga Shqipëria bllokohen në Itali

Policia italiane sekuestroi dje 54 kg kokainë dhe armë në dy operacione dhe vuri në pranga katër shqiptarë. Mediat italiane shkruajnë, se dyshohet se droga dhe armët janë futur nga Shqipëria. Fillimisht policia italiane sekuestroi 44 kg kokainë në Romë dhe vuri në pranga një 45-vjeçar shqiptar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Në momentin që shqiptari ka parë policinë përpara, ka tentuar që të ikë me vrap, por është kapur nga agjentët. Drogën, ai e kishte ndarë në ‘bukë’ dhe e kishte fshehur në vende të ndryshme të makinës së tij rregulluar posaçërisht për trafik. Pas arrestimit është bërë edhe një kontroll në banesë, ku i janë gjetur edhe 150 mijë euro dhe dy pistoleta të mbushura, gati për t’u përdorur.
Po ditën e djeshme në një tjetër operacion, policia italiane sekuestroi rreth 10 kg kokainë e heroinë. Droga është sekuestruar nga karabinierët e Chieti-t në Itali, të cilët kanë arrestuar edhe tre shqiptarë. Në pranga janë vënë Armando Greca, 25 vjeç, Moris Greca 21 vjeç e Amendea Japuaj 23 vjeçe. Zyrtarë të policisë italiane i kanë bërë publike detajet e operacionit, pasditen e djeshme. Droga, sipas karabinierëve, nëse do të hidhej në treg do të gjeneronte rreth 1 milion euro.
Efektivët kanë kryer një kontroll rutinë në makinën tip “Smart For Tëo” që drejtohej nga Moris Greca, ku u gjetën 900 gr kokainë e cilësisë së lartë, të ndara në dy paketime. Ajo që i ngjalli dyshime agjentëve ishte sjellja nervoze e të riut.
Automjeti i 21-vjeçarit ndiqej nga afër nga një tjetër makinë, nën drejtimin e së cilës ishte kushëriri i Morisit, Armando, me precedentë të mëparshëm për drogë. Efektivët kanë kryer një kontroll në banesën ku dy të rinjtë jetonin me qira në komunën “Francavilla al Mare”.
Aty ishte edhe e dashura e Morisit, Amendea Jaupaj, e cila ishte lënë në shtëpi për të ruajtur sasinë prej 9 kg heroinë, shkruajnë mediat italiane. Droga u gjet brenda një valixheje. Sasia e drogës u sekuestrua, ndërsa tre të rinjtë shqiptarë u arrestuan me akuzën e posedimit të drogës me qëllim trafikimin dhe u dërguan në paraburgim, në burgun e “Madonna del Freddo”.
Droga shpërndahej si pica. Dorëzohej nëpër shtëpitë e Romës Veriore. Dozat e porositura me telefon dorëzoheshin me makina. Në pranga kanë përfunduar 5 shtetas shqiptarë mes 22 dhe 50 vjeçëve, të cilët akuzohen për shpërndarje droge. Hetimi zbuloi përgjegjësitë e qarta të pesë anëtarëve të grupit të shqiptarëve, të cilët vepronin me role të mirëpërcaktuara në ambientet e furnizimit dhe shpërndarjes së kokainës në Romën e Veriut, shkruan “Il messaggero”.
I gjithë aktiviteti i paligjshëm menaxhohej nëpërmjet një “call center” të vërtetë, i vendosur fizikisht në një apartament në Riano (RM), ku “operatorët” brenda në shtëpi, merrnin kërkesa telefonike nga shumë blerës të zonës së Romës së Veriut, i jepnin udhëzime anëtarëve të tjerë të grupit, (secili me një kompetencë territoriale të përcaktuar mirë) në mënyrë që të bëheshin dërgesat e drogës.
Të ashtuquajturit ‘kuaj’ për dorëzime, kishin në përdorim mjete, të cilat u sekuestruan në operacion, të pajisura me funde të dyfishta të përgatitura për të fshehur drogën që do u shitej konsumatorëve.
Midis tyre, ishte një makinë brenda së cilës kishte pasur një ndarje fikse në kroskot, që hapej vetëm nëpërmjet futjes së marshit indietro. Gjatë fazës së ekzekutimeve të ndalimeve është arrestuar një 25-vjeçare, partnere e një prej të dyshuarve, pasi në shtëpinë e saj u gjetën 870 gram kokainë e fshehur në një ndarje në kuzhinë. Kontrollet e kryera në shtëpitë e 5 shqiptarëve kanë nxjerrë edhe 24 mijë euro, që dyshohet se kishin ardhur nga aktiviteti kriminal.

R.POLISI

Artikulli paraprakNegociatat e Ramës me Metën, edhe PDIU kundër zgjedhjeve pa opozitën
Artikulli tjetërTahiri e Çipa zhdukin dokumenta sekrete nga kasaforta e Policisë