Tabaku: Interesa personale të qeverisë në Aeroportin e Vlorës

Në Komisionin e Ekonomisë ku u diskutua për Aeroportin e Vlorës, deputetja e PD, Jorida Tabaku u shpreh se qeveria e ka mbajtur në errësirë Kuvendin për këtë projekt. Ajo theksoi se, tentativa për të ndryshuar procedurën e prokurimit është shenjë e një interesi personal të qeverisë ndaj kompanive që kanë ofruar dëshirën për të ndërtuar këtë aeroport. “Në dijeninë time, në bazë të ligjit të koncesioneve ndërtimi i aeroportit duhej t’i nënshtrohej ligjit për koncesione dhe rrjedhimisht, procedurës koncesionare. Por kjo nuk ka ndodhur”, tha Tabaku. Ajo vuri në dukje se ligji për investimet strategjike nuk përcakton në asnjë pikë rastet kur investitori strategjik përjashtohet nga procedurat. Duke këmbëngulur në pavlefshmërinë e propozimit të qeverisë. Sakaq, deputetja në komision theksoi se baza ligjore ku është vendosur projektligji i propozuar është qesharake, pasi as Kushtetuta, as Ligji për investimet strategjike nuk janë kolonat e tij. Me sa duket, shtoi deputetja e PD, qeveria do të përdorë Kuvendin si një mburojë për abuzimet e saj në këtë koncesion. Sipas saj, qeveria jo vetëm po bën një investim që nuk ka asnjë studim fizibiliteti, por gjithashtu po thyen edhe Marrëveshjen për Zonën e Përbashkët Europiane të Aviacionit ECAA,e cila detyron shtetet të mos ndërhyjnë me subvencione për të deformuar konkurencën mes aeroporteve jo vetëm brenda vendit, por edhe me aeroportet e tjera të rajonit. “Me ndryshimet që iu bënë marrëveshjes koncesionare me TIA përveç shtyrjes së afatit me dy vjet deri në prill 2027, Vlora dhe Kukësi quhen “aeroporte të përjashtuar”, që do të thotë se janë të vetmit që mund të vihen në përdorim në një rreze 100 km nga Aeroporti i Tiranës “Nënë Tereza”. Ndryshe nga operimi i Aeroportit të Kukësit që nuk ka impakt në zgjatjen e mëtejshme të afatit të koncesionit të aeroportit të Tiranes vënia në operim e Aeroportit të Vlorës do të ndikojë me zgjatjen me 0,5 vjet për çdo vit të mbetur nga koncesioni aktual deri në vitin 2027. Sikur punimet të fillojnë në qershor 2018 si pretendon kryeministri, ky aeroport nuk mund të jetë gati para vitit 2020, duke pasur parasysh kohën fizike për ndërtimin dhe çertifikimin e tij që do të thotë se shtesa për koncesionin e Aeroportit Nënë Tereza do të jetë 3-3,5 vjet”,sqaron deputetja.

Artikulli paraprakSi po e fsheh qeveria vjedhjen e madhe që synon me Aeroportin e Vlorës
Artikulli tjetërPDIU akuzon Ramën si “kalë troje”