Szczesny: Ja çfarë më tha në vesh Ronaldo, para penalltisë së Higuain

Ato fituan një titull kampioni dhe një Kupë Italie së bashku. Pastaj, rrugët e Szczesny dhe Higuain u ndanë. I pari u bë “pronar” i portës së Juventusit, pas lamtumirës pariziene të Buffon, ndërsa sulmuesi argjentinas u bë “princi” i Milanit, pas ardhjes së Cristiano Ronaldos në Torino. Ata u takuan përsëri në “San Siro”, të dielën në mbrëmje. Polaku e mundi 2-0 argjentinasin.
Dora e Benatia ishte penallti për kuqezinjtë. Në atë moment, Cristiano Ronaldo i shkon afër Szczesny për t’i thënë diçka në vesh. E cila, sipas portierit bardhezi, kishte të bënte me mënyrën si i gjuan penalltitë Higuain. Polaku e kuptoi krahun e goditjes së topit, e devijoi paksa atë, por e ndihmoi edhe shtylla për t’i thënë “jo” golit të barazimit.
“Ajo që më pëshpëriti në vesh Cristiano Ronaldo, para goditjes së penalltisë? Më tha se Higuain i godet tokazi dhe fort 11-metërshat. Këtë gjë e dija, sepse kemi luajtur bashkë për një vit te Juventusi, por ndoqa këshillën e Ronaldos për krahun, nga duhej të hidhesha”, rrëfeu Szczesny pas fitores kundër Milanit, i cili po shijon rolin e titullarit tashmë te bardhezinjtë.
Për këtë fakt, ai shton: “Është e rëndësishme për të pasur një marrëdhënie të mirë me mbrojtësit. Komunikimi në lojë më ndihmon shumë. Natyrisht, është e vështirë për ta zëvendësuar Buffonin, por ky mision më bëhet disi më i lehtë nga mbrojtja që kam përpara”.

Artikulli paraprakKLSH, 299 kallzime penale në 6 vite
Artikulli tjetërVuçiç takohet me Merkelin në Paris, bisedime për çështjen e Kosovës