Sulmuesit qetësojnë De Biasin

Mesfusha dhe sulmi i japin sinjale pozitive Gianni de Biasit përpara ndeshjes kualifikuese të Botërorit me Italinë. Nëse për portën, aty ku Etrit Berisha është i skualifikuar mendohet që ka balotazh ndërmjet Strakoshës dhe Alban Hoxhës, në mbrojtje mbeten për t’u zgjidhur dilemat më të mëdha.
Me Gjimshitin të pezulluar dhe Mavrajn të dëmtuar, ka pikëpyetje për dyshen qendrore, aty ku Ajeti po luan pak te Torino, ndërsa Burim Kukeli mund të jetë “xholi” i stafit teknik. Të vetmet garanci vijnë nga krahët. Në të djathtë Elseid Hysaj, që edhe në këtë fundjavë u konfirmua si një prej pikave të forta të Napolit në fitoren ndaj Crotones, ndërsa majtas kapiteni Ansi Agolli që me Qarabagun vijon garën për titullin në Azerbajxhan.
Në mesfushë, Taulant Xhaka ishte sërish mes më të mirëve në fushë për Baselin, me pozicionimin përpara mbrojtjes, në fitoren 1-0 në fushën e Sionit. Ledian Memushaj ishte më i miri në fushë për Pescara-n, në humbjen 3-1 që skuadra e Zeman pësoi në shtëpi përballë Udineses.
Odise Roshi luajti gjatë gjithë ndeshjes, në barazimin pa gola që Terek Grozni regjistroi në fushën e Rostov në Premierligën ruse. Ndërkohë, Jahmir Hyka shkëlqeu në Major League Soccer amerikane. I aktivizuar si zëvendësues prej startit të pjesës së dytë, Hyka dha asistin e golit të fitores 3-2 të San Hoze Earthquakes përballë Vancouver.
Përsa i takon sulmuesve, ndërsa Bekim Balaj po vuan të gjejë rrugën e rrjetës në gjysmën e dytë të sezonit te Terek Grozni, ku gjithsesi mbetet sulmuesi titullar i ekipit çeçen, ai që vazhdon të shënojë me ritme mbresëlënëse është Armando Sadiku.
Armando Sadiku konfirmohet bomber te Lugano. Sulmuesi shqiptar vazhdon të shënojë me rregullsi mbresëlënëse në Superligën zvicerane, edhe pse ashtu si ndodhi gjatë kësaj fundjave, skuadra jo gjithmonë është në lartësinë e tij. Sulmuesi elbasanas realizoi sërish në humbjen 5-2 që Lugano pësoi në fushën e Thun, duke u ngjitur në kuotën e 5 golave në gjashtë ndeshje të luajtura.
Golin e parë me Pisën e gjeti edhe Rey Manaj, në humbjen dramatike 2-1 që skuadra e Gattuso-s pësoi në fushën e Vicenzas, ndërsa sinjale pozitive dha edhe Shkëlzen Gashi, që u aktivizua për afro 20 minuta në ndeshjen ku Colorado Rapids u mposhtën 1-0 nga Red Bull New York, duke konfirmuar se e ka lënë pas dëmtimin.

Artikulli paraprakLicencimi i dyshimtë i bankës ku u emërua drejtore Linda Rama
Artikulli tjetërKosovë, bizneset dhe qytetarët të mbytur në kredi