Sulmi “Ransomware” përhapet edhe në Rumani

Së paku tri kompani shumëkombëshe në Rumani janë prekur nga sulmi kibernetik që ka goditur institucionet, kompanitë dhe bankat në Rusi, Ukrainë, Danimarkë, Britani të Madhe dhe madje në Shtetet e Bashkuara – dhe që të mërkurën vazhdoi të përhapet edhe në Azi.
Sulmi GoldenEye filloi të martën në Ukrainë, duke shënjestruar shpërndarjen e energjisë, aeroportin, bankën kombëtare, firmat e komunikimit dhe madje edhe sistemin e monitorimit të rrezatimit të Çernobilit, ku u morën në kontroll kompjuterët, u koduan të dhënat e përdoruesve dhe më pas u kërkuan para për të lejuar aksesin.
Ekspertët rumunë të sigurisë kibernetike thanë se Rumania ishte më pak e prekur se Ukraina. Zëdhënësi i inteligjencës, Ovidiu Marincea tha të mërkurën se asnjë nga 54 institucionet shtetërore të mbrojtura nga sistemi kombëtar i IT & C nuk ishte prekur.
Megjithatë, tha ai se ky sistem mbulon vetëm institucionet shtetërore, jo kompanitë private.
Kompania rumune e sigurisë kibernetike Bitdefender tha të martën se sulmi i ri shfrytëzon të njëjtën dobësi në sistemin operativ të Windows që e ka krijuar Agjencia Kombëtare e Sigurisë në SHBA, NSA, që është vjedhur nga hakerat dhe më pas është përdorur në sulmet kibernetike si WannaCry dhe Adylkuzz në mesin e muajit maj, ku u prekën 150 vende.
Kompanitë rumune u goditën gjithashtu nga sulmi WannaCry në maj, ku prodhuesi i makinave Dacia-Renault ishte midis të prekurve.
Disa ditë më parë, Ministria e Jashtme njoftoi se ka penguar një sulm ku u përdor një e-mail nga një zyrtar i NATO-s.
Pas dy sulmeve, SRI organizoi trajnimin më të madh kibernetik të Rumanisë ku morën pjesë 60 kompani dhe institucione shtetërore.
Në mes të marsit 2017, Microsoft zhvilloi një teknikë që bllokon këtë sulm kibernetik, por shumë kompjuterë në mbarë botën përdorin versionet e vjetra të Windows dhe nuk mund të marrin përditësimin.

Artikulli paraprakAkuzat e reja të Iranit ndaj SHBA
Artikulli tjetërSi mund të reformohet Franca?