Sulmi në Siri, gabim i rëndë i Bundeswehrit

Me shumë gjasa ushtria gjermane është përfshirë në një sulm ajror me pasoja të rënda në Siri, ku humbën jetën shumë civilë. Ishin tornadot gjermanë, ata që kanë vëzhguar objektivin e i kanë dërguar pamjet amerikanëve. Sipas hulumtimeve të televizionit, “ARD” tornadot gjermanë kanë fiksuar pamje të një kompleksi ndërtesash në rajonin e Sirisë, Al-Mansoura dhe ua kanë dërguar ato koalicionit ndërkombëtar kundër të ashtuquajturit Shteti Islamik. Një ditë më vonë këto pamje janë përdorur për të bombarduar kompleksin e ndërtesave. Komisioni i Mbrojtjes i Bundestagut duket se është informuar për këtë incident.

Sulm ndaj një shkolle
Por sipas të dhënave të Qendrës Vëzhguese siriane për të Drejtat e Njeriut në këtë vend ka qenë një shkollë e si pasojë e sulmit kanë humbur jetën 33 civilë. Ndërsa bombardimi është kryer nga avionë luftarakë amerikanë të koalicionit ndërkombëtar, ka bërë të ditur zyra siriane. Mes viktimave kanë qenë gra dhe fëmijë. Aktivistë të të drejtave të njeriut të qendrës siriane me seli në Londër i bëjnë deklaratat në bazë të pohimeve të informantëve të tyre, ku thuhet se në këtë ndërtesë ishin strehuar 40 familje. Edhe agjencia e lajmeve siriane, “Sana” ka bërë të ditur, se në një sulm ajror amerikan në afërsi të Al-Mansouras, pranë bastionit të IS-it, Raka, kanë humbur jetën shumë civilë.
Nga ana e saj ushtria amerikane ka bërë të ditur, se nuk ka të dhëna, që një sulm ajror në rajon ka prekur civilët. Sipas tyre është bombarduar një ndërtesë, ku kanë qenë të strehuar anëtarë të rrjetit terrorist të Al-Kaidas. Ndërsa xhamia në afërsi nuk është bombarduar, u tha. Forcat amerikane kanë pohuar, se do të vazhdojnë të kryejnë verifikimet.

Nuk ka konfirmim për shkak të ruajtjes së sekretit
Aviacioni luftarak amerikan lufton që nga viti 2014 ekstremistët e IS-it dhe Al-Kaidas. Bundeswehri gjerman nuk merr pjesë në sulme, por dërgon vetëm pamje. Tornadot gjermanë të stacionuar në Incirlik, Turqi ofrojnë pamje të cilësisë së lartë mbi pozicionet e IS-it për të identifikuar objektivat e sulmit. Ministria e Brendshme gjermane nuk e ka konfirmuar sulmin për arsye të ruajtjes së sekretit. “Për të dhënat dhe objektivat nuk shprehemi”, ka thënë një zëdhënës. Por është një punë rutinë e tornadove të fotografojnë objektiva të mundshme. Në pamjet e ofruara nuk ishte i mundur verifikimi, se cilët persona kanë qenë të strehuar. Qëllimi kryesor i trupës është mbrojtja e jetës së civilëve, thuhet nga Ministria e Mbrojtjes.

Informacionet e pasakta vrasin civilë
Tornadot gjermanë u përfshinë në bombardimin e një shkolle në Siri, një ndër shumë raste, ku viktima janë civilët. Chris Woods nga platforma airwars.org flet për viktimat civile në luftë kundër IS-it dhe rolin gjerman.
– “Deutsche Welle”: Me shumë gjasa tornadot gjermanë, pra avionët e spiunazhit kanë luajtur rol kryesor në bombardimin e një shkolle në Al-Mansoura, pranë Rakas. Sipas raportimeve të mediave gjermane humbën jetën 33 civilë. Sa viktima civile ka në sulmet e koalicionit botëror kundër IS-it?
Chris Woods: Lufta kundër IS-it filloi në gusht 2014. Në shtator 2014 filluan bombardimet e para në Siri, pra para misionit të tornadove gjermanë, që filluan në janar 2016. Nga shtatori 2014, sipas informacioneve tona kanë humbur jetën 1400 civilë në Siri. Bashkë me Irakun mund të flitet për 2800 viktima civile. Kemi të bëjmë me një konflikt të rrezikshëm, me një numër fatkeqësisht shumë të lartë viktimash të civilëve.

– Opinionit gjerman iu tha, se avionët gjermanë nuk do të përdoren për sulme. Por a mund të bëhet dallimi mes përgjimit nga njëra anë dhe përzgjedhjes së objektivave dhe sulmeve vdekjeprurëse nga ana tjetër? Çfarë bëjnë saktësisht tornadot dhe sa të rëndësishëm janë?
Konflikti në Siri varet shumë nga përgjimi nga ajri. Vende si Gjermania, që nuk marrin pjesë në sulme të drejtpërdrejta, luajnë megjithatë një rol të rëndësishëm në mbledhjen e informacioneve të rëndësishme nga ajri, që transferohen pastaj në sulme vdekjeprurëse të të tjerëve, më shumë të SHBA-së. Tornadot gjermanë nuk bombardojnë, por ata ofrojnë informacione, që përdoren për operacione vdekjeprurëse. Gjermania nuk e ka gishtin në shënjestër, por informacionet gjermane luajnë rol qendror në sulmet ajrore kundë objektivave të IS-it.

– Ofensiva kundër Mosulit është në zhvillim e sipër, edhe ofensiva kundër Rakas po përgatitet. Duhet të përgatitemi për më shumë viktima në civilë?
Muajt e fundit kemi një rritje të dukshme të viktimave të civilëve përreth Rakas, kjo më parë se të fillonte sulmi i parashikuar kundër Rakas. Ajo që duket më shqetësuese, është se numri më i madh i viktimave është në fshatrat e qytetet e vogla jo me popullsi të dendur. Ne shqetësohemi, se kjo rritje e numrit të civilëve është pasojë e strategjisë së përshpejtimit të luftës. Aktualisht kemi 10 herë më shumë sulme ajrore mbi Rakan, se para një gjysmë viti.
Por ne mendojmë, se ka më shumë viktima në civilë, edhe sepse informacionet nuk janë të sakta, si nga ajri ashtu edhe nga toka. Në Raka koalicioni kundër IS-it punon me forcat kryesisht kurde të vetëmbrojtjes, SDF. Por ata nuk vijnë nga ky rajon, por nga rajone të tjera. Po ashtu për shkak se koalicioni vetë ka informacione të kufizuara për terrenin lokal, kemi këtë situatë, që civilët humbasin jetën për shkak të informacioneve të pasakta. Sipas mendimit tonë, rreziku për civilët është rritur.

Artikulli paraprakKosova nuk zbaton ligjet e shëndetësisë
Artikulli tjetërTillerson: SHBA do t’i respektojë marrëveshjet me aleatët në NATO