Studioja e sheshit, projektoi edhe shtëpinë e Ramës, nën hetim për korrupsion në Belgjikë

Një skandal që ka shpërthyer në Belgjikë me një tender të zhvilluar për studimin e fizibilitetit për realizimin e projekteve në Shqipëri ka nxjerrë në sipërfaqje lidhjet e arkitektëve që janë nën hetim nga autoritetet belge me Edi Ramën. Jo vetëm kaq, por pas këtyre fijeve lidhen edhe familjarë e bashkëpunëtorë të ngushtë të Kryeministrit shqiptar.
Peter Swinnen, drejtues i Qendrës së Arkitektëve flamanë, këshilltar i qeverisë flamane dhe themelues i studios “51N4E” po hetohet për shkak se një tender, sipas nismës “Atelier Albania” të Edi Ramës, ia ka dhënë një miku të tij në konflikt interesi, edhe ai i njohur i Kryeministrit shqiptar.
Swinnen konsiderohet si njeri me lidhje të forta me qeverinë shqiptare për shkak të njohjeve me Ramën. Ai nuk është i lidhur me kryetarin e qeverisë së Tiranës vetëm përmes projekteve publike kur Rama drejtonte bashkinë e kryeqytetit, por edhe me projekte private të tij të kohëve të fundit. “51N4E” është projektuese e vilës së Edi Ramës në fshatin Surrel, rrëzë malit të Dajtit.
Veç projekteve të fituara në Bashkinë e Tiranës, në regjistrat e “51N4E” zbulohet edhe një lidhje familjare mes Peter Swinnen dhe Ramës. Një prej bashkëpunëtorëve të kësaj studioje arkitekturore rezulton të jetë Rea Xhillari, vajza e Linda Bashës, bashkëshortes së Kryeministrit shqiptar. Emri i saj është në listën e mëposhtme që pasqyron skuadrën e “51N4E”.
Veç familjares së Kryeministrit, “51N4E” është e lidhur edhe me një prej bashkëpunëtorëve të tij më të ngushtë. Anri Sala, një prej miqve më të afër të Ramës (bashkëpunëtor në lyerjen e fasadave të kryeqytetit) ka bashkëpunuar me “51N4E” në projektin për rehabilitimin e sheshit “Skënderbej”, sipas projektit belg që Rama synonte të implementonte në Tiranë kur ishte kryetar i bashkisë.
“51N4E” është jo rastësisht edhe projektuesja e kullës shumëkatëshe (TID) të ndërtuar në rrugën “Abdi Toptani” nga një prej miqve të ngushtë të Ramës.
Peter Swinnen u shkarkua nga detyra dhe po hetohet në Belgjikë pasi favorizoi në tenderin për studimin e fizibilitetit të projekteve në Shqipëri studion “Centrum voor Stadsontwikkeling” CVBA, që drejtohet nga Patrick Janssens. “Lapsi.al” zbulon se lidhjet mes tyre të çojnë sërish në Shqipëri.
Janssens, kryetar i Partisë Socialiste flamane në Belgjikë dhe kryetar i Bashkisë së Atnwerpit, kohë gjatë së cilës mendohet se është njohur me Ramën, ka qenë pjesë e jurisë së konkursit për projektin e “Lungomares” – shëtitores së Vlorës.
Ky projekt u fitua nga “XDGA”, e drejtuar nga Xaveer de Geyter. Fijet e lidhjes shtrihen nga Geyter tek “51N4E” e Peter Swinnen, pasi Xaveer de Geyter rezulton të ketë qenë pjesë e komisionit të vlerësimit për projektin e sheshit “Skënderbej”, të hartuar nga “51N4E”. Ai ka qenë edhe redaktor i manualit të “51N4E”.
Swinnen dhe Janssens kishin vendosur të bashkëpunonin më në fund hapur për projektet e “Atelier Albania”, një organizëm në vartësi të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, i drejtuar nga arkitekti Joni Baboçi. “Atelier Albania” është një “njësi laboratorike” në brendësi të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit të drejtuar nga Adelina Greca. Zonja Greca ka qenë funksionare në Drejtorinë e Planifikimit Urban dhe shefe e Departamentit të Planifikimit në Bashkinë e Tiranës, në kohën kur ajo drejtohej nga Edi Rama.
Misioni i “Atelier Albania” është: “’Atelier Albania’ do të hartojë procesin për projektet transformuese urbane dhe territoriale në bashkëpunim të ngushtë me të gjitha ministritë e interesuara, me shoqërinë civile, si dhe të gjithë palët publike apo private me interes të drejtpërdrejtë në zhvillimin territorial dhe atë urban. ‘Aterlier Albania’ do të projektojë dhe koordinojë planin për hartimin e një plani. Ajo do të funksionojë si një platformë e përhershme bashkëpunimi midis ekspertëve vendas, ekspertëve të huaj dhe grupeve të interesit; duke ndërtuar kapacitete në të gjitha nivelet e shoqërisë për sa i përket zhvillimit hapësinor, territorial dhe urban në Shqipëri. ‘Atelier Albania’ do të jetë një instrument për ndërtimin e projekteve dhe për ndërlidhjen e donatorëve me prioritete të vendit dhe me ekspertizën e duhur lokale dhe të huaj”.
Tenderi për të cilin po hetohet kreu i studios belge, i cili ka projektuar edhe shtëpinë e Ramës në Surrel, ishte pikërisht për studimin e fizibilitetit për projektet që mund të zhvilloheshin në bashkëpunim me “Atelier Albania”, që siç shihet drejtohet nga një “besnike” e Ramës.
Kështu, afera e fundit që ka shpërthyer në Belgjikë, ashtu siç thonë tashmë mediat belge, nuk ka qenë e rastësishme. Arsyet që të çojnë në këtë përfundim janë lidhjet e forta që Swinnen ka me Kryeministrin shqiptar Edi Rama, jo vetëm nga bashkëpunimi i hershëm për projekte të rëndësishme miliona euroshe në Bashkinë e Tiranës apo i atyre në rang kombëtar tani që Rama është zgjedhur Kryeministër, por edhe nga njohja dhe bashkëpunimi me familjarët dhe miqtë më të afërt të kreut të qeverisë shqiptare.

Lidhjet e forta të kompanisë belge me Ramën

Kompania “51N4E” e bashkëthemeluar nga Peter Swinnen, shpallësi i tenderit për nismën “Atelier Albania”, ka qenë një nga kompanitë arkitekturore më të rëndësishme për Ramën. Kjo kompani ka bërë projektin për Sheshin “Skënderbej”, që zgjati për 4 vite me radhë, duke mbajtur peng gjithë trafikun në Tiranë dhe si përfundim nuk u realizua kurrë. Po ashtu, fituesi i tenderit të projektit të “Lungomares” në Vlorë u shpall më 21 shkurt 2014 Xaveer de Geyter me studion “XDGA”. Vetëm disa muaj më pas, në korrik të 2014, u evidentua, se projekti kishte probleme. Xaveer de Geyter ka qenë pjesë e komisionit vlerësues për projektin e Sheshit “Skënderbej” dhe i njohuri Peter Swinnen. Xaveer de Geyter rezulton gjithashtu se ka redaktuar manualin për kompaninë “51N4E”.
Në jurinë ndërkombëtare për seleksionimin e projektit të “Lungomares” ka qenë edhe fituesi i tenderit për nismën “Atelier Albania”, Patrick Janssens. Janssens nuk është një i panjohur për Edi Ramën. Ai duket se është njohur me të gjatë kohës që ka mbajtur postin e kryetarit në Partinë Socialiste flamane në Belgjikë, si dhe kur drejtonte (për shumë vite) Bashkinë e qytetit të Antwerpenit, bashkia më e madhe në vend. Në Shqipëri, studioja e tij ka projektuar edhe të tjera objekte si qendra e biznesit që ngrihet pranë sahatit të Tiranës, pikërisht në rrënjët e hamamit të njohur si objekt kulture. Lidhjet e belgut me Kryeministrin Rama duket se janë edhe personale, pasi është pikërisht Janssens që ka ideuar dhe projektuar shtëpinë e re të Kryeministrit Rama.

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërSkandal! Mimi përzë prokurorët nga hetimi për rrëzimin e helikopterit