Studentët nisin mosbindjen civile, bllokojnë 3 rrugët kryesore në Tiranë

Studentët përshkallëzojnë protestën me mosbindje civile. Pas protestës për disa orë para Kryeministrisë, studentët janë nisur drejt qendrës së Tiranës ku do të bllokojnë tre pika kyç të rrugëve për të paraliziar qarkullimin.
Studentët e universiteteve publike janë mbledhur para Kryeministrisë në një protestë kombëtare. Ashtu sikur edhe dje, ata i bënë thirrje qytetarëve shqiptarë që të jenë të pranishëm në këtë protestë paqësore. Rreth orës 09:00 studentët nisën të mblidhen nëpër fakultetet e tyre, ndërsa kanë gjetur forma të veçanta, duke vendosur shirita apo dhe zinxhirë nëpër dyert e këtyre institucioneve, për të pezulluar kështu mësimin.
Me thirrje në kor; ‘plotësoni kërkesat’, ‘I duam tarifat sa Erjon Braçe’ studentët u stacionuan para Kryeministrisë, në pritje që të tjerë t’i bashkohen protestës.
Pavarësisht thirrjeve, ata kanë nënvizuar faktin se kauza e tyre nuk është politike, ndërsa shtojnë se do vazhdojnë protestat deri në plotësimin e 8 kërkesave pa dialog.
Ndonëse partitë politike, si në rastin e LSI, u kanë bërë thirrje të rinjve të tyre që të lënë kartat e anëtarësimit dhe t’i bashkohen protestës, studentët kanë pohuar se tubimi nuk do të marrë ngjyrime politike.
Ditën e sotme po ashtu është paralajmëruar edhe një takim në Rektorat me studentët, ndërsa nuk dihet nëse këta të fundit do të shkojnë.
Ndonëse prej 13 ditësh të rinjtë që vazhdojnë arsimin e lartë në Tiranë, dhe jo vetëm, protestojnë, kryeministri Edi Rama nëpërmjet deklaratave për mediat apo dhe postimeve në rrjetet sociale nuk lëshon pe, duke i bërë të ditur të rinjve se kërkesat e tyre do të zgjidhen vetëm përmes dialogut.

Artikulli paraprakZëri i Amerikës jehonë protestës së studentëve: Rama flet pa lidhje…
Artikulli tjetërBasha replikon me mediat: Pyesni Markun pse s’heton Ramën për vjedhjen e 40 milionë eurove?