Studentët mbyllin protestën për sot: Rikthehemi nesër në orën 10:00!

Mbyllet pas rreth 3 orësh protesta e studentëve në ditën e dytë për këtë vit para godinës së Kryeministrisë. Studentët kanë paralajmëruar se do rikthehen sërish nesër në protestë në orën 10:00.
Në protestën e sotme u vërejt një numër jo i madh i studentëve në krahasim me protestat e ditëve të kaluara. Studentët shprehen se ka edhe studentë që janë rikthyer në auditore, pasi kanë frikë dhe pasiguri se mos humbasin vitin akademik.
“Një pjesë e studentëve mund të kenë përfituar pasiguri. Disa studentë janë rikthyer në auditore, pasi kanë frikë mos humbasin vitin akademik. Nëse nuk bojkotohet dhe shkohet në mësim, thyerje e bojkotit quhet, por ne kuptojmë frikën e tyre. Ata nuk kanë braktisur protestën, por janë përkohësisht në auditorë”, thotë një studente.
Pavarësisht disa vendimeve të Këshillit të Ministrave si dhe paktit për Universitetin të propozuar nga qeveria, studentët kanë paralajmëruar se nuk do të bëjnë kompromis dhe se do të kërkojnë plotësimin e kërkesave të tyre, jo me VKM por me votë në parlament. Sipas studentëve, drafti për universitetin nuk është i plotë dhe i saktë, ndaj edhe protestat do të vazhdojnë.
Kujtojmë se ishte 5 dhjetori i vitit të kaluar, kur studentë të universiteteve publike të Tiranës marshuan para Ministrisë së Arsimit duke kërkuar fillimisht shfuqizimin e pikës 4 të VKM 288, që përcaktonte një tarifë shtesë për provimet e mbartura.
Por pas plotësimit të kësaj pike, studentët shtuan edhe kërkesa të tjera siç janë rritja e buxhetit për arsimin, ulja e tarifave, si dhe përmirësimi i kushteve në universitete dhe konvikte.

Artikulli paraprak28 vite më parë lindi RD-ja e 28 vite më vonë kemi Ertv-në
Artikulli tjetërDhunohet rëndë deputeti gjerman, autorët ende të paidentifikuar