Sprova e Bashës

Bledi KASMI

Konsensusi i mbrëmshëm kishte të njëjtën formulë të Reformës në Drejtësi si ajo e dy ditëve më parë. Nuk ndryshoi as formulën e Komisionerit Hahn për Vetingun as atë të Ndihmës Sekretares Nuland.
Marrëveshja u vonua 24 orë për të mbërritur tek entuziazmi i mesditës të së mërkurës, kur Ramës i ra si damlla në kokë qëndrimi zyrtar i Brukselit se vëzhguesit ndërkombëtarë nuk do të kishin kompetenca vendimmarrëse, sikurse ai betohej se ishte “vija e kuqe”, por vetëm kompetenca rekomanduese, sikurse kërkonte opozita.
Tensioni i orëve të mesnatës dhe mëngjesit të së enjtes kishte një motivim që nuk kishte të bënte me paketën e Reformës në Drejtësi, por me kurorën e fituesit.
Kancelarja gjermane ia vendosi këtë kurorë Kryetarit të opozitës, duke u shprehur qartë se Basha kishte dëshmuar lidership për rolin që kishte luajtur në Reformën në Drejtësi.
Të njëjtën gjë bëri edhe Komisioneri për Zgjerimin e BE, Hahn si dhe grupi që ka kontrollin në Parlamentin Europian ai i PPE. Praktikisht tre individë dhe grupimet më të fuqishme në Europë njohën në Shqipëri një lidership të ri. Basha tha se kishte patur një telefonatë të ngjashme edhe me Ndihmës Sekretaren amerikane të Shtetit, Nuland.
Ky reagim ndërkombëtar solli xhelozi në Tiranë. Lideri botëror nuk mund të pranonte një poshtërim të tillë me turp dhe ai u hakmorr si një fëmijë qaraman. Përmbysi konsensusin e Reformës, duke e parë këtë si mënyrën e vetme për t’u rifaktorizuar.
Mbetet ende e habitshme se si këtij zemërimi iu bashkuan edhe disa nëpunës të vegjël të shqiptarizuar muajt e fundit me veset tona më të këqija? Se si dikush humbi arsyen dhe flaku tutje kostumin ekulibrues, duke u kthyer brenda pak orëve në një Armando Prengë kërcënues?
Të gjithë këta janë mes nesh sërish, bashkë me kritizerët qesharakë me honorare kryeministrore, por asnjë prej tyre nuk mund t’i heqë kurorën e lidershipit, që Bashës ia vendosi Berlini dhe Brukseli. Do të duhet të mësohen. Ta kthejnë dhimbjen në forcë dhe të kuptojnë se pazaret e vogla nuk mund të zëvendësojnë parimet e mëdha.
Basha mund të ketë bërë shumë beteja gjatë këtyre pak viteve në politikë, por kjo e Reformës për Drejtësi ishte sprova më e vështirë, të cilën ai e kaloi me sukses. E kaloi me sukses, duke mposhtur një presion kriminal të gjithanshëm, duke mos u nënshtruar.
Si një diplomat i shkëlqyer ai kapërceu gardhet dhe barrikadat e interesave të vogla primitive brenda vendit, të cilat ishin kthyer në një mur ideologjik të pakalueshëm dhe gjeti çelësin për të hapur dyert në Uashington, Bruksel dhe Berlin.
Sot kemi një Reformë në Drejtësi me standarde të tjera nga ato të 72 orëve më parë, ku një kryeministër i papërgjegjshëm dhe ekspertë me maska kolonizatorësh kishin vendosur të na kthenin në Sierra Leonen apo Liberinë e Europës, ku me ligj të garantohej shkelja e lirive dhe të Drejtave të Njeriut nga një grup individësh që do të ishin mbi të gjitha ligjet e një vendi.
Ishte një sprovë e vështirë dhe e mundimshme kjo e Reformës në Drejtësi ku opozita që në fillim të saj u përjashtua nga procesi, u pa si armik i brendshëm, por që në fund mundi ta kthejë në favor të interesave të vendit këtë reformë, duke mos lejuar kapjen e Drejtësisë dhe Byrosë së Hetimit nga pushteti, duke mos lëshuar sovranitetin dhe duke përfshirë opozitën në sistem.
Basha fitoi betejën politike përballë një kundërshtari që humbi lobimin e pistë për të kontrolluar politikisht drejtësinë.

Artikulli paraprakFillimi i Drejtësisë, fundi i qeverisë
Artikulli tjetërPasojat e para të Brexit, ekonomia britanike në nivelin më të ulet në 7 vite