Sporti nën përkujdesjen e Princeshës në kohën e Mbretit

Gazeta beogradase “Pravda” e 25 nëntorit të 1933 e botoi shkrimin: “Shqipëria punon me përkushtim dhe me qasje moderne në përgatitjen fizike të rinisë së saj”. Gazeta shkruante se nga Shqipëria më nuk vinin vetëm lajme për hedhje guri, por kudo ndjehej përkushtimi i madh ndaj sportit.
“Skuadrat e sportit nuk paguajnë pulla takse për kërkesa drejtuar institucioneve shtetërore. Nuk paguajnë as telefon apo telegraf. Kur skuadrat udhëtojnë me avion jashtë shtetit paguajnë bileta me gjysmë çmimi”.
Në artikull thuhej se sporti ishte nën mbikëqyrjen e motrës së mbretit, princeshës Myzejen Zogut, e cila ndante shpërblime, dekorata dhe medalje të çmuara për sportistët, kurse Lidhja e përgjithshme e sportit në Shqipëri, e themeluar më 1929, numëronte 5000 anëtarë, ndërkaq çdo disiplinë sportive zhvillohej vetëm sipas rregullave ndërkombëtare.
Në Shqipëri ishin themeluar disa klube tenisi, kurse në Korçë dhe Durrës kishte skuadra të vaterpolos dhe notit. Gjithashtu ishin themeluar klube çiklizmi, motoçiklizmi apo automobilizmi, ndërkaq organizoheshin gara me barka motorike dhe me vela. Kishte shumë adhurim për atletikën dhe si shembull i mirë përmendet kampionati kombëtar i juniorëve, ku kishin garuar mbi 250 pjesëmarrës. Shteti e përkrahte shumë futbollin, i pranuar “me shumë simpati”.
“Ka 50 skuadra të regjistruara. Kampioni në tre vitet e para ishte S.K. “Tirana”, kurse palmën tani ja ka marrë “Skënderbeu” i Korçës”.
Qeveria i kishte urdhëruar bashkitë “skuadrave të reja, të cilat lindnin si kërpudhat, t’u jepeshin terrene sportive”, kurse “për ndërtimin e një stadiumi të madh në Tiranë ishte ndarë një kredi prej 200 mijë dinarësh”.
“Shkurt, sporti po lulëzon në Shqipëri. Mbreti Zog është adhurues i madh i kulturës fizike. Me nismën e tij, sporti është bërë lëndë e obliguar në shkolla, kurse rinia po garon me entuziazëm të pashoq”.
Gazeta e theksonte se sportit shqiptar i mungonin garat ndërkombëtare.
“Deri tani vijnë skuadra futbolli nga Podgorica, Nikshiqi dhe Cetinja. Herë pas here vjen ndonjë skuadër nga Greqia dhe shumë rrallë nga Turqia. Kur duket ndonjë flotë franceze, angleze apo italiane, atëherë garohet me marinarët, por ata luajnë futboll mesatar dhe prej tyre nuk mund të mësohet shumë”.
Kjo gazetë shkruante se në Shqipëri vinin edhe trajnerë të huaj, që angazhoheshin nga skuadra të ndryshme sporti.

Mark Temali për shportin shqiptar

Në të njëjtën gazetë, pra në “Pravda”, të 23 gushtit 1934, u botua shkrimi “Letër nga Tirana: Shqipëria para Lojërave Ballkanike” të Mark Temalit, që vlerësohet si “një prej figurave më kryesore të sportit në Shqipëri”.
Shkrimi i shkruar për gazetën “Pravda” në prag të Lojërave Ballkanike, që mbaheshin për herë të pestë në Zagreb, është pasqyrë gjithëpërfshirëse e organizimit të sportit në Shqipëri.
“Sporti në Shqipëri është ende në zanafillë. Thuhet se shqiptarët për herë të parë kanë parë lojë futbolli gjatë okupimit, kurse atletika ka nisur të zhvillohet vetëm pas Luftës Botërore. Por sporti deri më 1920 zhvillohej me ritëm shumë të dobët. Pas këtij viti mori hov të madh në Shqipëri”, shkruan Temali për “Pravda”.
“Shoqatat sportive nisën të themeloheshin nga viti 1927 dhe ishin nën përkujdesjen e qeverisë. Me këtë hov zhvillimi të sportit në Shqipëri besojmë se shumë shpejt do të jemi të barabartë me popujt e tjerë të Ballkanit”, shkruan Temali, që si seli të sportit shqiptar e veçon Tiranën, ku organizoheshin kampionate në shumë disiplina sporti.
“Këtu luhet futboll i shkëlqyeshëm dhe ka atletë shumë të mirë. Në secilën garë janë të pranishëm përfaqësuesit e qeverisë. Këtu ka disa fusha të bukura për ushtrime, kurse qeveria ka ndarë kredi për ndërtimin e një stadiumi të madh dhe modern për 50 mijë shikues”.
Krahas Tiranës qendra sportive ishin Shkodra e Korça. Në Korçë, shkruante Temali, “ka një stadium shumë të bukur, ku futbollistët dhe atletët ushtrojnë nën përkujdesjen e trajnerëve”. Korça kishte edhe sallë sportive dimërore.
“Sporti në Korçë ka kushte më të mira për zhvillim e përparim. Qytetarët janë shumë solidarë me sportistët e tyre”.
Sipas autorit edhe Durrësi kishte fusha të mira sporti dhe besonte se “për disa vite do të bëhet qendër e sportit shqiptar”.
Në Durrës, përveç futbollit, ishin të zhvilluar edhe sportet verore.
Përparim kishin shënuar edhe Elbasani, Himara dhe Gjirokastra, kurse Pogradeci organizonte kampionatin e notit.
“Skuadrat tona nuk marrin ndihmë nga shteti, por gëzojnë privilegje të mëdha. Rol më të madh luajnë bashkitë, ku dallohet Tirana”, shkruan Temali.

Skuadra e Tiranës me trajner hungarez

Autori S. Iveziç, në shkrimin “Organizimi i sportit shqiptar në duart e shtetit”, i botuar në “Vreme”, më 18 nëntor 1934, veçonte organizimin e mirë të skuadrave sportive, veçanërisht S.K. “Tirana”.
“Deri para do kohe kampioni i Shqipërisë, S.K. “Tirana” udhëhiqej nga trajneri hungarez z. Samuel Singer. S.K. “Tirana” ka 64 lojtarë, të ndarë në 6 ekipe. Kryetarit të S.K. “Tirana” Peki Selmanit, një sekretar shtetëror në kryesinë e qeverisë, i mungoi përkushtimi ndaj klubit prandaj në vendin e tij erdhi avokati Dr. Shundi”.
Gazeta shkruante se për çdo vit organizohej kampionati shtetëror i futbollit, ku garonin shtatë skuadra. Skuadra e fundit në renditje kalonte në kategori më inferiore, vendi i saj plotësohej nga një skuadër e re që nuk kishte garuar në kampionat.
“Vitin e kaluar kampion ishte S.K. “Skënderbeu” nga Korça, kurse këtë vit është S.K. “Tirana” nga Tirana. Në kampionat garuan: S.K. “Tirana”, “Bashkimi Shkodran”, “Teuta” nga Durrësi, Sportklub “Vlora”, “Gjirokastra” dhe “Skënderbeu”. Skuadër më e dobët ishte Gjirokastra, kurse vendin e saj e zuri S.K. “Elbasani”.
Skuadrat shqiptare shquheshin për disiplinën sportive. “Të gjithë e dëgjojnë trajnerin, komisarin apo referentin. Çdo gabim dënohet me 3 javë pezullim, gabimi i dytë është njëvjeçar, kurse për gabimin e tretë lojtarit i merret e drejta për sport”.
Skuadrat shqiptare gjithashtu zhvillonin përballje ndërkombëtare, kryesisht me skuadra nga Mali i Zi.

“Tirona” sipas gazetave serbe

Skuadra që përmendet shumë herë në mediat serbe është S.K. “Tirana”, për të cilën thuhet se ishte themeluar më 15 gusht 1920 (ose më 16 gusht 1920 sikurse qëndron në faqen zyrtare të skuadrës).
Në vitet e 30 të shekullit të kaluar, kjo skuadër shpesh zhvillonte përballje ndërkombëtare, duke mposhtur skuadra të njohura nga Jugosllavia e atëhershme. Gjatë raportimeve shpesh theksohej loja cilësore e skuadrës shqiptare.
Sivjet kjo skuadër përjetoi rënien nga Kategoria Superiore. Një gazetë serbe e kohës shkruan se e njëjta i kish ndodhur edhe në vitin 1933, por atëherë situata dukej ndryshe, sepse skuadra e parë ra në kategorinë e dytë, por ishte skuadra rezervë që u ngjit në kategorinë superiore.
Në shkrimin “Kjo nuk ka ndodhur! Zëvendësimi shpëtimtar”, të botuar në “Vreme” më 21 maj 1933 shkruhej: “Këtu ka ndodhur e pazakonshmja. Në Shqipëri ka ndodhur që skuadra e rangut më të lartë të luajë në rang të dytë. S.K. “Tirana” me ekipin e parë zuri vendin e fundit dhe u desh të garonte në rangun e dytë, kurse skuadra rezervë zuri vendin e parë në kategorinë e dytë dhe kaloi në kategorinë e parë! Përndryshe, këtu futbolli po përparon vazhdimisht. I ndihmuar shumë prej shtetit futbolli merr shumë hov. Është interesant se deri tani më mirë qëndron Korça. “Skënderbeu” është i pari në kampionat, i dyti renditet “Bashkimi” i Shkodrës, i treti është “Sportklub” nga Kavaja dhe e katërta është “Teuta” nga Durrësi”.
Në vazhdim ua përcjellim edhe disa shkrime të kohës në gazetat serbe, që flasin për sukseset e klubit “Tirana”.

Tirana kampion i Shqipërisë

“Tiranë, 1 gusht – Javën e kaluar përfundoi kampionati i futbollit në Shqipëri. Këtë vit kampionatin e fitoi klubi i sportit “Tirana” dhe së shpejti do të fillojë përgatitjet për një turne nëpër Jugosllavi” (Pravda, 2 gusht 1934)

S.K. Tirana – S.K.Cernogorec 7:0
“Cetinjë, 7 gusht – Sot në stadiumin e Cetinjës u luajt ndeshja miqësore ndërmjet S.K. “Tiranës” dhe S.K. “Cernogorecit” nga Cetinja. Ndeshja u ndoq me shumë interesim. Në stadium erdhën numër i madh shikuesish, për të cilët ky atraksion sporti paraqet ngjarje të rrallë. Në tribunë ishin ngritur flamuri jugosllav dhe ai shqiptar. Para orës 5 arritën lojtarët shqiptarë që u pritën me muzikë ushtarake (…) Saktësisht në orën 5 gjyqtari z. Vllado Mitroviq e filloi lojën. Në pjesën e parë të dy palët luajtën lojë të mirë, me shumë momente interesante. Pjesa e parë megjithatë përfundoi me barazim 0:0. Pjesa e dytë ishte katastrofale për vendasit, sepse pësuan humbje që askush nuk mund ta paramendonte. Golat vinin si rrëke shiu, sa publiku i revoltuar filloi ta braktiste stadiumin. Pas çdo goli të shënuar binin boritë ushtarake duke ekzekutuar marshin përshëndetës. Te shqiptarët u dalluan mbrojtja dhe portieri. Ata e prezantuan denjësisht sportin shqiptar. Ndeshja përfundoi me rezultatin 7:0 për Tiranën” (Vreme, 8 gusht 1937).

Cernogoraci në deshjen e kthimit e mposhti kampionin e Shqipërisë me 4:2 (2:2)

“Sot në stadiumin e S.K. “Cernogoracit” u luajt ndeshja e revanshit ndërmjet kampionit të Shqipërisë S.K. “Tirana” dhe S.K. “Cernogorac” nga Cetinja. Ky duel sportiv u ndoq nga një numër shumë i madh spektatorësh. Nuk kujtohet të ketë pasur ndonjë ndeshje me kaq shumë publik. Për ta parë ndeshjen, turma erdhi me kamionë nga Boka e Kotorrit. Pas humbjes së djeshme katastrofale 7:0 në favor të “Tiranës”, për çka duhet të mbajnë përgjegjësi funksionarët e S.K. “Cernogoracit”, sepse nxorën në terren një ekip të dobët, sot me një ekip të shkëlqyeshëm ishim më atraktiv se sa “Tirana”. Shqiptarët dje i mbajtën leksion S.K. “Cernogoracit”, veçanërisht drejtuesve të skuadrës, që treguan se nuk duhet qenë oportunë ndaj përbërjes së ekipit, por duhet bërë një ekip me lojtarët më cilësorë. Ekipi i ndryshuar i “Cernogoracit” bëri gjithçka dhe ishte në lartësinë e sportit të dikurshëm malazez, kur lavdia dëgjohej deri në Maltë.
Saktësisht në orën 5 referi Kiselev e filloi lojën. Menjëherë u vërejt se ndeshja do të jetë më interesante se sa në ditën e djeshme. Që nga minuta e dytë S.K. “Tirana” kaloi në epërsi. 1:0 për Tiranën. Në minutën e 10 “Cernogoraci” e barazoi rezultatin, kurse në minutën e 26 klubi nga Cetinja kaloi në epërsi 2:1. Shqiptarët barazuan në minutën e 42 dhe me rezultatin 2:2 përfundoi pjesa e parë. Pjesa e dytë nisi me ritëm më të gjallë. Publiku i motivoi lojtarët. Në minutën e 15 (të pjesës së dytë – S.S.) vendasit avancuan 3:2. Shumë shpejtë e shënuan edhe golin e katërt dhe ndeshja përfundoi 4:2 për ekipin tonë.
Pas çdo goli të shënuar jehonin boritë ushtarake me një marsh përshëndetës. Te vendasit u dallua portieri Tahir Doda, por edhe Ivanoviqi, Peroviqi dhe Dule Vukçeviqi. Referi z. Kiselov ishte në nivel” (Vreme, 9 gusht 1937).

Jugosllaven – Tirana 4:3

“Sot përpara një numri të madh shikuesish u luajt ndeshja miqësore ndërmjet kampionit të Shqipërisë S.K. “Tirana” dhe vendqsve S.K. “Jugosllaven”.
Jugosllaven fitoi me rezultat 4:3 (4:0). Vetëm se fundi ishte dëshpërues dhe u mundësoi shqiptarëve që të shënonin tri gola. Gjatë golit të tretë të shqiptarëve u lëndua një lojtar shqiptar, që u desh të dërgohej në spital.
Te vendqsit u dalluan dy mbrojtësit, kurse lojtarët e Tiranës treguan lojë tepër të gjallë dhe me shumë kombinime. Ndeshjen e referoi Veçeviç që bëri shumë gabime. Nesër luhet ndeshja e revanshit” (Vreme, 11 gusht 1937).

“Tirana” i hakmor “Jugosllovenit”

“Kotor, 12 gusht – Sot u zhvillua ndeshja e revanshit ndërmjet kampionit të Shqipërisë S.K. “Tirana” dhe klubit nga Kotorri S.K. “Jugoslloven”. Ndeshja përfundoi me fitoren e mysafirëve, me rezultat 3:1 (1:0).
Shqiptarët treguan lojë mahnitëse për publikun e shumtë. Tek ekipi vendas duhet përmendur mbrojtja e fuqishme, veçmas Pozhegun. Për lojën e S.K. “Tirana” mund të thuhen fjalët më të mira. Kampioni i Shqipërisë ishte partner dinjitoz edhe për klubet tona të ligës.
Ndeshjen e referoi shkëlqyeshëm Marinoviq. Pas lojës kryesia e S.K. Jugoslloven organizoi për mysafirët një banket, që zgjati deri në agim” (Vreme, 13 gusht 1937, f.12)./Faktiditor.ch/

Kur motrat e Zogut kujdeseshin për sportin, artet e turizmin

Krahas strukturave përkatëse që ndodheshin në organikat e dikastereve kryesore të qeverive të asaj kohe, si dhe federatave e enteve të ndryshme që kishin si detyrë funksionale masivizimin, zhvillimin dhe përhapjen e sporteve, turizmit dhe arteve në përgjithësi, për mbarëvajtjen e tyre në atë kohë kujdeseshin dhe vetë motrat e Mbretit Zog, princeshat Myzejen, Maxhide dhe Ruhije. Madje jo vetëm kaq, por pas viteve ‘30-të ato u quajtën Patronate (kujdestare) të Larta të Sporteve, Turizmit, Automobilizmit dhe Arteve të Bukura, duke i ndarë përkatësisht në këtë mënyrë: princesha Myzejen kishte në kujdestari të gjitha sportet, princesha Ruhije, artet e bukura dhe princesha Maxhide, Entin Kombëtar të Turizmit dhe Automobilizmit të mbretërisë shqiptare.

Si rrjedhojë e kësaj kujdestarie që ato kishin marrë për sportet, turizmin dhe artet e bukura, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut, bënë një punë të madhe për zhvillimin dhe përhapjen e tyre. Në sajë të kujdesit të tyre, në atë kohë u zhvilluan mjaft aktivitete, manifestime dhe spartakiada të mëdha kombëtare, sidomos ato me rastin e jubileve të 28 nëntorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, apo themelimit të mbretërisë shqiptare. Jo vetëm që princeshat Myzejen, Maxhide dhe Ruhije ishin të pranishme pothuaj në të gjitha aktivitetet e mëdha kulturore, artistike dhe sportive që zhvilloheshin gjatë atyre viteve në Tiranë, por ato shpesh herë ndërmerrnin udhëtime edhe në rrethe të tjera të vendit ku kishte aktivitete, si në Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçë, Vlorë, e deri në qytezat e vogla të vendit nga Jugu në Veri. Madje, motrat e Zogut në ato vite patën ndërmarrë edhe disa udhëtime jashtë Shqipërisë, për t‘u njohur dhe për të marrë përvojë nga shtetet më të përparuara të Perëndimit. Si rezultat edhe i kujdesit dhe punës së tyre në zhvillimin e përhapjen e sporteve, kulturës dhe arteve të bukura, në ato vite pati një hop të ndjeshëm në këto fusha dhe Shqipëria krahasohej, apo mund të konkurronte me dinjitet, jo vetëm me shtetet fqinjë të Ballkanit, si Jugosllavia, Greqia, Mali i Zi, Bullgaria etj., por edhe më gjerë, me shtete të ndryshme të Evropës. Në këtë drejtim, në ato vite sportet në përgjithësi patën një zhvillim të ndjeshëm, ku dalloheshin futbolli dhe atletika, që zhvillonin kampionate të rregullta. Madje jo vetëm kaq, por gjatë asaj periudhe kohe futbollistët dhe atletët shqiptarë zhvilluan një sërë takimesh, turnesh dhe aktivitetesh ndërkombëtare zyrtare dhe miqësore, si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë. Janë të njohura tashmë takimet dhe ndeshjet ndërkombëtare të futbollit si në rang klubesh, ashtu dhe të përfaqësuesve së Tiranës dhe kombëtares shqiptare gjatë atyre viteve, që u ndeshën me mjaft ekipe të huaja nga Mali i Zi, Serbia, Italia etj., duke zhvilluar ndeshje mjaft të bukura.

Po kështu, gjatë atyre viteve disa futbollistë shqiptarë si: Naim Kryeziu, Riza Lushta dhe më pas Loro Boriçi, u aktivizuan me mjaft sukses në disa kampionate radhazi në ekipet italiane. Krahas futbollit vlejnë për t‘u përmendur edhe kampionatet ballkanike të atletikës, ku shquhej atleti dhe trajneri i famshëm me origjinë nga Shkodra, mjeshtri i madh Luigj Shala, apo dhe Abdyl Këllezi (ish-ministër dhe zv/kryeministër i Shqipërisë në vitet 1945-1975, i ekzekutuar me pushkatim në vitin 1976 si “armik i popullit”), i cili në kampionatin ballkanik të zhvilluar në Jugosllavi në vitin 1936 konkurroi me dinjitet në garën e 400 metrave, duke zënë vendin e parë. Krahas këtyre disiplinave sportive, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut pati një zhvillim të madh edhe sporti burrëror i boksit, ku disa boksierë shqiptarë, si Refail Dishnica nga qyteti i Korçës, por edhe ndonjë tjetër, zhvilluan mjaft ndeshje ndërkombëtare si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, duke konkurruar me dinjitet me sportistë dhe emra të famshëm të këtij sporti në arenën ndërkombëtare. Veç këtyre sporteve dhe sportistëve që cituam më lart, gjatë periudhës së Monarkisë së Zogut patën një zhvillim edhe sportet e tjera, të cilat ishin nën kujdesin dhe mbështetjen e vazhdueshme të motrave të Zogut, princeshave Myzejen, Ruhije dhe Maxhide. Lidhur me këtë bëjnë fjalë edhe këto shkrime që po botojmë më poshtë në këto faqe të rubrikës sonë historike “Dossier”, të cilat i kemi shkëputur nga revista “Diana” (me pronar dhe drejtor Medin Kamberin), një nga publicistët e njohur të periudhës së Monarkisë. Në këto shkrime që po i botojmë pa asnjë ndryshim, flitet për kontributin e motrave të Zogut në zhvillimin e përhapjen e sporteve, turizmit dhe arteve të bukura gjatë kohës së Monarkisë.

Patronesha e Lartë e Sportit: N.S.M. Princesha Myzejen Djalëria Shqiptare, në ndeshjet e saj sportive që zhvillohen për përgatitjen fizike të brezit të ri të vendit t‘onë, e ka pas gjithmonë pranë, inkurajuese, dhe nxitëse për suksese më të mëdha, Patroneshën e Lartë të Sportit, N. S. Mbrentonre, Princeshën Myzejen, qoftë kur duhet të thyehet një rekord atletike të lehtë, ose kur lypet të triumfojsh në sporte më të rënda, në të cilat të gjitha energjitë duhet të shkruhen drejt qëllimit të vetëm që është fitorja e veprimtarisë fizike të fisit t‘onë, brenda kufivet t‘Atdheut, qoftë kur luftohet kundra kundërshtarësh më të fortë në fusha të ndryshme jashtë Shqipërisë, Rinia jonë, Rinia e Mbretit ZOG, e ka gjithmonë parasysh gazin e ëmbël dhe fjalën burneshë të motrës së Shpëtimtarit të Kombit. N.S. Mbretnore, Princesha Myzejen e ndjen sportin jo vetëm si një mjet me të cilin triumfon fuqia e pashkueshme e fisit t‘onë, por edhe si një edukatë kalorësije që vjen për t‘u mprehur karakteret e ndryshme që duhet t‘u injektohen të rinjve dhe të rejave shqiptare. Kështu mund të shpjegohet se si atletët shqiptarë, kur ndeshen me çdo kundërshtarë për triumfin e një sipranije Kombëtare ose ndërkombëtare, tregohen gjithmonë të denjë për besimin dhe për nxitjen që Princesha Auguste Myzejen nuk kursen t‘i japë. Patronesha e Lartë e Sportit nuk mjaftohet vetëm me një inkurajim kuptim plotë në edukatën fizike t‘Atdheut, por ndërmerr shpesh herë marshime të rënda në krye të rejave shqiptare për t‘i treguar botës s‘onë dhe botës së jashtme se Shqipëria e re ka vendosur që të bëjë hapa vigane në çdo shesh të veprimtarisë së saj fizike dhe kulturore. Në këto 10 vjet Mbretnije, rinia e jonë duke qëndruar në gatitu për të përshëndetur kohën e ardhme t‘Atdheut, epokat e reja që do të shtohen plot ngadhënjim në faqet ende të pashkruara të historisë s‘onë, i drejton Patroneshës së vet të lartë një “Hero” që rrjedh nga gjokset e tyre të çelniktë.

Patronesha e Arteve të Bukura: N.S.M. Princesha Ruhije, duke ndërmarrë krijimin e një arti që të ketë gjurmën e thjeshtë shqiptare, artistet dhe artistët t‘onë punojnë duke menduar tek N.M.S.M. Princesha Ruhije, Patronesha e Lartë e Arteve të Bukura. I gjithë trashëgimi i humbur mjerisht në kohë duhet të burrohet për t‘i dhënë vendit t‘onë një lavdi edhe në këtë fushë veprimi. Ishim një popull i stërvitun gjithmonë për të qëndruar në armë dhe, ndonëse në hijedritat e jetës s‘onë shoqërore, shkëlqente ndonjë visarë që na kujtonte një qytetërim të kaluar, jeta e jonë e lashtë nuk na lejojë që të bëheshim të denjë për shokët që na rrethojnë përtej kufive të shenjta t‘Atdheut. Arti, kjo frymë shpirtërore që e mban gjithmonë lart fisnikërinë e një Kombi, iu mohua vendit t‘onë. Kjo deri dje. Sepse, një ditë prej dite, një motër e Mbretit ZOG, N. M. S. Princesha Ruhije, u vu në krye të djelmoshave artistë për të siguruar një gjurmë përjetësie në shekujt shqiptar. Kur sheshi i një piktori t‘onë dhe tablotë që do t‘i dhurohen më vonë Atdheut, ose kur dora e fortë e skulptorit plasmon një bust ose një fytyrë e dëshmon një jetë shpirtnore, kur vegla e hollë e artizanit shqiptar qindisë vizat e holla që do të përbajnë një tanësi artistike, N.M.S. princesha Ruhije është aty, pranë. Pranë në trup ose enë vegim. Por gjithmonë pranë. Udhëtimi i princeshave në vendet skandinave, udhëtimi i Princeshave jashtë Shqipërisë, sidomos në atë pjesë të Evropës Veriore që quhet Evropa e lumtun ose Shtetet Skandinave, ka një rëndësi në kuptimin e zhvillimit shoqëror të Shqipërisë.

Mbasi, siç dihet, Lartësitë e Tyre (motrat e Zogut, shënimi ynë), e kanë pasur kurdoherë në zemër zhvillimin e vendit dhe kanë dhënë prova të shumta përpjekjesh për këtë çështje. Për këtë arsye duhet parë në udhëtimin e gjatë dhe të frytshëm në Shtetet Skandinave një udhëtim studimesh të çështjeve që kanë të bëjnë me zhvillimin e veprave lumirsije (lumturie), asistence shoqërore dhe organizimi e instituteve përkatëse në Shqipëri, ku mungojnë ende institute të tillë, por që tregohet një interesim i gjallë kohët e fundit për t‘i vendosur edhe ndër ne, brenda mundësive që dita-ditës krijon regjimi Zogist. Udhëtimin e bukur të Princeshave e pat ilustruar në mënyrë të gjerë në një tok konferencash që dha Dr. Zoi Xoxa, të cilat u botuan në shtypin kombëtar dhe u ndoqën me vërejtje të gjallë prej gjithë publikut, që çmon thellësisht përpjekjet e Princeshave në lëmin qytetëronjës dhe përparimtar. Por rreth udhëtimit të N.M. Tyre (Naltëmadhënisë së Tyre), patëm shkruar edhe në “Shtypin” sidomos në një intervistë që Naltësija e saj princesha Myzejen, denjoi të na japë, dhe që është një sintezë e bukur e atij udhëtimi. Në gazetën “Shtypi”, shkruejshim në lidhje me këtë udhëtim. Udhëtimi i parë n‘Amerikë ka qenë padyshim një ngjarje e gëzueshme për shqiptarët e shumtë që rojnë në mërgim, të cilët panë në Naltësinë e tyre përfaqësuesit e sovranit dhe të Shqipërisë së re Zogiste që zhvillohet me shpejtësi nën udhëheqjen e Prijsit të vet dhe punon për gatimin e një të ardhme më të lumtur. Dheu i Ri qe për princeshat jo një udhëtim argëtimi të merituar, po më tepër një barrë delikate, pse motrat e Sovranit t‘onë e kaluan kohën në mes bashkatdhetarëve të largët, duke u treguar në personat e shquar të Tyre, shkallën e përparimit të Shqipërisë, sidomos të gruas shqiptare, duke bërë një propagandë të mirë jo vetëm, ndër shqiptarët, por edhe te amerikanët. Gjithë kjo mund të thuhet edhe për udhëtimin e dytë të princeshave në Shtetet Skandinave, ose në atë pjesë të Shteteve Veriore t‘Europës, që me të drejtë janë quajtur “Shtetet e lumtur”. Në këto shtete ku njeriu modern ka arritur të ngrihet në shkallën e dinjitetit më të privilegjuar, ku përparohet në fushat mendore e lëndore nuk njohin kufi, dhe standardi i jetesës së popujve nuk ka barazim me popujt e tjerë, Princeshat t‘ona gjejnë një botë shumë të pasur, botën që kërkonin për të plotësuar vrojtimet e tyre në çështjet shoqërore. Danimarka, Norvegjia e Suedia, janë në këtë pikpamje vendet ideale; Shtetet që meritojnë të merren si model për sa u përket problemeve shoqnore që kanë arritur pikën e një zhvillimi të përsosurit. Prandaj Naltësitë e tyre që kanë ndihmuar vazhdimisht në zhvillimin e vendit duke patronuar të gjitha niciativat përparim dashëse gjetën një kënaqësi krejt të veçantë n‘udhëtimin e dytë ndër vendet veriore të Evropës, që tregohet në këto deklarata që më bënë me rastin e soires (pritjes), së Vitit të Ri në Pallat.

Deklarata e Princeshës Myzejen “Mbas udhëtimit t‘onë në Amerikë, ku patëm një pritje të ngrohtë dhe të përzemërt, vendosën të vizitojnë edhe Shtetet e Skandinavisë, të cilat na i kishin lavdëruar shumë, veçanërisht për çështje që i interesojnë më shumë vendit t‘onë; përparimet shoqnore dhe organizmin e jetës mendore e landore (materiale, këtu ka kuptimin e teknologjisë). Gjendja e vërtetë e këtyne shteteve nuk asht e mundur të përshkruhet me një kallxim të shkurtër përmbledhës. Pikë së pari është një detyrë të shprehim kënaqësinë t‘onë të madhe për pritjen sa më të kandëshme aq fisnike t‘autoriteteve të nalta në çdo qytet e qendër të rëndësishme që vizituam. Kalorësija dhe sjelljet bujare të zyrtarëvet dhe të popullit, mënyra e ftohtë dhe e përzemërt e këtyne popujve të japin përshtypjen e parë dhe bindjen se ndodhen në vende ku klima, temperamenti dhe natyra kanë formuar një tip njeriu të veçantë n‘Evropë që ka mundur me i sigurue vetes një jetë të vërtetë të lumtur mbi tokë”. Princesha Myzejen flet me ngadalë dhe një kënaqësi e dukëshme i ndrit në fytyrë kur përmend pritjet, shfaqjet e shumta e të tjera nderime. Por siç thamë, Priceshat Mbretënore janë të interesuara veçanërisht për institutet e ndryshme, shkolla, spitale, streha dhe shtëpi ndihmash për popullin e vobegtë etj., dhe këtu bëhet më interesant udhëtimi. E pyes Naltësinë e Saj të më tregojë nonjë institut që i ka bërë më tepër përshtypje, dhe ajo vazhdon: “Institutet që patëm rastin me vizitue janë prej atyne që nuk gjen ndër vende të tjerë, është vështirë me bamë një mendim të saktë mbi ta po nuk e pe vetë me sy. Për shembull vizituam një shkollë krejt moderne, ishte krejt e pajueme me të gjitha orenditë dhe veglat gjimnastikore.

Kishte pishinë dhe sipër një teracë (taracë), të posaçme me instalime për atë nga nxënësit që nuk janë dhe aq në gjendje të shëndoshë shëndetësore. Terca ishte e ndërtuar në një mënyrë që të merrte një sasi nxanësish që bëjshin nga dy orë në ditë kura dielli detyrimisht. Në një shtëpi ndihme për të papunë ose të vegjël, jepeshin ushqime rregullisht çdo ditë, ushqime të pastërta, gjellë të shumta dhe ambëlsina, si në një restorant të dorës së parë”. Ishte e tepërt t‘a lodhnim N. E. Saj për të vazhduar në përshkrime të jetës skandinave. Kjo jetë është një privilegj n‘Europën e tronditur nga krizat e shumta ekonomike shoqnore, prandaj një ëndërr për ta dhe aq më shumë për ne. Por studimi i saj intereson në shkallë të gjerë vendit t‘onë që zhvillohet me shpejtësi çdo ditë, sidomos në fushën e një politike shoqnore t‘organizuar në të cilën është bërë një hap mjaft i mirë. Princesha Myzejen na tregon shkurtimisht disa nga vizitat interesante, duke theksuar ndër sa të tjera atë në Upsala, kryeqytetin shpirtëror të Suedisë, qytetin të kulturës të Universiteteve, Bibliotekave të famshme dhe Katedrales ku varrosen Mbretërit e Suedisë. Këtu ku banojnë më tepër studenta dhe profesorë, Princeshave iu bë një pritje madhështore, prej studentave universitarë. të cilët në shenjë simpatie për vendin t‘onë nderuan shqiptarisht me dorën e djathtë në zemër. Një udhëtim plot kujtime të këndëshme për Naltësitë e Tyre, por edhe një udhëtim tepër i dobishëm për vendin t‘onë në pikëpamje përfitimi nga organizmi i jetës në shtetet veriore. Në pak fjalë, shkurtimisht, po me një zotësi përmbledhëse të çuditëshme, Naltësitë e Tyre Mbretnore, shfaqin përshtypjet e vizitës ndër Shtetet e përmenduna ku u pritën me një fisnikëri të rrallë prej autoriteteve lokale kudo dhe me nderime të veçanta e pritjet në nderin e Tyre qenë një provë e gjallë e stinës së shteteve veriore për vednin t‘onë dhe nderimit që kanë kundrejt Sovranit t‘onë August dhe Familjes Mbretnore.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërArrin në 15 numri i të vrarëve në Barcelonë