Special One apo Special Two?

Jose Murinjo arrin suksesin në sezonin e tij të dytë. Është vetëquajtur Special One dhe deri diku nuk është një epitet i ekzagjeruar, por në fakt po të shohim disa statistika, ndoshta do të ishte më mirë të quante veten e tij, Special Two. Arsyeja është fare e thjeshtë, sepse skuadrat që ai ka drejtuar, kanë shkëlqyer gjithmonë në sezonin e dytë. Viti 2001, Murinjo në atë kohë drejtonte Porton, në vitin e tij të parë në krye të stolit, ai nuk arrin dot të shkojë më larg se vendi i tretë. Por, në sezonin pasardhës mbarë bota do të kthente sytë nga ai. Fiton titullin kampion, Kupën e Portugalisë, Super Kupën dhe Kupën UEFA dhe më pas Champions League. Të gjithë këto tituj e lançojnë Jose-në në orbitën e trajnerëve më të mirë europianë.
Pas Portugalisë, “Special One” zbarkon në Angli, tek skuadra e Chelsea-t, nga viti 2004 deri më 2007. Bluve të Londrës i solli dy tituj kampion sezoni 2005-2006, dy Kupa Lige në vitet 2005-2007 dhe një Kupë Anglie.
Tripleta e famshme me Interin, mund të konsiderohet dhe si viti më i mirë i portugezit. Në të parin vit fiton kampionatin, por në të dytin ai rrëmben gjithçka. Titullin kampion, Kupën e Italisë dhe Champions League.
Në Spanjë vazhdon po e njëjta histori. Në të parin sezon si trajner i “Los Blancos” fiton Kupën e Mbretit, në tentativën e tij të dytë, triumfon në La Liga duke thyer dhe rekordin e pikëve të grumbulluara dhe të golave të realizuar që deri në atë moment mbahej nga Barcelona.
Rikthehet tek Chelsea dhe më 2015 rikthen titullin kampion në “Stamford Bridge”. Përse gjërat përmirësohen ndjeshëm në vitin pasardhës? Këtë e shpjegon vetë portugezi.
“Kur marrë përsipër drejtim e një skuadre, gjendem në një ambient jo fort të mirë, kështu që më duhet të punoj për të rikthyer harmoninë. Më pas duhet të njoh lojtarët, për të krijuar një raport miqësor dhe besimi reciprok”, u shpreh Murinjo.
Special One apo Special Two? Pak rëndësi ka, Jose Murinjo është nga ata personazhe që dhe detajin më të vogël e vëzhgon me kujdesin më të madh dhe jo më kot në pak vite, ai mundi të shndërrohej në një nga trajnerët më të suksesshëm të botë së futbollit.

Artikulli paraprakRritet numri i vdekjeve në vendin e punës
Artikulli tjetërAlegri zbulon një prapaskenë