SPAK të nisë menjeherë goditjen ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë të paanshme

Partia Demokratike ka përshëndetur ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Anti-Korrupsion, SPAK, si mekanizmi i duhur për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe mbështet funksionimin e pavarur të kësaj strukture.

Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi deklaroi se sot Shqipëria ka një shans real për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta, nga kriminelët me mbështetje qeveritare, tek politikanët dhe zyrtarët e lartë.

“Krijimi i Strukturës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e njohur gjerësisht si SPAK, është mekanizmi i duhur kushtetues për të përmbushur një nga kërkesat kyçe të shqiptarëve dhe të partnerëve të huaj për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së të fortëve, promovuesve të tyre në politikë dhe zyrtarëve të korruptuar”, deklaroi Gazment Bardhi.

“Megjithëse qeveria bëri gjithçka për ta vonuar ngritjen e SPAK-ut me 3 vjet, Partia Demokratike, e cila ka miratuar ligjin për ngritjen e tij dhe të Byrosë Kombëtare të hetimit, ka vullnetin për t’i dhënë besim dhe për të mos paragjykuar asnjë prej prokurorëve në përbërje të kësaj strukture”, tha ai më tej.

Bardhi deklaroi se fillimi menjëherë nga puna dhe ndëshkimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit duhet të bëhet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe të vendosur.

Artikulli paraprakÇdo qytetar nën përgjim dhe survejim, ligji i çmendur i një njeriu të sëmurë në panik
Artikulli tjetërBasha me përfaqësuesit e FMN: Të ndalim menjëherë koncesionet korruptive, ka ardhur koha për reagim popullor