Spaho në Parlament: 64 milionë USD taksa të ardhura më pak në 2016

Me shifra konkrete i është përgjigjur deputeti i PD, Edmond Spaho spekulimeve të ministrit të Ekonomisë, Arben Ahmetaj, mbi buxhetin e vitit 2016 dhe sistemin e dështuar të taksave. Sipas të cilit, në 2016 politika e rritjes se taksave rezultoi e dështuar, pasi u rritën taksat, por jo të ardhurat. “Gjatë këtij viti, sikurse në vitet paraardhëse, politika e rritjes së taksave rezulton e dështuar, sepse me gjithë rritjen e tyre, në buxhet mblidhen më pak të ardhura, kurse qytetarëve dhe bizneseve u shtohet barra financiare. Planifikimi i të ardhurave në vitin 2016 u bë me rezerva rreth 0.3% më të ulëta se sa viti 2015. Paralelisht me këtë qeveria vendosi të rrisë disa taksa si akciza e birrës, kontributi i sigurimeve shoqërore për profesionet e lira, taksën e qarkullimit për të ashtuquajtura makina luksi, primin e sigurimeve, taksën e truallit dhe disa taksa të tjera. Parashikoi që në buxhet rritja e taksave të sillte 2.6 miliardë lekë më shumë, por për shkak të korrupsionit, evazionit fiskal dhe mangësive në administrim viti 2016 u mbyll me një diferencë prej 6.4 miliardë lekë, ose rreth 64 milionë dollarë më pak, e shkaktuar kryesisht nga mungesa në mbledhjen e dy taksave kryesore, TVSH-së dhe akcizat me mbi 6% secila”, argumentoi Spaho. Buxheti faktik i vitit të shkuar shoqërohet edhe me raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili analizon dhe nxjerr fakte dhe shifra se si janë menaxhuar fondet publike nga administrata shtetërore, qendrore dhe lokale.

Artikulli paraprakNdërtimi, rekord negativ, në tetor “zhduken” 28 kompani
Artikulli tjetërRekomandimet e OSBE/ODHIR për Reformën Zgjedhore, shkëputje politikës nga krimi