S&P konfirmon renditjen për Shqipërinë në B+, shqetësuese kreditë me probleme

Agjencia vlerësuese Standard &Poors (S&P) ka konfirmuar dje vlerësimin e Republikës së Shqipërisë në “B+/B”, me pritshmëri stabël. Raporti thekson stabilitetin makroekonomik dhe vlerëson përparimin pozitiv dhe konsolidimin fiskal. Megjithatë, S&P vë në dukje se niveli i borxhit është i lartë, ndërsa maturiteti i tij është afatshkurtër.
Raporti e vë theksin në domosdoshmërinë për kryerjen e reformave strukturore në drejtim të forcimit të institucioneve, zbatimit të ligjit, të drejtës së pronës, klimës së biznesit dhe luftës ndaj korrupsionit. Nuk ka qenë jashtë vëmendjes së raportit dhe niveli i lartë i kredive me probleme, që sipas agjencisë vlerësuese, në nivelin rreth 20% është shqetësues, duke ulur besueshmërinë për bankat. S&P pret që rritja ekonomike e Shqipërisë të mbetet e qëndrueshme gjatë 2017-2020, duke mbështetur konsolidimin buxhetor, pavarësisht rreziqeve të rrëshqitjeve buxhetore, për shembull për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të 2017-s.
Shqipëria po bën progres gradual drejt fuqizimit të kuadrit të saj institucional, të mbështetur nga mekanizmi i lehtësimit i FMN-së dhe përgatitjen për procesin e anëtarësimit në BE. Panorama stabël reflekton pritshmëritë që vazhdimi i konsolidimit fiskal dhe ulja e borxhit publik ndaj PBB-së do të balancojë dobësitë që vijnë nga rreziqet ende të larta të pozicionit të jashtëm financiar në 12 muajt në vijim, thotë raporti.
Raporti thekson se nëse reforma në gjyqësor do të zbatohet, duke krijuar një sistem të pavarur, kjo do të ndihmojë klimën e biznesit të vendit, si për shembull, në rritjen e eficiencës së zbatueshmërisë së të drejtës së pronës dhe një proces më efektiv falimentimi. S&P thotë se nuk pret që të ketë marrëveshje të re me FMN-në deri pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme.
Lidhur me deficitin e ulët buxhetor, në rreth 1.7% të PBB-së, raporti thekson se ka ardhur kryesisht si rrjedhojë e reduktimit të shpenzimeve që kanë neutralizuar të ardhurat buxhetore më të ulëta se plani. S&P pret që rritja të vijë kryesisht si rrjedhojë e kërkesës së brendshme dhe konsumit privat. Për shkak të punimeve për gazsjellësin TAP, që do të jetë të larta më 2017-n, pritet që investimet e huaja direkte të arrijnë në 11% të PBB-së këtë vit.
Investime të tjera janë të lidhura me sektorin e energjisë. Por, agjencia sheh një rrezik që këto investime nga projektet e mëdha të bien në vitet në vijim dhe rekomandon që të përmirësohet mjedisi institucional që do të ndihmonte në tërheqjen e një baze më të gjerë të flukseve të investimeve të huaja në vitet në vijim.
S&P thekson se mund të ulë renditjen në rast se shikon një përkeqësim të financave qeveritare, për shembull për shkak të një devijimi domethënës nga parashikimet, së bashku me presionet në kushtet e huamarrjes. Një tjetër element që do të ndikonte në uljen e renditjes është një përkeqësim domethënës i pozicionit të jashtëm të Shqipërisë dhe aftësisë për të financuar deficitin e llogarisë korrente.

Artikulli paraprakTë pasurit po bëhen më të pasur, të varfrit po bëhen më të varfër
Artikulli tjetërKosovë, politikat ekonomike, ndikuan në uljen e normave të interesit