Sot në orën 10:00 rrethohet Parlamenti kundër plehrave

Mijëra vetë do të protestojnë sot para Parlamentit kundër importit të plehrave. Në fakt, protesta ka nisur që mesnatën e mbrëmshme, ku 100 përfaqësues të Aleancës Kundër Importit të Plehrave, (AKIP) u grumbulluan para Parlamentit në orën 23:00 dhe deklaruan se do të qëndrojnë përgjatë gjithë natës aty, dhe në mëngjes do të presin protestuesit e tjerë që pritet të jenë të shumtë në numër. Drejtuesit e AKIP thanë se, kjo do të jetë protesta më e madhe kundër plehrave dhe do të vijojë derisa të tërhiqet qeveria nga vendimi i importit të plehrave.
Drejtuesit e AKIP deklaruan dje gjatë një prononcimi për mediat se, të enjten në orën 10:00, është beteja e radhës kundër planit për deportimin e shqiptarëve nga ky vend. “Eshtë beteja kundër kthimit të Shqipërisë në kazanin e mbetjeve radioaktive, kimike, spitalore, farmaceutike. Eshtë beteja kundër kancerit. Eshtë beteja për jetën, tonë dhe të fëmijëve tanë. Eshtë beteja e radhës kundër plehrave! Politika shqiptare e ka treguar që di të shfrytëzojë çdo moment kur ne ulim vigjilencën. Ajo nuk e njeh moralin. Njeh vetëm interesin dhe frikën. Interesin ndaj milionave të eurove dhe frikën nga populli!”, thuhet në deklartatën për mediat.
AKIP shprehet se, deputetët interesin e kanë të votojnë Pro, por ajo që do t’i detyrojë të votojnë kundër plehrave është frika. “Frika nga turmat e njerëzve që qëndrojnë jashtë. Prandaj është e rëndësishme të jemi shumë. Të tregojmë që ne s’lëshojmë asnjë centimetër pe. Sepse në lojë është jeta! Të enjten në orën 10:00, tek Parlamenti. Mos eja vetëm. Fto dhe miq dhe të afërm. Eshtë një betejë qytetare, jo-partiake. Të gjithë së bashku do të fitojmë!”, thuhet në deklaratën e AKIP.

“Të bashkuar kundër plehrave në rrugë dhe në qeveri!”

Ish-Kryeministri Berisha mbështet të rinjtë që kanë vendosur të bëhen pjesë e protestës kundër importit të plehrave në Shqipëri, protestës së organizuar nga Shoqëria Civile të enjten në orën 10:00 para Kuvendit. Grupimi i të rinjve ka shpallur se do t’i bashkohet protestës jo nesër, por do ta nisë atë që të mërkurën në mesnatë, duke u grumbulluar para Parlamentit, për të mos lejuar kalimin e ligjit të menaxhimit të integruar të mbetjeve.
Berisha, në mesazhin e tij në rrjetet sociale, i është bashkuar thirrjes së të rinjve. “Sonte, në ora 23:00 dhe në vazhdim, protesta historike qytetare: “Të bashkuar kundër plehrave në rrugë dhe në qeveri!”, shkruante dje ish-Kryeministri.

Mazhoranca nuk i ka votat

Rama kërkon ta shtyjë votimin, sepse nuk ka votat në Parlament për ta kaluar ligjin e importit të plehrave. Ndonëse kthimi në Parlament i dekretit të Presidentit për plehrat ka më shumë se një muaj, mazhoranca ka frikë ta votojë pasi nuk i ka votat. Ky fakt ka bërë që të zvarritet votimi. Ndërkohë, revolta popullore është një tjetër shkak që zvarritet votimi për kalimin e ligjit të importit të mbetjeve.
Drejtues të Shoqërisë Civile i kanë bërë thirrje Kryeministrit Rama që të heqë dorë nga importi i plehrave, në të kundërt ai do të përballet me revoltën më të madhe popullore. Sipas tyre, vetëm në Itali janë 500 mijë ton plehra që refuzoi Maroku, të gatshme për t’u sjellë në Shqipëri. Miliona ton të tjera presin radhën në shtete të tjera të Europës, për t’i sjellë brigjeve të Adriatikut. Një masë kancerogjene tepër e madhe rrezikon vendin e shqipeve, nga një skenar orguzi me interesa të pastra mafioze, ku përfitojnë një grusht i enturazhit politik të udhëhequr nga kreu i karvanit rilindas Edi Rama.
“Rilindja”, e ardhur në pushtet me gënjeshtrat e vitit 2013 është e vendosur ta kalojë. Por në llogaritë e saj nuk ka përfshirë qëndresën e popullit. Ajo çka po ndodh në Mbrostar, ku banorët e atjeshëm kanë dalë në mbrojtje të jetës së fëmijëve të tyre, pritet të përsëritet sot më datë 24 nëntor përpara Parlamentit. Edi Rama, nga ana tjetër ndodhet në panik, pasi nuk i ka votat e mjaftueshme në Kuvend dhe po përpiqet që me anë të blerjes së votave siç ka bërë gjithmonë të sigurojë kalimin e tij. Duhet theksuar se ky është një ligj për të cilin Rama është investuar fort çka shpreh qartë, kapjen e tij nga interesa të pastra të përfitimit personal.

R.POLISI

Artikulli paraprakVendimi i Gjykatës: Balla dënohet si shpifës me 10 milionë lekë gjobë
Artikulli tjetërShpërthen dhe në Elbasan revolta kundër plehrave