Soros, “fake news” dhe ndjesia e qesharakes …

Armin TIRANA

Quhet International Fact-Checking Network (IFCN) dhe është rrjeti i organizatave që ka nënshkruar parimet e Fact-Checking Code të hartuar nga Poynter Institute, një prej instituteve të gazetarisë dhe të analizës së mediave më të rëndësishme të botës. Bëhet fjalë për një seri normash dhe rregullash të “informacionit të mirë” që do të shërbejnë për të kuptuar se kur një lajm është i vërtetë dhe i korrespondon kritereve të vërtetësisë e të besueshmërisë së burimeve. Kodi IFCN është pranuar edhe nga Facebook, që në ditët në vazhdim do të aktivizojë një sistem sinjalizimesh për përdoruesit përsa u përket lajmeve të konsideruara false. Sapo një lajm sinjalizohet nga përdoruesit, “verifikuesit” e IFCN-së do të duhet ta konfirmojnë ose jo sinjalizimin dhe në rast se po, të shpjegojnë se pse ky lajm nuk është i vërtetë. Tema e “fake news” ka shpërthyer pas fitores së bujshme të Donald Trump që ka tronditur sistemin e mediave dhe të opinionbërësve jo vetëm amerikanë. Trump ka fituar pavarësisht se të gjithë median kryesore e kishte të tërë kundër dhe shumë prej gazetave të mëdha kanë nisur të rrëfejnë “bombën” se fitorja e Trump ishte e lidhur me përhapjen në rrjetet sociale të lajmeve false me të cilat ka manipuluar realitetin.
Natyrisht që këto konkluzione të gabuara futen në “fake news” më të pabesueshme të pjella nga frustrimi i një sistemi mediatik pushteti që di të kushtëzojë gjithnjë e më pak imagjinatën kolektive. Por presionet ndaj botës së uebit kanë qenë të tilla dhe të forta saqë Facebook, rrjeti social global më i rëndësishëm, i është dashur që të vrapojë për të marrë masat. Midis këtyre organizatave të “verifikuesve” që janë pjesë e projektit të Poynter Institute ka media të mëdha si puna e “ABC”-së, por edhe platforma të pavarura fact-checking si puna e Politifact-it (e financuar nga miqtë e Hillary Clinton).
Për këtë qëllim Aaron Klein, gazetar i famshëm investigativ konservator, ka shkuar që të verifikojë se kush e financon Poynter Institute që menaxhon IFCN-në dhe ka gjetur surpriza interesante. I ka botuar ato në uebsajtin Breitbart, sajtin e njohur të kundërinformacionit dhe vështirë se do t’i gjeni nëpër mediat që predikojnë gazetarinë korrekte. Midis financuesve kryesorë të institutit në fjalë është e pamposhtura dhe e kudondodhura Open Society e George Soros. Po, pikërisht ai, manipuluesi i madh i vërtetësisë mediatike, eminenca gri e rendit të ri botëror, nxitësi i krizave ndërkombëtare dhe i revolucioneve me ngjyra financon institutin që ka në fakt kontrollin e vërtetësisë të lajmeve që botojmë. Jo vetëm kaq: Poynter Institute ka marrë 1 milion dollarë edhe nga Craig Newmark Foundation, organizata jofitimprurëse e lidhur me themeluesin e Craiglist, portalin botëror të njoftimeve; fondacion gjithmonë i lidhur me universin e së majtës globaliste. Ndër të tjerat, Newmark dhe Open Society janë ndër financuesit e Centre for Public Integrity, një organizatë me seli në Uashington që menaxhon Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë (ICIJ), rrjeti i gazetarëve të emrave kryesorë të medias mbizotëruese, (nga “New York Times” tek “The Guardian”; nga “Le Figaro” tek “El Pais”; nga “Washington Post” tek “La Repubblica”) që muaj më parë ndërtoi në tavolinë skandalin e famshëm Panama Papers, një prej investigimeve gazetareske më false të viteve të fundit, e finalizuar për të goditur armiqtë politikë të administratës Obama, me Vladimir Putinin në krye.
Me fjalë të tjera, njerëz që financojnë manipulime gazetareske në botë do të financojnë edhe instrumentin që sanksionon se cilat lajme në rrjet duhet të konsiderohen të vërteta dhe cilat false.
Kush e di se në çfarë kategorie futen armët kimike të Saddam Husseinit, falsitetet lidhur me luftën në Libi, përrallat mbi “bombat humanitare” të Perëndimit, fshirjet lidhur me financimet e Obamës për Al-Qaedan, lidhur me paratë e sauditëve për Fondacionin Clinton apo ato lidhur me natyrën e vërtetë të konfliktit në Ukrainë, të gjithë argumente me të cilat mediat e përkëdhelura të Soros kanë manipuluar të vërtetën gjatë gjithë këtyre viteve.
Le të shpresojmë se e gjithë kjo vëmendje e papritur ndaj të ashtuquajturave “fake news” nga ana e atyre që gjatë kësaj kohe kanë prodhuar falsitete dhe manipulime të mos shërbejë për të nisur sezonin e gjuetisë së shtrigave kundër informacionit të lirë e të pavarur. Premisat ekzistojnë të gjitha.

Artikulli paraprakPolitika armiqësore për qytetarët europianë në Britani
Artikulli tjetërUshtarët amerikanë pozicionohen në Poloni