Skënderbeu “rrëfen” rrugën e suksesit

Në pamundësi të një përcjelljeje të ekipit Kombëtar drejt Francës nga Tirana, ishte Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Austri, Roland Bimo dhe Përfaqësuesi i Ambasadës së Republikës së Kosovës, Ymer Lladrovci, ata që realizuan përcjelljen zyrtare nga Viena ku ndodhej dhe me një simbolikë të veçantë. Futbollistët e Kombëtares, stafi teknik dhe Presidenti i FSHF Armand Duka u pritën dhe nga disa dhjetëra shqiptarë para Muzeut Historik të Vienës, muzeut ku ruhen disa nga simbolet më të rëndësishme të historisë shqiptare.
Shpata dhe Përkrenarja e Skënderbeut, sa e sa legjenda, gojëdhana e mite për armët e heroit tonë kombëtar. Kuqezinjtë patën rastin t’i shihnin nga afër falë përkujdesjes së Ambasadorit shqiptar në Austri, Roland Bimo gjatë vizitës në Muzeun Historik të Vienës.
Ndërsa trajneri De Biasi nuk mungoi së shfrytëzuari simbolikën e porosisë së fundit të Skënderbeut si një mesazh për futbollistët. “Përkrenarja shërbente për të mbrojtur kokën, por ishte edhe një simbol për të treguar se ai që e mbante ishte një drejtues. Ne kemi nevojë për këtë simbol, por edhe për këtë shpatë, por të mbrohemi nga ata që në europan do të kërkojnë të na mundin. Ne duhet të luftojmë dhe të marrim shembull nga Skënderbeu, i cili mendonte se të bashkuar mund të bëjmë gjëra të mëdha. Nëse do të mendojmë vetëm për veten tonë, nuk do të arrijmë asnjë objektiv, prandaj duhet të arsyetojmë me forcën e grupit që na solli në Francë dhe do të na ndihmojë të arrijmë diçka të madhe edhe në Francë”, u shpreh De Biasi.
Pranë përkrenares dhe shpatës që enden me konturet e të mbinatyrshmes në imagjinatën e çdo shqiptari, padyshim që ky ishte një moment i veçantë frymëzimi për futbollistët e Kombëtares. “Normal që jam krenar, sepse edhe Skënderbeu ishte një luftetar i madh. Kur isha i vogël prindërit më kanë folur shumë për Heroin”, u shpreh Taulant Xhaka. “Fakti që jemi këtu na motivon më shumë dhe na bën krenarë për atë që kemi arritur”, tha Cikalleshi.
“Është një gjë shumë e madhe për ne dhe shpresoj të jemi me fat në luftën që do të zhvillojmë në Francë”, tha Ergys Kaçe. “Shpresoj që atë që kemi arritur ta çojmë edhe më përpara në Francë”, tha Bekim Balaj.

Artikulli paraprakPër të tretin vit radhazi nuk do ketë rritje pagash
Artikulli tjetërAnglia grumbullon Rashford