Skemë për lirimin e Shullazit, shtyhet seanca për 12 herë rresht

Emiliano Shullazi bashkë me të arrestuarit e tjerë si pjesë të bandës së tij kanë detyruar sërisht dje gjykatën të shtyjë seancën e ballafaqimit dhe pyetjeve me dëshmitarin e mbrojtur, biznesmenin Ylvi Beqja. Ashtu si herët e kaluara, as dje Shullazi nuk është paraqitur në seancën e djeshme me pretekstin se është i sëmurë, duke detyruar gjykatën të shtyjë për të 12-ën herë seancën gjyqësore të ballafaqimit mes tij dhe biznesmenit Beqja.
Avokatët e tij ishin të pranishëm, por seanca e ballafaqimit ishte e pamundur pa vetë Shullazin.
Ndërkohë dëshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, gati për të dëshmuar, por më kot, pasi i akuzuari prej tij Shullazi nuk u paraqit, për shkak të raportit mjekësor.
Në seancë munguan edhe avokatët mbrojtës të Gilmando Danit, për të cilët Gjykata tha se do t’i kërkojë Dhomës Kombëtare të Avokatisë marrjen e masave disiplinore. Për këto arsye, seanca e radhës u caktua më 3 mars, por nuk dihet se cili do të jetë fati i radhës së kësaj “telenovele” gjyqësore.
Shullazi u shtrua para disa ditësh në një spital privat, ndërsa edhe në seancat e tjera nuk është paraqitur në gjyq me pretekstin se është i sëmurë. Pas dhënies së pafajësisë për organizatën terroriste “Hakmarrja për Drejtësi”, Rama po përgatit edhe lirimin e kryekriminelit Emiliano Shullazi nga burgu. Skema është ajo e sajimit të një diagnoze të një sëmundje imagjinare. Me Shullazin po përdoret e njëjta skemë, si ajo e lirimit nga burgu të ish-kapobandës së Durrësit, Lulzim Berisha, i cili i bëri kërkesë Gjykatës që të lirohej nga burgu, sepse vuante nga një sëmundje e rëndë.
Procesi gjyqësor i Emiliano Shullazit po zvarritet me dashje, duke penguar përballjen me biznesmenin e kërcënuar dhe gjobitur, Ylvi Beqja. Dëshmitari i mbrojtur, Ylvi Beqja, pritet të dëshmojë për kërcënimet dhe gjobat që është detyruar t’ia paguajë bandës së Shullazit, për të cilat Shullazi dhe anëtarët e bandës së tij janë arrestuar.

Artikulli paraprakMaskat grabisin në kërcënimin e armëve një dyqan në Tiranë
Artikulli tjetërGjykata rrëzon kërkesën e bandës së kokainës të Xibrakës për gjykim të shkurtuar