Skema e lirimit nga burgu të vrasësit Endrit Dokle

Anëtari i bandës së Durrësit, Endrit Dokle është liruar nga burg, pavarësisht se ishte i dënuar me burgim të përjetshëm.

Gjykata e Krujës ka marrë vendimin për lirimin e tij, me një skemë të ngjashme me të cilën u lirua dhe kreu i kësaj bande, Lulzim Berisha.

Një kompani që operon në fushën e ndërtimit ka premtuar që ta punësojë Doklen, duke i paguar atij dhe sigurimet shoqërore.

Kompania “Mateo Konstruksion” me administrator Agim Çakon ka premtuar që ta punësojë Doklen 8 orë në ditë, ose ndryshe 40 orë pune në javë, dhe kontrata e tij ka të drejtë të rinovohet pas një viti, në rast se kalon provën prej 3 muajsh. Sipas kësaj kompanie, Dokle do të paguhet 350 mijë lekë të vjetra në muaj, plus edhe sigurimet shëndetësore.

Avokati i Doklës ka deklaruar gjatë seancës se klienti i tij ka kryer 25 vite burgim dhe është sjellë mirë. Ai gjithashtu deklaroi se Dokle nuk është në gjendje të mirë shëndetësore. Gjyqtarja që ka dhënë vendimin ishte Enkelejda Hoxha.

Endrit Dokle, anëtar i “Bandës së Durrësit”, së bashku me 16 persona të tjerë, pjesë e bandës famëkeqe, janë dënuar për vrasje, plagosje, atentate, rrëmbime, trafik droge e qenie njerëzore.

Banda kriminale, me drejtues të përbashkët Lulzim Berishën dhe Klodian Saliun, funksiononte prej vitit 1994 në qytetin e Durrësit.

Sipas Prokurorisë, banda është autore e një sërë vrasjeve të ndodhura në Durrës e Tiranë, nga viti 1998 e në vazhdim, si vrasja e Dritan Sallakut, më 17 tetor 1998, në qytetin e Durrësit, e shtetasve Viron Curri e Arjan Paja dhe plagosjen e shtetasit Marsel Sotiri, më 29 tetor 1998 në fshatin Rrashbull të Durrësit.

Ndërsa në vitin 1999, pasi kishin dështuar një vit më parë për vrasjen e Sotirit, i cili ishte plagosur, organizata ndërmori një aksion dhe e ekzekutoi atë më 22 gusht në zonën e Plazhit.

Në vitin 2000, banda akuzohet për vrasjen e Dritan Dishës, më 9 qershor, në fshatin Shenavlash të Durrësit.
Ndër vrasje të tjera është edhe e Ervin Lames, më 14 janar 2002, në Lagjen nr. 3 të qytetit të Durrësit. Pas vrasjes së Saliut, organizata që u vendos nën drejtimin e Dokles akuzohet për vrasjen e Avni Gashit, më 13 tetor 2005, në Tiranë.

Kufoma e Gashit u hodh në fshatin Romanat të Durrësit. Ndërsa më 30 tetor 2005, organizata e Indrit Dokles ekzekutoi në Tiranë, pranë stadiumit “Qemal Stafa”, Ilir Koldashin. Për qëllimet e tyre, drejtuesit e “Bandës së Durrësit” përdornin edhe vrasës me pagesë.

Artikulli paraprakReagimi i fortë i ambasadës amerikane: Zgjedhje të lira nga mashtrimi, ndërhyrja dhe korrupsioni
Artikulli tjetërReforma Zgjedhore, Bylykbashi: Do të realizohet jashtë parlamentit ilegjitim