Skema 1 miliard euro, qeveri-krim-banka

Një skemë e mirëmenduar për pastrimin e parave është organizuar nga Rama dhe njerëzit e tij, plani i së cilës është projekti i 1 miliard eurove koncesione. Kreu i PD, Lulzim Basha e denoncoi dje këtë në Parlament teksa bëri të ditur se pjesë e kësaj skeme është një trekëndësh i mirëfilltë bashkëpunimi politikë-krim-sistem bankar.
Kreu i PD paralajmëroi se ky është një projekt në të cilin është parashikuar që të riciklohen dhe do të pastrohen miliardat e drogës dhe të krimit, duke përdorur autoritetin e qeverisë dhe paratë e buxhetit.
Basha ngriti shqetësimin mbi greminën ku Rama sot ka hedhur ekonominë e vendit dhe ekonominë e çdo familjeje shqiptare, ndërsa tha se sot krimi është i vetmi që ka pushtet absolut mbi ekonominë e vendit. Ai përmendi rritjen e bizneseve kriminale, ndërsa paralajmëroi se shumë shpejt e gjithë ekonomia do të jetë tërësisht në duart e krimit.
“Çdo gjë do të thellohet me projektin 1 miliard, një projekt kriminal që do të shkrijë në një, krimin, biznesin dhe politikën. Projekti 1 miliard është rruga e konsolidimit të konsorciumit politiko-kriminal, i cili ka për synim: të sundojë Shqipërinë për dekada. Është formalizimi i trekëndëshit kriminal: qeveri-sistem bankar-krim i organizuar. Është një projekt, në të cilin do të riciklohen dhe do të pastrohen miliardat e drogës dhe të krimit, duke përdorur autoritetin e qeverisë dhe paratë e buxhetit.
Justifikimi për projektin është diabolik. Pasi e ka shkatërruar ekonominë dhe vetë shtetin, Edi Rama deklaron se, shteti nuk ka para. Dhe e vërteta e hidhur është se në të vërtetë sot vetëm krimi ka para. Krimi është më i fortë se shteti dhe se bizneset e ndershme. Sepse këto katër vjet krimi është pasuruar, kurse Shqipëria është varfëruar.
Rrënimi ekonomik i vendit është avantazhi më i madh që ka sot krimi. Ndërsa bizneset nuk kanë para për të investuar, krimi ka pafund. Ndaj krimi po sposton gradualisht bizneset e ndershme nga tregu dhe shumë shpejt e gjithë ekonomia e vendit do të jetë në duart e krimit. Për të kuptuar këtë kontrast, mjafton një krahasim domethënës. 863 mijë eurot e Saimir Tahirit që u gjetën në makinën e ortakut të tij, janë gati sa i gjithë buxheti vjetor i Gjykatës Kushtetuese.
863 mijë eurot e Saimir Tahirit janë sa 85 për qind e buxhetit të investimeve të Prokurorisë së Përgjithshme. Kjo shumë është vetëm një thërrime nga paratë që ka sot krimi në Shqipëri. Kanabizimi i vendit ka qenë një projekt i qëllimshëm anti-kombëtar i Edi Ramës. Në këtë projekt, ai derdhi gjithë urrejtjen dhe mllefin që ka ndaj shqiptarëve.
Kriminelët me pushtet dhe droga ishte hakmarrja ndaj të gjithëve e një njeriu të dështuar, për të cilën ai fajëson këdo, familjen, shoqërinë, atdheun, por kurrë veten e tij. Prandaj, të lesh fatet e vendit në duart e Edi Ramës do të thotë të lesh Shqipërinë në dorë të krimit dhe të shkatërrimit”, u shpreh Basha.

Aktivitetet kriminale në sheshet e ndërtimit dhe sistemin bankar

Me tone të ashpra, Basha denoncoi dje shtrirjen e gjerë dhe të fuqishme të krimit të organizuar në të gjithë sektorët më jetikë të ekonomisë si është ndërtimi, i cili vitet e fundit po njeh një bum të jashtëzakonshëm ashtu si edhe sistemi bankar. Dy nga sektorët në fakt ku pastrimi i parave është ndër më efikasët.
“Por evoluimi më i rëndësishëm i krimit është kapja e ekonomisë. Aktivitetet kryesore kriminale në Shqipëri nuk zhvillohen më në parcelat mes maleve, por në sheshet e ndërtimit dhe bankat në qendër të Tiranës. Riciklimi dhe pastrimi i parave dhe kapja e ekonomisë është sot aktiviteti kryesor i grupeve kriminale që u fuqizuan dhe pasuruan në mënyrë marramendëse nga trafiku i drogës. Forma më e rrezikshme e krimit nuk është një grup kriminelësh me armë në dorë që grabisin me forcë apo transportojnë drogën, por kur bëhen bashkë krimineli, qeveritari dhe bankieri dhe bien në ujdi për të plaçkitur dhe kontrolluar një vend të tërë. Kjo është faza ku ka hyrë krimi në Shqipëri.
Ndërkohë, krimi është fuqizuar dhe sofistikuar dhe ka evoluar në mënyrë të shpejtë. Mijëra ton drogë e prodhuar në periudhën 2015-2016 në përmasa marramendëse, sot gjendet në tunele, depo, magazina dhe prej andej trafikohet çdo ditë drejt Italisë dhe vendeve të tjera perëndimore. Tani preferenca e krimit është bërë heroina dhe kokaina. Të fuqizuar me miliarda euro nga tregtia e kanabisit, duke shfrytëzuar të njëjtat rrugë, të njëjtën infrastrukturë dhe të njëjtat lidhje politike që krijuan me kanabisin, krimi i organizuar tani po vë nën kontroll trafikun dhe shpërndarjen e kokainës dhe heroinës në të gjithë Europën.
Çdo javë, në Europë kapen sasi heroine dhe kokaine nga grupet kriminale shqiptare. Vetëm në Itali, gjatë vitit të shkuar janë kapur qindra kilogramë heroinë dhe kokainë kaluar përmes Shqipërisë. Ndërkohë, që në Holandë dhe në Mbretërinë e Bashkuar shqiptarët tashmë kontrollojnë shpërndarjen e heroinës dhe kokainës.

Artikulli paraprakQazim Sejdini me agjensi doganore që po hetohet për trafik droge
Artikulli tjetërDiplomacia Dixhitale si mjet i realizmit të politikës së jashtme