Skaner amerikan për krizën, drogën e krimin

Delegacioni më i madh i Kongresit amerikan dhe që drejtohet nga Bob Goodlatte, Kryetari i Komisionit të Ligjeve në Kongres vizitoi dje Tiranën me takime intensive me përfaqësues të qeverisë dhe të opozitës. Bob Goodlatte konsiderohet si një nga njerëzit kyç në Kongres për vetë pozicionin që ai mban, por edhe për lidhjet e ngushta me Presidentin Trump. Goodlate konsideroihet si një nga mbështetësit kryesorë të Presidentit amerikan në një sërë ligjesh delikate që kanë kaluar gjatë javëve të fundit për miratim në këtë institucion. Madje, ai është vënë shpesh edhe në qendër të sulmeve të mediave kritike ndaj Presidentit Trump, të cilave ai u është përgjigjur prerë: “Jam krenar që i shërbej Presidentit të vendit tim”.
Delegacioni i Kongresit ka bërë dje një skaner të plotë të krizës politike në vend, duke u njohur në takimin me kreun e opozitës, Basha se përse demokracia në Shqipëri është e rrezikuar nga zgjedhjet të kapura nga krimi dhe paratë e drogës
Basha priti kongresmenët amerikanë në selinë e PD, ndërsa mësohet se gjatë takimit është diskutuar gjerësisht kriza politike dhe në veçanti e me interes të madh problemi i drogës dhe krimit me lidhje qeveritare dhe kërcënimi që paraqesin për zgjedhjet, stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit. Basha ka njohur kongresmenët me qëndresën e opozitës si dhe kauzën e saj për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Gjithashtu, ai ka parashtruar propozimet e opozitës për zgjidhjen e krizës dhe për krijimin e kushteve për zgjedhje të ndershme dhe të lira. Takimi i Kreut të PD, Lulzim Basha me delegacionin e kongresmenëve amerikanë ka zgjatur gjysmë ore më shumë nga sa ishte parashikuar.
Delegacioni i Kongresit amerikan përbëhej prej Kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Bob Goodlatte, kongresmenët Steve King, Dave Trott, Matt Gaetz, Peter DeFazio, David N. Cicilline. Kërcënimi i zgjedhjeve të lira, narkotrafiku dhe veshja e krimit me pushtet kanë qenë pjesë e shqetësimit të ngritur në të gjitha takimet zyrtare të zhvilluara dje nga kongresmenët amerikanë me Presidentin Bujar Nishani, Kreun e Kuvendit, Ilir Meta si dhe Kreun e PD, Lulzim Basha. Fillimisht, delegacioni me kongresmenët amerikanë zhvilluan një takim në selinë e Presidencës, me Presidentin Bujar Nishani. Gjatë takimit në selinë e Presidencës, Presidenti Nishani dhe kongresmenët amerikanë diskutuan dhe ndanë mendime e pikëpamje mbi çështje të ndryshme si: situata politike në Shqipëri, zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ecuria e Reformës në Drejtësi, rëndësia e shtetit ligjor, shqetësimi për dukurinë e kanabisit dhe trafikut të drogës, krimit të organizuar si dhe rreth buxhetit financiar për shpenzime ushtarake dhe mbrojtjen, duke pasur parasysh që Shqipëria është vend anëtar i NATO-s dhe aleat besnik e i ngushtë i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në takim u vlerësua edhe roli institucional e përkushtimi i Presidentit Nishani në ndërmjetësimin e dialogut mes palëve politike në vend.

Artikulli paraprakRepublika e vjetër e krimit e drogës do të shembet
Artikulli tjetërAksidentohet me motor çifti holandez