Republika e vjetër e krimit e drogës do të shembet

Kryetari i opozitës Basha deklaroi dje në ditën e 82 të protestës për zgjedhje të lira se dita e shembjes së Republiikës së vjetër të ngritur mbi themelet e drogës, krimit dhe korrupsionit po afron. “Maratonomakë të lirisë, demokracisë, të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, arkitektë të Republikës së re, që po agon e që do të njoftohet nga bashkimi më i madh i shqiptarëve ditën e shtunë këtu në këtë shesh, në sheshin e lirisë, në sheshin e të vërtetave, në sheshin e Republikës së re, të qytetarëve shqiptarë.
Dita po afron, ku Republika e vjetër e krimit, drogës dhe korrupsionit, do të shembet nga themelet për t’i hapur vendit, përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, një republikë për qytetarët shqiptarë, të qytetarëve shqiptarë, që mund të vijnë vetëm nga qytetarët shqiptarë, me votën e tyre të lirë. Këto janë ditët e fundit të Republikës së vjetër”, tha Basha.
Kryetari i opozitës deklaroi se vendosja e krimit në piedestal nga Rama ka shkatërruar bashkëjetesën demokratike. Tashmë nuk ekzistojnë më rregullat demokratike të funksionimit të shtetit, pasi opozitës i janë mohuar të gjitha rolet që ajo do të duhet të luajë në një Republikë demokratike duke nisur nga monitorimi i qeverisë.
“Për 4 vite me radhë, kupola politike e Republikës së vjetër, me në krye Edi Ramën, shkatërroi një nga një, të gjitha themelet e bashkëjetesës demokratike. Ata shkelën dhe dhunuan Kushtetutën. Ligjin themelor të shtetit, që organizon marrëdhëniet mes institucioneve dhe pushteteve, në mënyrë që përmes kontrollit dhe balancës, të sigurohet harmonia e vendimmarrjes në demokraci.
Sepse demokraci me të vërtetë do të thotë, vendimmarrje nga shumica e zgjedhur legjitime, por do të thotë kontroll, po kështu nga pakica e zgjedhur legjitime. Kontroll politik në Parlament, kontroll institucional në institucione, por kupola politike e Republikës së vjetër, kishte dhe ka tjetër projekt. Projekti i saj prej ditës së parë, nuk ishte as demokracia, as drejtësia, as shteti i së drejtës, as ekonomia, as shëndetësia dhe as arsimi.
Projekti i vetëm dhe axhenda e vetme e kupolës politike të Republikës së vjetër, e teatrit të shëmtuar të kukullave që luhet ditë për ditë për trushpëlarjen e popullit, ka qenë dhe mbetet, pasurimi dhe pushteti i një grushti pushtetarësh me në krye Edi Ramën.
Në funksion të këtij projekti, u sollën kriminelët në institucione. Deputetë në listat e çdo qarku të Shqipërisë e në veçanti të qarqeve të veriut. Kryetarë bashkish, drejtorë të institucioneve, drejtorë të policisë.
Një nga një institucionet u kapën nga kriminelët që Edi Rama nuk i gjeti, por i solli në Partinë Socialiste për t’i përdorur si vegla në projektin e tij të kapjes së shtetit. Në projektin e tij për përdorimin e shtetit jo në të mirën e qytetarëve, jo për mirëqenien e shqiptarëve, as për avancimin e të ardhmes së Shqipërisë, por vetëm e vetëm për pasurimin dhe pushtetin e tij dhe të çetës së tij bandite në pushtet”, tha Basha.
Basha përsëriti në mënyrë të pandryshueshme qëndrimin e opozitës se zgjedhje të lira me Ramën dhe kupolën e krimit në qeveri nuk do të ketë, ndërsa paralajmëroi protestën më të madhe në historinë e pluralizmit ditën e shtunë. “Zgjedhjet e lira me Edi Ramën dhe kupolën e tij kriminale në pushtet, nuk ka. Ndaj i vetmi shteg, një rrugë e gjerë jo sa ky bulevard, por sa vetë drita e diellit është bashkimi ynë ditën e shtunë, në orën 12.00 këtu, në këtë shesh. Asnjë, asamble popullore apo kombëtare në historinë e njerëzimit, nuk ka qenë kaq e madhe dhe kaq e vendosur në themelimin e një Republike të re, sa bashkimi i shqiptarëve ditën e shtunë. Mirësevini shqiptarë të ndershëm, shqiptarë të lirë, të djathtë e të majtë, të rinj dhe të moshuar, toskë e gegë, të rinj e të reja. Më 13 maj themelojmë Republikën e re”, tha Basha.

Rama i bindet vetëm zërit të protestës, jo forcës së arsyes

Basha u shpreh i bindur se asnjë negociator nuk do të mund të bindë Ramën që t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira. Basha tha se ishte i hapur që të merrte përgjegjësitë e tij në dialog, por se nuk duhet të mbahet asnjë shpresë që Rama të heqë dorë nga krimi dhe paratë e drogës në zgjedhje. I vetmi zë që Rama do të dëgjojë është ai përmes imponimit të lëvizjes popullore.
“E vetmja forcë që mund ta garantojë këtë sot nuk janë argumentet dhe arsyeja e shëndoshë që Edi Rama nuk i pranon. Mos kini asnjë shpresë. Nuk ka negociator në botë ta bëjë Edi Ramën të pranojë faktet katërcipërisht të njohura e të pranuara nga bota për drogën, krimin, korrupsionin dhe ta bëjë të pranojë përgjegjësinë për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Unë e shpresoj dhe jam i gatshëm që të marr përgjegjësitë e mia me dialog për ta çuar drejt zgjidhjes politike, e shpresoj dhe i lutem Zotit që kjo të ndodhë. Por në veçanti pas dy takimeve shterpë nuk kam asnjë dyshim se Edi Rama nuk do t’i bindet zërit të arsyes, as forcës së argumentit, por vetëm imponimit të shqiptarëve të bashkuar e të vendosur për të mbyllur kapitullin e drogës dhe krimit, e Republikës së vjetër që iu shërben vetëm një grushti politikanësh, kriminelëve dhe oligarkëve dhe së bashku për të hapur derën e Republikës së re dhe të ardhmes për  çdo shqiptar”, tha Basha.
Kryetari i opozitës deklaroi se të shtunën e 13 majit nga sheshi i revoltës popullore do të shpallet falimentimi i Republikës së vjetër dhe themelimi i Republikës së re.
“Ndaj data e parë më e rëndësishme në këtë kalendar është data 13 maj, ora 12:00 në mes të Tiranës ku së bashku do të bashkohemi. Kam marrë privatisht dhe publikisht kërkesat dhe konfirmimet e njerëzve të thjeshtë, të papunëve, të të rinjve, të maturantëve, të studentëve, të grave, të të rejave, të profesorëve dhe akademikëve, të sportistëve dhe artistëve, të sipërmarrësve dhe sindikalistëve se të gjithë do të jemi bashkë e do të jemi një me zë të vetëm. Ditën e shtunë së bashku do të shpallim nga ky shesh falimentimin e Republikës së vjetër dhe themelimin e Republikës së re”, tha Basha.

Lëvizja popullore ndërgjegjësoi botën për qeverisjen kriminale

Faktori ndërkombëtar u ndërgjegjësua për pushtetin që krimi dhe droga morën përmes qeverisjes Rama falë lëvizjes popullore në 82 ditë qëndresë në kauzën e garantimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Kreu i PD tha se, sot shumica e shqiptarëve janë ngritur për të marrë në dorë fatet e tyre për të mbrojtur votën e lirë. “Të vetmit që ia dolën t’i tregojnë miqve tanë në Bruksel, Berlin, Uashington dhe anembanë botës perëndimore të vërtetën e Shqipërisë ishit ju, qytetarët shqiptarë, ishte kjo lëvizje popullore, ishte ky bashkim i madh.
Sot Europa mbarë e njeh problemin e madh të drogës, krimit dhe korrupsionit qeveritar në Tiranë. Sot të gjithë aleatët tanë e njohin dhe e kanë pranuar se Edi Rama e zhyti Shqipërinë në një gjendje dështimi dhe falimentimi total. Sepse ai ngriti krimin në pushtet dhe me krimin mbushi Shqipërinë me drogë.
Sot të gjithë e dinë se shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë janë në këmbë e në këmbë do të qëndrojnë derisa të sigurojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike që do të zbatojë ligjin për dekriminalizimin, që do të luftojë drogën dhe paratë e drogës, do t’i kthejë sovranit të drejtën për zgjedhje dhe votën e lirë e të ndershme. E di gjithë bota, e dinë miqtë e shumtë të Shqipërisë, e di çdokush se rrugë tjetër nuk ka”, u shpreh kreu i PD.
Basha tha se Rama është shndërruar sot në pengesën kryesore të rrugës që çon në zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Por një njeri i vetëm qëndron si pengesë drejt këtij hapi historik që Shqipëria duhet të hedhë për t’ia kthyer Shqipërinë qytetarëve, për të ndërtuar një republikë të qytetarëve dhe jo të partive, as të politikanëve, një Republikë të re të ligjit, të drejtësisë së vërtetë, të zgjedhjeve me të vërtet të lira e të ndershme si garanci për një zhvillim të vërtetë ekonomik që të krijojë punësim të vërtetë, që të shërbejë me standarde të vërteta europiane fëmijëve shqiptarë, që të garantojë kujdesin shëndetësor për pacientët dhe familjarët e tyre, që të garantojë rritjen dhe zhvillimin ekonomik për biznesin e vogël, të madh e të mesëm, punë, dinjitet për fermerin shqiptar, që të garantojë bijtë e Shqipërisë që të luftojë drogën dhe të kthejë sigurinë në rrugët, sheshet, shkollat dhe shtëpitë tona. Për një Republikë të re të një ekonomie të fortë e një të nesërme të sigurtë për çdo shqiptare e çdo shqiptar”, tha kreu i PD.

Rama ka refuzuar formulën euro-amerikane për krizën

Kryetari i PD deklaroi dje se Rama ka refuzuar zgjidhjen e krizës politike përmes një formule euro-amerikane të hedhur në tryezën e dialogut. Arsyeja e këtij refuzimi ka të bëjë me formulën tjetër që Rama preferon përpara Europës dhe Amerikës dhe ajo është Rama-Xhafa-Shullazi-Tahiri.
“Kjo është arsyeja pse Edi Rama e ka jetike kapjen e zgjedhjeve të ardhshme. Diktimin e Parlamentit të ardhshëm nga krimi dhe nga droga dhe jo nga vota e lirë e qytetarëve shqiptarë. Kjo është arsyeja se përse Edi Rama e ka jetike që reforma në drejtësi të mos bëhet sipas konsensusit të 22 korrikut, sipas formulës euro-amerikane, por të bëhet sipas formulës, Rama-Xhafa-Shullazi-Tahiri që garanton mbrojtjen dhe jo ndëshkimin e kriminelëve në pushtet dhe të korruptuarve që zhvatën dhe grabitën Shqipërinë në këto katër vite”, tha Basha.
Basha tha se plani ogurzi i kapjes së zgjedhjeve përfshin jo vetëm Ramën dhe kupolën e tij në qeveri, por edhe lobistë të tij në media dhe në politikë të paguara me paratë e korrupsionit dhe vjedhjes që u bëhet shqiptarëve.
“Miliarda euro u vodhën. Një grusht njerëzish u pasuruan. Një grusht kriminelësh e kthyen Shqipërinë në Panamanë dhe Kolumbinë e Europës. Shqiptarët u varfëruan, ekonomia u shkatërrua, vendet e punës u asgjësuan, shëndetësia ra në kolaps, arsimi në ditën e tij më të zezë, fuqia blerëse e shqiptarit në nivele afrikane, studentët të diskriminuar, të lënë jashtë universiteteve me tarifat e larta dhe me arbitraritetin qeveritar. Pensionistët me sytë përtokë sepse çfarë u jepet me një pension, u merret me dorën tjetër me faturat e kripura të energjisë, me çmimet e rritura nga urbani tek nafta, tek shporta e ushqimeve. Kjo është vepra e rilindjes së krimit dhe krimit të rilindur në nivelet më të larta shtetërore.
Në planin e Edi Ramës – i cili është vetëm për pasurimin dhe pushtetin e Edi Ramës dhe të çetës së tij dhe të çirakëve të tij në media, të lobistëve të tij, që majmen me paratë e popullit më të varfër të Europës dhe të korruptuarve të tij, me pasaportë shqiptare apo të huaj që s’i bëhet kurrë vonë për Shqipërinë, por i bëhet vonë vetëm për xhepat e tyre – në planin e tij ogurzi, prishja e zgjedhjeve të ardhshme, kapja dhe diktimi i Parlamentit të ardhshëm, ka rëndësi jetike. Ndaj gjithçka është bërë në funksion të kapjes së zgjedhjeve të ardhshme.
Duke diktuar një Parlament fasadë, mundësisht me ne si opozitë fasadë, përmes drogës dhe krimit dhe nëse ne nuk pranojmë të jemi fasadë, një Parlament monist, rikthimin 27 vite më parë, me përjashtimin jo thjesht të opozitës, por të shumicës dërrmuese të shqiptarëve që duan dhe kërkojnë ndryshim”, tha Basha.

Droga, krimi, korrupsioni, komploti ndaj zgjedhjeve

Shndërrimi i krimit, drogës dhe korrupsionit në sistem qeverisës është mjeti i Ramës për të mbajtur pushtetin e për të shkatërruar të drejtën themelore të shqiptarëve për të zgjedhur me votë të lirë.
“Të gjithë elementët e komplotit ishin përgatitur për këtë skenar. Droga, krimi, korrupsioni, realiteti i përditshëm i shqiptarëve ishte fshirë nga mediat e kapura nga qeveria, ishte fshirë nga raportet e zyrtarëve të korruptuar ndërkombëtarë në Tiranë, të cilët nuk raportonin drogën, nuk raportonin kriminelët edhe kur këta gjakosnin qytetarët në dyert e stacioneve të policisë të korruptuar të Edi Ramës dhe që sot janë bashkëfajtorë me Edi Ramën dhe nuk dalin dot nga rrethi vicioz ku e kanë futur veten e tyre, sepse kanë mohuar krimin, sepse kanë mohuar drogën dhe janë bërë njësh me Edi Ramën, jo për interesat e Bashkimit Europian, jo për interesat e aleatëve tanë strategjikë, por vetëm për xhepat e tyre të korruptuar.
Kjo është e vërteta, por nuk ia dolën dot. Për tre vite e gjysmë ne bëmë betejë në Parlament, në studio televizive, konferenca për shtyp, vizitë pas vizite, por e vërteta e Shqipërisë dhe shqiptarëve të zhytur në dëshpërim prej drogës, krimit të organizuar të ngritur në pushtet dhe korrupsionit galopant të Shqipërisë, nuk depërtoi dot, derisa ju u ngritët dhe u bashkuat në këtë lëvizje madhështore, qytetare, kombëtare dhe demokratike”, tha Basha.

Paralajmërimi për zhaget dhe presionet ndaj Kolegjit

Për shkak të shkeljeve të afateve, procesi zgjedhor aktualisht është në kolaps ligjor. Dorëzimi në KQZ i listave të kandidatëve për deputetë jashtë afateve ligjore e bën këtë proces nul. Kreu i PD, Basha paralajmëroi dje se PD do të ankimojë këtë paligjshmëri në Kolegjin Zgjedhor e nëse ky i fundit do t’i bashkohet paligjshmërisë, përballë do të ketë revoltën popullore.
“Rrena nuk i lë vend rrenës. Kështu ka qenë këto 4 vite e kështu do të jetë këto ditë që i kanë mbetur Republikës së vjetër. Procesi i zgjedhjeve të 18 qershorit përveçse dështoi politikisht e moralisht, dështoi edhe ligjërisht. Të gjithë e dinë, të gjithë dini të numëroni deri në 50, në çdo listë, absolutisht çdo listë e dorëzuar në KQZ është e jashtëligjshme, procesi është në kolaps ligjor.
Të gjithë dini të numëroni deri në 50. Çdo listë e dorëzuar në KQZ është e paligjshme, procesi është në kolaps ligjor. Edi Rama dhe serumet që e mbajnë në këmbë Made in Albania apo kudo që bëhen apo made in Soros. Ata nuk e thonë një fjalë për skadimin e datës ligjore zyrtare për zgjedhjet. Nuk e thonë, duan ta anashkalojnë dhe shpresojnë që me presione ndaj Kolegjit Zgjedhor do t’i thonë shqiptarëve që, një edhe një nuk bëjnë dy, por bëjnë një. Se 17+31+2 nuk bëjnë 50, por bëjnë 51.
Dy rrugë ka, Kolegji Zgjedhor do të ballafaqohet së shpejti me kërkesën për të hedhur poshtë 18 qershorin dhe listat e paligjshme, duke hedhur poshtë sipas ligjit të Republikës së vjetër do t’i japë një shans Republikës së vjetër ta përfundojë misionin e saj, përmes konsensusit dhe negociatave. Në qoftë se me presione apo zhage Kolegji Zgjedhor vendos t’u thotë shqiptarëve se 17 plus 31 plus 2 bëjnë 51 dhe jo 50, atëherë Kolegji Zgjedhor, ligji zgjedhor dhe Kushtetuta e Republikës së vjetër do të merren përpara nga bashkimi i shqiptarëve për Republikën e re.
Data e vendimmarrjes është data kur shqiptarët do ta dinë nëse fundi i pashmangshëm, i paevitueshëm i Republikës së vjetër do të jetë një proces i një konsensusi, i një shansi për gjithpërfshirje edhe për mëkatarët e Republikës së vjetër apo do të jetë nisja, fillimi, inicimi i lëvizjes popullore, për mosnjohjen, mospranimin dhe rrëzimin e çdo ligji, e çdo institucioni të Republikës së vjetër përmes mosbindjes civile dhe akteve të tjera të rezistencës dhe qëndresës paqësore dhe demokratike.
Paqësore dhe demokratike. Bashkimi ynë do të jetë i tillë, i tillë do të jetë akti i rrëzimit formal të Republikës së vjetër. I tillë do të jetë akti i lindjes së Republikës së re, me garancitë e përfaqësimit për qytetarët shqiptarë në vend të partive politike me garancitë e llogaridhënies para qytetarëve shqiptarë dhe jo para oligarkëve dhe kriminelëve”, tha kreu i PD.

Reformë në drejtësi për qytetarët apo për Ndokat dhe Eskobarët?

Reformë të vërtetë në drejtësi dhe vetting të vërtetë premtoi Basha dje nga sheshi i lirisë, ndërsa tha se të dyja këto dy procese aktualisht janë hartuar sipas interesave të Ramës, me qëllim mbrojtjen e tij dhe kriminelëve e të korruptuarve me të cilët mban pushtetin.
“Rrena tjetër e sforcuar e Edi Ramës, se beteja e tij bëhet për reformën në drejtësi, e merr përgjigjen nga çdo qytetar shqiptar, i majtë apo i djathtë. Reformën në drejtësi dhe vetingun e do kjo çadër, ky bashkim qytetar. Reforma e vërtetë në drejtësi largon me të vërtetë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar që kanë mbrojtur dhe mbrojnë kriminelët në pushtet dhe që kanë mbrojtur dhe mbrojnë, duke mbyllur dosjet e të korruptuarve të Edi Ramës, që i kanë zhvatur 2,8 miliard euro këtij populli në vetëm katër vite.
Ju e dini këtë.
Kush e do reformën në drejtësi, ju qytetarët shqiptarë apo Arben Ndoka?
Kush e do reformën në drejtësi, Ilir Beqja apo qytetarët shqiptarë?
Kush e do reformën në drejtësi dhe vetingun e vërtetë, Sajmir Tahiri dhe Habilajt apo ju qytetarët shqiptarë?
Kush e do reformën në drejtësi, Eskobari dhe padronët e tij politikë apo ju qytetarët shqiptarë?
Kush e do reformën në drejtësi, Damian Gjiknuri i 600 milionë eurove të CEZ apo ju, qytetarët shqiptarë?
Kush e do reformën në drejtësi, Edi Rama që e mbushi vendin me drogë dhe institucionet me kriminelë dhe që bleu banka, pasuri të pamata në Shqipëri e jashtë Shqipërisë, me paratë që ju grabiti ju, apo ju populli shqiptar, qytetarët shqiptarë?
E pra, reformë në drejtësi dhe veting të vërtetë, do të ketë. Askush nuk i shpëton dot. I çfarëdo ngjyre politike që të jetë çfarë posti të ketë sot apo nesër. Drejtësia e vërtetë do të ndërshkojë krimin dhe të korruptuarit e çdo ngjyre. Por drejtësi të vërtetë pa zgjedhje të lira nuk ka”, tha Basha.

Të shtunën vendimi i madh nga sheshi i protestës

Në ditën e 82-të të protestës qytetare për zgjedhje të lira dhe të ndershme, në sheshin e lirisë ishin banorët e Qarkut Shkodër në bashkëbisedim me kryedemokratin Lulzim Basha lidhur me krizën politike, ekonomike dhe sociale të shqiptarëve në këto katër vite qeverisje të Rilindjes.
Izmita Ulqinaku është studente për arkitekturë dhe tha se qyteti i saj i Shkodrës po degradon dita-ditës nga mungesa e fondeve dhe investimeve, si rezultat i qeverisjes së kryeministrit Rama. Edhe Kunora Lohja do të diplomohet së shpejti dhe do të përballet me tregun e punës më të cunguar se kurrë më parë.  Për pak muaj diplomohem, por nuk kam asnjë perspektivë për të ardhmen, për punësim dhe mirëqënie – tha Lohja – ndaj më 13 maj çdo i ri duhet të bërtasë më fort se kurrë për të drejtat e tyre dhe të ardhmen e të gjithëve ne.
Behar Lezha është banor i qytetit të Shkodrës dhe ka në pronësi një dyqan të vogël familjar. Ai kujtoi se si në fushatën e vitit 2013-ës, Edi Rama doli në rrugët e qytetit të Shkodrës për të kontrolluar listat e borxheve në dyqane si tregues për varfërinë e popullit shqiptar. Por sot ato lista janë shtuar, borxhet që marrin qytetarët janë rritur dhe sasia e konsumit ka rënë, tha Behari, i cili solli në vëmendje faktin se kryeministri edhe kur e viziton Shkodrën, vjen vetëm për t’u konfliktuar me kryetaren e Bashkisë, me të cilën thotë se nuk mund të merret, a thua se është zgjedhja e tij të merret me të zgjedhurën e qytetarëve shkodranë.
Shqetësuese, jo vetëm se ilustron gjendjen e vendit, por edhe për imazhin që Shqipëria jep ndërkombëtarisht, ishte dëshmia e Ardi Zajës, i cili tregoi eksperiencën me një grup pune të televizionit “BBC”, i cili donte të bënte një dokumentar për zonat e veriut të Shqipërisë, por në moment të fundit u tërhoq për shkak të frikës nga pasiguria dhe rendi në vend.
“Punova dhe takova njerëz që të përgatiteshim për kur grupi i punës së ‘BBC’ të vinte në Shqipëri, në tetor apo në nëntor, por në një moment u bllokua çdo gjë dhe ne nuk e kuptuam pse. Një ditë më pyetën si është siguria në Shqipëri? Paçka fjalëve të mia të bukura, ata më dërguan një e-mail me disa linke të ndryshme të televizioneve, gazetave në botë, ku tregohej një kanabizim total i Shqipërisë, edhe në zona të caktuara të Dukagjinit, Malësisë së Madhe edhe territorit ku grupi planifikonte xhirimet. Ndaj më thanë se nëse flitet kaq shumë për një shkelje të madhe, çfarë sigurie kanë ata për të ardhur dhe për të xhiruar një dokumentar? Ata nuk erdhën. Dokumentari nuk u bë”.
Realitetin me të cilën përballen qytetarët dhe i tremben edhe gazetarët e huaj, kryeministri nuk e njeh, duke larguar jo vetëm turistë, investitorë dhe media, por edhe 300 mijë qytetarë, në eksodin më të madh të shqiptarëve në këto vite pluralizëm.
Afrim Cufaj, Zaim Kezi dhe Esmeralda Bega janë qytetarë të Shkodrës, Bërdicës, Tepelenës dhe gjithë Shqipërisë, për lirinë dhe mbarëvajtjen e së cilës i bënë thirrje çdo qytetari, të rinj, prindër, studentë, të papunë dhe profesionist, të varfër e të flakur pa një ndihmë, të protestojnë më 13 maj për lirinë e zgjedhjes, së Parlamentit të tyre, sistemit arsimor për fëmijëve të tyre, shëndetësinë që çdo qytetar meriton dhe vetë dinjitetin e të qenit votues i një republike demokratike.
Lulzim Basha kujtoi me studentët thelbin e demokracisë që është pikërisht kontrolli i qeverisë së zgjedhur me votë, nga opozita, pakica parlamentare edhe ajo e votuar nga qytetarë shqiptarë.
“Për 4 vite me radhë, kupola politike e Republikës së vjetër, me në krye Edi Ramën, shkatërroi një nga një, të gjitha themelet e bashkëjetesës demokratike.
Ata shkelën dhe dhunuan Kushtetutën. Ligjin themelor të shtetit, që organizon marrëdhëniet mes institucioneve dhe pushteteve, në mënyrë që përmes kontrollit dhe balancës, të sigurohet harmonia e vendimmarrjes në demokraci.
Sepse demokraci me të vërtetë do të thotë, vendimmarrje nga shumica e zgjedhur legjitime, por do të thotë kontroll, po kështu nga pakica e zgjedhur legjitime”.
Për këtë arsye, tha Basha, Edi Rama i solli kriminelët jo vetëm në Partinë Socialiste, por në poste drejtuese, bashki, institucione, polici, dogana dhe drejtori. Gjithçka në funksion të së vetmes gjë që mund ta shpëtojë politikisht, kapja e zgjedhjeve.
“Në planin e tij prishja e zgjedhjeve të ardhshme, kapja dhe diktimi i Parlamentit të ardhshëm, ka rëndësi jetike. Ndaj gjithçka është bërë në funksion të kapjes së zgjedhjeve të ardhshme.
Për tri vite e gjysmë ne bëmë betejë në Parlament, studio televizive, konferenca për shtyp, vizitë pas vizite dhe e vërteta e Shqipërisë dhe shqiptarëve të zhytur në dëshpërim, drogë, krimi të organizuar e të ngritur në pushtet, nuk depërtoi dot aq sa shqiptarët u ngritën dhe u bashkuan në këtë lëvizje madhështore, qytetare, kombëtare dhe demokratike.
Të vetmit që ia dolën t’i tregojnë miqve tanë në Bruksel, Berlin, Uashington dhe anembanë botës perëndimore të vërtetën e Shqipërisë ishin qytetarët shqiptarë, ishte kjo lëvizje popullore. Ndaj sot Europa mbarë e njeh problemin e madh të drogës, krimit dhe korrupsionit qeveritar në Tiranë”.
Lulzim Basha tha se pas dy takimeve me Edi Ramën në funksion të dialogut politik për zgjidhjen e krizës dhe rezultatit shterpë të tyre, bindja është se kryeministri i përgjigjet vetëm bashkimit popullor më të madh të shqiptarëve për demokracinë dhe lirinë e votës.
“Data e parë më e rëndësishme në këtë kalendar është data 13 maj, ora 12:00 në mes të Tiranës ku së bashku me njerëz të thjeshtë, të papunë, të rinj, maturantë, studentë, gra dhe vajza, profesorëve dhe akademikëve, sportistë dhe artistë, sipërmarrësve dhe sindikalistë, të gjithë do të jemi bashkë me një zë të vetëm.
Ditën e shtunë së bashku do të shpallim nga ky shesh falimentimin e Republikës së vjetër dhe themelimin e Republikës së re. Paqësor dhe demokratik, bashkimi ynë do të jetë akti i rrëzimit formal të Republikës së vjetër”.

Artikulli paraprak18 qershori ka rënë, opozita në Kolegj: U shkelën afatet
Artikulli tjetërSkaner amerikan për krizën, drogën e krimin