Skandal/Rama krijon kompaninë shtetërorë Albgaz dhe kërkon rritje të çmimit të gazit me 60%

Krijohet kompania shtetërore AlbaGaz e cila do të bëjë menaxhimin e gazit në Shqipëri. Dihet shumë pak për këtë kompani por Report ka mësuar se kompania shtetërore e gazit Albgaz duket se e ka nisur aktivitetin e saj me kërkesa për rritje të mëdha tarifore. Ajo i ka nisur një kërkesë Entit Rregullator të Energjisë për të miratuar për vitin në vazhdim një çmim transmetimi pre 40 lekësh për metër kub gazi natyror, nga 25 lekë për metër kub, që është aktualisht. ERE e ka refuzuar këtë kërkesë, duke e kthyer sërish për plotësim dokumentesh tek dërguesit përkatësisht Albgaz. Pak më shumë se një vit më parë kompania Albpetrol është ndarë në dy pjesë. Vetë Albpetroli do të merret vetëm me naftën, ndërkohë që Albgaz do të operojë në tregun e gazit të lëngshëm. Të dyja do të vijojnë të jenë subjekte me pronësi 100% shtetërore sipas dokumentacionit të siguruar nga ReportTv.

Vendimi i qeverisë

Shoqërisë shtetërore të naftës Albpetrol do t’i shkëputet pjesa që ka të bëjë me gazin. Qeveria ka miratuar sot (7 dhjetor), një vendim që krijon një kompani të re të quajtur “Albgaz”, e cila do të jetë me kapital 100 për qind shtetëror. Kjo kompani sipas vendimit të qeverisë, do të funksionojë si një operator i kombinuar duke kryer veprimtarinë e Operatorit të Sistemit të Transmetimit dhe Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes të gazit natyror. “Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “Albagaz”, sh.a., të jetë 359 068 000 (treqind e pesëdhjetë e nëntë milionë e gjashtëdhjetë e tetë mijë) lekë. Kjo vlerë e kapitalit fillestar përfaqëson vlerën me të cilën do të zvogëlohet kapitali i shoqërisë “Albpetrol”, sh.a., pas shkëputjes së njësisë së gazit”, thuhet në pikën 2 të vendimit. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndjekin procedurat e nevojshme për: a) regjistrimin e zvogëlimit të kapitalit të shoqërisë “Albpetrol”, sh.a., transferimin e vlerës së kapitalit të zvogëluar te shoqëria “Albgaz”, sh.a., si dhe përmbylljen e procedurave për regjistrimin e shoqërisë “Albgaz”, sh.a., në Qendrën Kombëtare të Biznesit; b) emërimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të shoqërive “Albgaz”, sh.a., dhe “Albpetrol”, sh.a., duke respektuar kufizimet e përcaktuara në ligjin nr.102/2015, “Për sektorin e gazit natyror”. Deri më 31 dhjetor të vitit të ardhshëm, aktiviteti i shoqërisë do të financohet nëpërmjet fondeve që do të sigurohen nga  marrëveshja e huas, e lidhur me shoqërinë “Albpetrol”, sh.a., dhe/ose fondet që siguron mbi bazën e marrëveshjeve me institucione financiare dhe/ose donatorë vendas apo ndërkombëtarë.

Artikulli paraprakPushtetarët ndërtojnë në Sarandë dhe prishin kasollet në Kurbin
Artikulli tjetërA mund të luftohen me ligj lajmet e rreme?